Gjirokastër – Nis Trajnimi Ndërkombëtar për Shpëtimin e Trashëgimisë Shpirtërore

601
Sigal

28
profesionistë të rinj të trashëgimisë dhe muzeve nga Shqipëria, Bosnje dhe
Hercegovina, Bjellorusia, Egjipti, Gjeorgjia, Irani, Kosova, Maqedonia, Mali i
Zi, Serbia dhe Turqia, po marrin pjesë në një trajnim tri-javor mbi ruajtjen
dhe shpëtimin e koleksioneve muzeale, siteve të trashëgimisë dhe trashëgimisë
shpirtërore në situata katastrofe.

“Trajnimi Ndërkombëtar Mbi Menaxhimin e Rrezikut për
Trashëgiminë Kulturore në Rast Katastrofe”
 organizohet nga tri zyrat e organizatës “Trashëgimia
Kulturore pa Kufij” në Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë. Trajnimi filloi
në Sarajevë, në Muzeun Kombëtar të Bosnje-Hercegovinës, vijoi në Prishtinë,
ndërsa java e tretë dhe përmbyllëse mbahet në Gjirokastër në datat 21 nëntor –
27 nëntor.

Për të testuar pjesëmarrësit, programi gërsheton
ligjërata nga lektorë ndërkombëtare me ushtrime praktike që reflektojnë situata
katastrofash. Qëllimi i trajnimit është që profesionistët e trashëgimisë të
mësojnë aftësi praktike për mbrojtjen dhe shpëtimin e koleksioneve muzeale,
siteve të trashëgimisë dhe të trashëgimisë shpirtërore para, gjatë dhe pas një
katastrofe.

Në Gjirokastër pjesëmarrësit
do të studiojnë mënyra dhe strategji për ruajtjen e trashëgimisë
shpirtërore. Disa nga temat më të rëndësishme që do të trajtohen janë:
vlerësimi i rrezikut për trashëgiminë kulturore shpirtërore, rëndësia e
dokumentimit të kësaj trashëgimie etj.

Rëndësi e veçantë do t’i kushtohet temës së ndihmës së
parë për trashëgiminë dhe sesi kultura dhe trashëgimia duhet të mbështesin
përgjigjen humanitare. Organizatorët do të trajtojnë këtë çështje përmes
një paneli ku janë të ftuar profesionistë vendas dhe të huaj të
trashëgimisë kulturore, specialistë të emergjencave civile dhe donatorë.

Trajnimi
organizohet nëpërmjet projektit rajonal “Ndihma e Parë për Kulturën në Ballkan”
(B+CARE), një platformë e themeluar në mars të
vitit 2016 për të frymëzuar, trajnuar dhe koordinuar vullnetarë për përgatitjen
dhe ndihmën në emergjencat kulturore.

Ky trajnim është financuar nga Prince Clause Fund dhe
Qeveria e Suedisë.

***

Për më shumë të dhëna jeni të lutur të kontaktoni me Xhafer Rakipllarin,
përgjegjës i komunikimit të CHwB Albania në numrin: +355673633333; ose
email-in: [email protected]