Kujtim Dumi: Cirku ka problem për klounë, mirëmbajtës dhe iluzionist

679
Sigal

INTERVISTA/  Flet Drejtori i Cirkut Kombëtar, Kujtim Dumi

Ai ka plot 38 vjet në cirk, është rritur me të, është edukuar me të, është formuar me të. Është ndër veteranët e cirkut si ekuilibrist dhe si akrobat, por tashmë në rolin e drejtorit. Sipas tij, problemet e cirkut janë të shumta, të akumuluara për shkak të neglizhencës së punës së drejtuesve të cirkut të cilët nuk kishin pasur asnjë lidhje me të. Por problemet kryesore të pronësisë janë të zgjidhshme, por organike është në nivelet minimale të saj pasi sot në Cirk nuk ka as pastruese, as mirëmbajtës skene. Një ndër objektivat e cirkut është jo vetëm të japë shfaqje në qytetet kryesore të Shqipërisë, por edhe në vendet fqinje dhe të rrisë repertorin në muajt e verës për turistë, përfundon ai.

 Cilat janë problemet e Cirkut tashmë

 Problemet janë të shumta dhe të akumuluara  për vite të tëra. Unë mund t’i rendis nga më të mëdhatë, siç janë pronësia mbi tokën, ku është ndërtuar çadra e madhe e Cirkut. Por në këtë rast duke pasur parasysh që ne jemi Cirk Kombëtar, kemi dhe mbështetjen e shtetit. Por një problem po kaq i madh është bashkëpronësia me Teatrin e Metropolit,  ku Cirku para dy vjetësh ka qenë pjesë e Qendrës Kulturore Tirana, dhe të gjitha  asetet kanë qenë të përbashkëta. Sot ne varemi nga Ministria e Kulturës, ndrysa Teatri Metropolit varet nga Bashkia e Tiranës. Pra ne shohim se disa pjesë tonat ky teatër i ka marrë padrejtësisht dhe ne mendojmë që secili të marrë atë që i takon konform ligjeve.

 Konkretisht, ku ju kanë hyrë në pjesë Teatri i Metropolit?

 Për hir të së vërtetës duhet të themi se Teatri i Metropolit na ka marrë padrejtësisht arenën e vogël, me rreth 200 vende që ishte  historikisht pronë e cirkut,  si dhe disa anekse dhe magazina që sot, ata i kanë bllokuar në komunikimin me ne.  Pastaj kemi dhe problemet tona të brendshme, që janë tonat, të zgjidhshme, pasi ne jemi të gjithë si trupë të interesuar për t’i zgjidhur. Ne kemi disa mjeshtra në Cirk që dinë të punojnë dhe t’i zgjidhin problemet e brendshme. Ne kemi shumë ambiente  të amortizuara, që kanë shumë vite që nuk është vënë dorë. Pra ka rënë suvaja, ka vite pa lyer, si dhe ka probleme të organikës.

 Ç’do të thotë mungesa në organikë?

Aktualisht, ne kemi një organikë tepër të ngushtuar, në limitet e saj, p.sh jemi pa pastrues në organikë dhe pse kemi gjitha ato ambiente. Kemi pak mjeshtra që përgatisin të rinjtë, kur dihet që çdo disiplinë duhet të ketë mjeshtrin e saj. Pra, këta mjeshtra mbulojnë disa disiplina. S’kemi klounë, s’kemi iluzionistë, kemi profile mangët që i mbulojnë vetë akrobatët apo ekuilibristët. Duket disi e pabesueshme, por aktualisht nuk kemi punonjës skene. Nga ana tjetër nuk kemi jurist, që përbën bërthamën e shumë bashkëpunimeve dhe nismave. Në këtë gjendje ne sërishmi punojmë, punët nuk na çalojnë, pasi kemi një frymë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi.

 Ne duam të dalim në traditën tonë të Cirkut Kombëtar, në atë qe kemi pasur për shumë vite, para 1990. Ne duam të dalim përtej perdes së Tiranës, pra të zhvillojmë shfaqje edhe jashtë Tiranës si dikur. Të shkojmë në të gjitha qytetet e Shqipërisë siç bënim dikur. Pra, ne po përgatitemi të gjejmë forma bashkëpunimi, me shtetin, por dhe me subjekte të tjerë. Ne do trokasim kudo që do na hapet dera për bashkëpunime në interes të punës. Do trokasim në minibashki, në kompani private, në banka, në qendra prodhimi. Synimi ynë është i largët që të bëjmë dhe turne jashtë Shqipërisë si në Kosovë, Maqedoni Mal të Zi, etj.. Por kryesorja që të kemi shfaqje në të gjithë gjeografinë shqiptare në vijimësi. Aty ku nuk ka cirk, pasi dihet që fqinjët tanë, nuk kanë cirk, të bëjmë sa më shumë shfaqje për bashkëkombësit tanë në vendet që na rrethojnë. Por ne duhet të rrisim shfaqjet kryesisht në verë, kur rritet fluksi i turistëve kryesisht në Durrës.

 Ju dhatë edhe shfaqje të veçanta, p.sh?

Ndër ‘to mund të përmend shfaqje për shtresat në nevojë, siç janë, pensionistët, azilet e pleqve, spitalet e veçanta, në Shtëpinë e fëmijëve, që t’u sjellim më shumë buzëqeshje atyre. Por njëkohësisht ne do të rrisim bashkëpunimin edhe me vendet e tjera që kanë cirk. Ne kemi 5 vjet rresht që marrim pjesë në karnavalet e Cirkut Ndërkombëtar të Dubrovnikut në Kroaci, ku ne shkëmbejmë eksperiencat.

  Ju tashmë keni vënë në skenë një premierë të re, çfarë risish ka sjellë kjo tek spektatori?

 Ajo quhet “Për ju gjithçka”. Pra gjithçka për publikun, për atë që na ndjek, për atë që na jep zemër. Edhe nga vetë titulli ajo ka gjithçka që duhet për nj premierë serioze. Këtu mbizotëron brezi më i  ri, i cili është stërvitur nga dy pedagogët Agron Muho dhe Silvana Dumi ka shumë numra cilësorë. Janë të gjithë numrat e domosdoshëm  dhe hapjen e  bëjnë fëmijët, ku ka numra ajri, akrobacie, prestigjiatore dhe zgjat 1 orë e gjysmë. Baza materiale e duhur këtë radhë është kombinuar me shpirtin e artistëve tanë.  Rëndësia kryesore e kësaj premiere është shpërthimi i brezit të ri, i djemve dhe vajzave shumë të reja që e kanë në gjak këtë lloj arti, specifik, që vënë në funksion aftësitë e tyre, trupore, fizike, artistike, por edhe mendore.

 Ju keni qenë akrobat dhe ekuilibrist në cirk mendoni se duke qenë pjesë e tij për dekada të tilla në rolin e drejtorit mund t’i zgjidhni më mirë problemet?

Natyrisht që po. Këtu kanë qenë drejtues njerëz që s’kanë pasur lidhje me artin tonë, me problemet e tyre, pra ndoshta  unë që jam rritur këtu, jam edukuar këtu, jam arsimuar këtu, ndoshta do ta kem më të lehtë. Përveç njohjes dhe aftësive personale unë kam dashurinë për çdo pjesë të cirkut, pasi është pjesë e jetës time.

Kur keni filluar punë për herë të parë në Cirkun e Tiranës?

Unë kam filluar punë në vitin 1975 si profesionit, isha 15 vjeç kur fillova si profesionist. Zakonisht në këtë moshë fillojnë artistët e cirkut që të jenë definitiv në punë. Në këtë  moshë merrja pjesë në tablo të ndryshme. Vetëm pas tre vjetësh munda të bëj një numër me veteranin e cirkut Bajram Kurti. Më vonë vazhdova me të gjithë  emrat e njohur të cirkut si ekuilibrist dhe si akrobat.

 Ke pasur rast që je ndodhur keq në skenë?

 Sigurisht, në gjithë këto vite diçka do të ndodhë, por ne kemi pasur disa mjeshtra, mësues që na thoshin  që edhe me trauma edhe me tërheqje, nuk duhet ta lëmë pjesën në mes. Njëherë në piramidën me 12 veta humba ekuilibrin dhe bie, kavilja m’u bë keq, por me një shikim të Telat Agollit, bonifikim të tij, u ngritëm sërishmi dhe e bëmë shumë mirë. Më pas, tërheqje në qafë dhe më duhej të bëja vertikalen për pesë minuta. Cirku ka gjithmonë të papritura, por ne akrobatët apo ekuilibristët i përgatisim që t’i përballojnë problemet deri në përfundimin e numrit.

 Në regjimin komunist a vinin udhëheqësit e asaj kohe në premiera cirku?

 Kanë ardhur dhe kemi shkuar. Ne kemi shkuar shumë herë në Pallatin e Brigadave me rastin e festave dhe qoftë Enver Hoxha, qoftë Nexhmija apo Mehmet Shehu, e të tjerë na kanë përgëzuar dhe kanë duartrokitur shumë. Cirku për punën e tij ka shumë dekorata, medalje, fletë-lavdërimi, etj..

 A kanë shkuar jashtë pjesëtarë të cirkut?

Po në vitin 1959 në Rusi dhe në vitin 1975-‘76 në Kinë, ku kanë qenë disa nga mjeshtrat tanë, të cilët kanë marrë eksperiencë. Kozeta, Fatos Alla, Pavli Sallata, të cilët e gjallëruan më shumë cirkun tonë. Këto ishin dy specializimet bazë.