Operatori
i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike thotë se zhvendosja e nënstacionit
elektrik në qendër të kryeqytetit do të përfundojë brenda kësaj jave, duke i
dhënë fund ndërprerjeve të energjisë për qytetarët, si ato të mbrëmjes së të
hënës.
“Kanë përfunduar 97% e punimeve në zhvendosjen e nënstacionit
qendër. Aktualisht jemi në fazën e kolaudimit dhe testimit dhe brenda kësaj
jave Tirana do t’i kthehet furnizimit normal të energjisë”, ka deklaruar Klevis
Jahaj, nga Drejtoria e OSHEE Tiranë.
Zhvendosja e nënstacionit po kryhet për t’i lënë hapësirë
projektit të Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e Unazës së Vogël.
Nënstacioni furnizon 30% të konsumatorëve të kryeqytetit,
duke përfshirë edhe mjaft institucione të rëndësisë së veçantë. Kjo peshë
aktualisht është shpërndarë në nënstacione të tjera, çka ka çuar në probleme me
furnizimin me energji.