“Jonianët “e Sarandës në skenën e Brukselit”

560
Sigal

Grupi polifonik “Jonianët”, i qytetit të Sarandës do të performojë në skenën e pallatit të “Artit Bozar” të Brukselit më 3 Maj 2014 në “Nata Shqiptare”. Grupi polifonik i Sarandës me një aktivitet 13- vjeçar dhe me një repertor prej qindra këngësh nëpër skenat evropiane dhe shqiptare si Holandë, Çeki, Hungari, Maqedoni, Kosovë, në festivale dhe evente folklorike të skenave shqiptare, ku shumica e teksteve janë shkruar nga marrësja e grupit Katerina Kulo, do të ngjitet në skenën e Brukselit i ftuar në veprimtarinë ndërkombëtare Ballkan Trafik 2014. Në këtë aktivitet që organizohet në Bruksel dhe ku marrin pjesë grupe e ansamble nga vendet e ndryshme të Ballkanit, e cila është një veprimtari unikale dhe ka shumë interes nga Këshilli i Evropës dhe parlamenti Evropian, synohet dhe pretendohet nxitja e njohjes së Ballkanit dhe trashëgimisë kulturore të këtyre vendeve në kuadër të integrimit. Veç koncerteve të tjera, në prezencë të trupit diplomatik të akredituar në Bruksel dhe qindra shqiptarëve, do të organizohet edhe nata shqiptare, ku veç grupit polifonik të Sarandës ”Jonianët”, do të marrë pjesë edhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve të Shqipërisë, të shoqëruar edhe nga personalitete të shtetit tonë. Ajo që është për t’ u nënvizuar, thonë drejtuesit e grupit “Jonianët”, është fakti se polifonia labe e Sarandës do të mbledhë në një grup, të gjitha grupet pjesëmarrëse të festivalit  për të kënduar bashkërisht këngën labe me tekst anglisht. Në përbërje të grupit “Jonianët” do të jetë edhe “gjenerali “ i këngës labe, Golik Jaupi. Jehona e mrekullisë së folkut shqiptar do të shpërndajë nga skena e Brukselit magjinë tradicionale të kulturës sonë.