Ese me përkushtim në tetëdhjetë vjetorin e lindjes së akademikut Rexhep Qosja

1050
Sefer Pasha


Më 25 qershor të këtij viti filozofi Rexhep Qosja mbush 80 vjeç. Në bibliotekën time është e gjithë vepra e eruditit të madh si filozof, shkrimtar, dramaturg, publicist, eseist, poelemist, kritikë arti, biblograf e kronist i klasit të parë. Në një kënd të bibliotekës time, aty ku është dhe romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, kam ngjitur dhe një krah shqiponje. E kam marrë në bjeshkët e Vuthajve në vitin 1999. Është e vetmja dhuratë që kam nga vendlindja e Rexhep Qoses (shkrimtari më 1.5 1986 do të bëj dhe këtë shënim për mbresat nga vendlindja: – “mullenjat e zeza, si përpara, kërcejnë prej çufre në çufër, prej shelgje në shelgje, prej verrit në verr”). Nga biblioteka kam ulur në tavolinën e punës të shtatë vëllimet me ditarët e botuar. Kurse dy vëllimet e fundit i kqyra në Shtëpinë Botuese “Toena” pjesë – pjesë ngaqë ato janë në proces redaktimi. Pas një pune të mundimshme disa mujore i lexova ditarët një për një, kapitull pas kapitulli, fletë për fletë, rresht për rresht e rrokje për rrokje. Mbusha gjithashtu një fletore me shënime. Mbas leximit të mijëra faqeve dhe të mijëra të tjerave që i kam lexuar me vakt u përpoqa sinqerisht të gjeja një krahasim. Kush është ky njeri? Me kë ngjan? A ka shoq në Shqipëri e Kosovë? Si e shkroi dhe e botoi gjithë këtë vepër kur bajonetat e titistëve dhe të millosheviçëve i qenë drejtuar në bebe të syrit. Pyetjet janë të pambarimta. Por edhe përgjigjet janë të zorshme. Më në fund e qetësova shpirtin duke e krahasuar shkrimtarin Rexhep Qosja me malin e Pashtrikut. E krahasova me Pashtrikun se e njoh mirë atë mal. Kam jetuar aty si në balada. Me Pashtrikun më ngjan jeta e këtij njeriu të papërsëritshëm. Siç del nga librat me ditar rrufetë e jetës ashtu si rrufetë që bien në Pashtrik nuk e tutën e as e kthyen nga udha njeriun e rrallë të letrave shqipe. Rexhep Qosja kaloi nëpër disa shkolla dhe u ngjit më lart nëpër shkëmbinjtë e Pashtrikut. Doli në jetë dhe përhapi dritë. Në kreshtat e Pashtrikut nuk vjen kurrë nata. UDB – ja e Aleksandar Rankoviqit dhe ajo e Millosheviçit e përndoqi thua më thua dhe ai u përballë me të. Edhe kur e kishte litarin në fyt belbëzonte Hymnin Kombëtar e këndonte: “Shqipëri të qofsha falë!/ /Të kam nënë e më ke djalë!”.

Udha e ngjitjes qe me shumë mundime, me kurthe, me përgatitje helmesh, me intriga, me udabashë, me fyerje, baltosje, kërcënime, papunësi, në gjyq për banesën, përzënie nga akademia, kritika nepërkash e përpjekje për ta izoluar. Në shtegëtimin e gjatë nëpër Kosovë qe personazh në mes të dramave e të tragjedive. Jetoi dramën e të burgosurve, të vrarëve e të zhdukurve pa nam e nishan. Nuk njohu një çast të lumtur. Në një shënim të datës 5.1.1966 Rexhep Qosja shkruan: – “Punoj në Radio Prishtinë dhe me këtë punë e siguroj, diqysh, sa për të mos u ankuar shumë, jetën time, të Shpresës dhe të Violës”. Dhimbjet trupore i vinin nga ankthet. Vetëm në Vuthaj e merrte pak gjumi. Në Vuthaj ati i tij do ta linte amanet që kur të vdiste ta varrosnin, “jo me kokë nga kibla, por me kokë nga Shkodra” (në Shkodër ati i Rexhep Qoses do të jetonte 20 vjet dhe aty do t’i vdisnin nëna, babai, vëllai i vetëm dhe familjarë të tjerë). E ashtu si Sfinksi ëndërrimtari kthehej e vazhdonte ngjitjen. Lexuesi pyet: Po si se vranë? Nuk e lanë zanat e malit dhe vitat. Vetë Qosja sjell si shëmbull thënien e De Golit, i cili iu kundërvu ministrit francez të policisë që donte të burgoste Sartrin duke i thënë se: “Franca nuk i burgos Volterët e vetë”. Në njëmijë mënyra Kosova e mbrojti shkronjësin e jetës së saj. Autori i kësaj bjeshke të paanë e thotë diku në një nga livadhet e ditarit se “Prej cungut nuk bëhet shënjtori”. Më në fund Rexhep Qosja pas rropatjesh të dhimbshme është ngjitur në majën e Pashtrikut, aty ku është dhe një varr i shenjtë. Prej varrit të shenjtë vështron me mall Prishtinën, Tetovën, Plavën e Guxinë e natyrisht Tiranën. Nuk lëviz prej vendit të mirë. Të gjitha ëndërrat më gjëma i ka realizuar (ç’janë këto gjamë që po i bjen era). Tani pret të realizoj ëndrrën e fundit. Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Filozofi është optimist. Shpreson.

Të gjitha vëllimet me ditare të Rexhep Qoses janë shkruar mes magjikes dhe reales. Qysh në faqet e fillimit të vëllimit të parë të vitit 1966 autori flet për bibliotekën e parë të banesës që ndodhej në Prishtinë afër Spitalit të Përgjithshëm, të cilën e ftillon me Shpresën e Violën. Ai i gëzohet bibliotekës ku janë rradhitur librat dhe autorët që i ka për zemër. Në bibliotekë (më vonë ajo do të zgjerohet e tani është një bjeshkë me shumë kreshta, rudina, lugje, ngjyra, lule, mjergull e borë). Në këtë bibliotekë natyra e tij e ndjeshme si në një tundim teatri do të ngjiz e do të shkruaj me dhjetra vepra arti për Kosovën e Shqipërinë. Kush e ka parë bibliotekën e Rexhep Qoses me siguri që do të sjell në mëndje Borgesin i cili thotë: “Fakti që të kem në dispozicionin tim 800.000 libra dhe errësirën, është një shenjë e një ironie të shkëlqyer të zotit”. Mes librave vizionari i madh shkroi, polemizoi, nismëtoi, shënjestroi imazhin e së drejtës, dëshmoi me kryelartësi kundër akademikëve e shkrimtarëve serb, tek kosovarët dhe shqiptarët përcolli shpresat dhe ëndrrat, qasi krenarinë kombëtare me Naimin, Fishtën, Mjedën e me dhjetra të tjerë. Ai flet me adhurim për studjuesit e akademisë së Shqipërisë, ku “Profesor Eqerem Çabej shkon pas të vërtetës”. Por merret dhe me vlerat e veprës së Aleks Budës, Dhimitër Shuteriqit, Mahir Domit, Androkli Kostallarit, Dritero Agollit, Ismail Kadaresë, Bedri Dedja, Luan Omari, Jorgo Bulo e të tjerë. Akdemiku kurrë nuk qëndroi në periferi të jetës e i shkroi veprat me disiplinë të fortë. Me dhunti ngulmoi të paarritëshmen. Në fletët e ditarit nga kreu në fund me thjeshtësi e modesti si intelektual me qibër pa dritë në fund të tunelit edhe kur regjimi serb Kosovës i kishte zënë frymën. Më 26.3.1981 Rexhep Qosja shkruan në në një faqe të ditarit se studentët në demonstrate brohorasin:-“Kosova – kosovarëve….Jemi shqiptarë, nuk jemi jugosllavë….Nuk duam tanke – duam Republikë….Punë e luftë natë e ditë që të shohim pakëz dritë…..Roftë Shqipëria!”.

Rexhep Qosja i pastër si ëngjëlli me ndjeshmërinë e një profeti e ndjeu se po trokisnin demonstratat e vitit 1981. Si një prijës virtuoz jo vetëm e preku madhështinë e demonstratave, por dhe shkroi e polemizoi me akademikët e Beogradit dhe me rregjimin që demonstratat paqësore i shtypi me tanke. Autori jo vetën në faqet e ditarit por dhe në vepra të tjera e qëndis këtë ngjarje madhore për Kosovën. Në romanin “Një dashuri dhe shtatë faje” kur përshkruan personazhin Ukshin Mati (e ka fjalën për personazhin tani të kthyer në mit Ukshin Hotin) shkrimtari shkruan: – “Kur Ukshin Mati, i porsapranuar në Fakultetin e Sociologjisë dhe Filozofisë, në mbledhjen e organizatës themelore të LK – së, në të cilën po bëhej diferencimi ideo – politik, thotë se demonstratat e studentëve dhe të rinisë shkollore nuk janë armiqësore, sepse kërkesat e ngritura në to nuk cënojnë interesat e askujt”. Dhe UDB – ja siç dihet e zhduku personazhin e romanit “Një dashuri dhe shtatë faje”, Ukshin Matin. E lanë fare pa varr.

Në fletët e ditarëve të Qoses lexuesi do të gjej autobiografinë e autorit. Edhe një shënim i zakonshëm dokumenton, daton e nyjëton atmosferën e kohës me shqyrtime mjeshtërore me vështrim nga e ardhmja. Analizat për konceptin gjeografik dhe etnik të Kosovës, idetë origjinale për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ndriçimi i disa të vërtetave për liderët djaj të Prishtinës, zhgënjimet dhe dhimbjet, rrisqet e rrezikut në rritje (vizatimi i figurës së Fadil Hoxhës). Sinqerisht në ditar më 11.3.1973 Qosja do të shkruaj mendimin e Rrahman Dedajt, i cili miqësisht i thotë: – “ Ty ta siguron shpinën, dihet kush, Fadil Hoxha dhe kunata, Drita (Drita Dobroshi)”. Vetë Qosja në 24.8.1982 shënon dhe këtë detaj “Erdhi Drita Dobroshi e cila më thotë: Djal i mirë, i ke keq punët….mund të të çojnë atje ku e kanë çuar Ukshin Hotin”. Momentet shkrimore të dhëna me energji e stil e ftojnë lexuesin në univesin qosjan. Ndjenjat dhe parandjenjat, qëndrimi kritik ndaj anëve më groteske në Kosovë, dilemat mes pushtuesit serb e kapërcyellet ndër mote i shndërrojnë ditarët në një arkiv jo vetëm autobigrafik, por në thesar kulturor mbarëkombëtar. Nëpërmjet ditarëve autori rreket të depërtojë në dinamikën e ngjarjeve në Kosovë. I lexon datat, orët, ditët, netët, muajt e vitet, ku ai lëviz dëndurazi në tragjedinë e Kosovës në luftë me Serbinë, por lexonjësi i thjeshtë gjen në faqet e ditarit analiza për figurat mitologjike, gjen gjithashtu gjerdan tiparesh dhe ngjyrash të shkrimtarëve botëror dhe shqiptar. Lexuesi mëson për herë të parë dhe historikun sesi u shkrua romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë” në vitin 1973, kur ia dorëzoi kryredaktorit Esad Mekulit të Jetës së Re me shënimin: – “Trembëdhjetë tregime që mund të bënin një roman” me pseudonimin Luan Dukagjini.


 Kur të dilte libri nga shtypi të merrej vesh emri i Rexhep Qoses, e detaje si flokë dëbore, por që kur i lexon pas kaq motesh ndjen dhimbje. Gjithashtu qysh në krye të herës lexuesi njihet dhe me rrethanat kur u shkrua vepra mbi Asdrenin, “Porosia e Madhe” për Naim Frashërin, “Historinë e Letërsisë Shqipe” e të tjera. Librin “Morfologjia e një fushate” e hodhën në lumin Drin. Përskaj e me vështrim kritik ai u referohet shkrimtarëve që i ka për zemër. Kur Rexhep Qosen e shkarkojnë nga detyra e Institutit Alabanologjik ngaqë është nacinalist ai reciton Mjedën që e do shumë: – /Bylbyl ky shekull orë e çast ndërrohet/ /Bijnë poshtë të naltit e i vogli çohet/”. Pas këtyre dy vargjeve të cilat i rradhit më 2.2. 1986 ai shkruan: – “Tu praroftë goja o Ndre Mjedë”! E gjithë vepra me ditarët e njëpasnjëshëm e shkruar në kufijtë më sipëror përcjell mesazhe të epërme në rrafshin e lirisë. Superioriteti i Qoses qëndron në faktin se për pesëdhjetë vjet me rradhë ai u mbështet tek virtuti publik i popullit të Kosovës. Mendimtari i thellë pa fllastër si intelektual i jashtëzaknshëm përthithi njëmendësit e kohës sidomos ato të vitit 1981, ndryshimet minutë pas minute, problematizoi gjithçka ndodhte e si karakter i rrallë taksën e suksesit në art dhe në luftën për lirinë e Kosovës e gjeti vetvetishëm në shpirtin e popullit që e lindi. Lexuesi në kapitujt e ditarëve do të njihet me momentent më pikante të shtegëtimit të Rexhep Qoses në përleshje me artin e intrigës. Në rendin e gjerave ndjen dhimbje për kalvarin e mundimeve të autorit. Rrëfenjat ekzotike, shpërthimet e skajëshme, debatet me kolegët mes veti e si në një vepër betseler anatemohen me shpirt e energji hajnat e lirisë së Kosovës. Në vargmalet e ditarëve shkruesi dhe vegimtari me gjuhë ezopike administron e vegjeton pash më pash me vendosmëri graniti luftën për lirinë e Kosovës. Studjuesi Agim Vinca thekson se në Rambuje Rexhep Qosja “i rrethuar me djem të zot e me kredibilitet moral…ka luajtur rol të rëndësishëm në legjimitetin e luftës së UÇK – së dhe daravitjen e paqartësive e dilemave rreth saj te ndërkombtarët”.

Ajka e ditarëve të Rexhep Qoses u thotë tunaqea dhe është shëmbëlltyrë e brishtë e skrupulozitetit të vetë autorit, i cili si akt suprem në lumin e jetës së tij pati fatin e Kosovës dhe të Shqipërisë. Në çdo rrebesh u gjend në krye të vendit dhe kurdoherë bëri avokatinë qoftë dhe për një lis të mbirë në mes të katër udhëve në veri të Mitrovicës. Edhe kur Kosova ishte nën pushtimin serb filozofi luftoi për lirinë e shprehjes, për identitetin e Kosovës, për gjuhën, kulturën, mitet dhe nëpërmjet imazhit autentik pa e ekonomizuar fjalën e ngriti zërin për luftën me armë ndaj pushtuesve serb. E gjitha kjo luftë për lirinë e Kosvës është detajuar në dy librat “ Tronditja e shekullit” e botuar qysh në vitin 2001, ku gjithashtu në 800 faqe ditar lexuesi gjen mbështetjen e pakufishme që Rexhep Qosja i dha luftës së UÇK – së. Me ngjyra të thekëshme biblike asesi në të gjithë kahjet me kultin e fjalës atypari si politikolog e mendimtar autoritariv i orëve të para u kthye në spikamë e tribunë në lufën kundër pushtuesit serb. Kur i shikon me imtësi ditarët bindesh se tek profesor Qosja nuk ka jetë të pakryeme. Mëndjeholli i Vuthajve me tipare aristokrati ka mujtur të kallzojë si zelltar me pamësi gjithçka që ka qenë në interes të Kosovës. Bash të gjitha këto janë në bjeshkët e ditarëve që në këtë 80 vjetor janë në duar të lexonjësit si një mozaik emblemantik.
Rexhep Qposja parrëfyeshmërisht e pakthyeshmërisht u përballë me akademikët e Beogradit si me Aleksandar Despiqin, Dobra Qosiq, Millan Kangërga, Jovan Marjanoviq, Antonije Isakoviqi, Sima Qirkoviqi, Borislav Mihajlloviqi, Radovan Samarxhiqi e të tjerë përfshi këtu dhe fjalimin e Millosheviçit në Gazimestan të Fushë Kosovës më 28 qershor 1989, ku është zhvilluar beteja midis sulltan Muratit të Parë dhe car Llazarit në vitin 1389 (në këtë ditë të kobëshme për popujt e Ballkanit) e ku Millosheviçi e di çka i bani vetit. Së këndejmi njeriu i letrave shkruan patregueshmërisht një “Letër e hapur një filozofi” dhe një “Letër shkrimtarëve serbë”, në të cilat filozofi i madh do të shprehet pareshtmërisht se: “Shqipëria është aq e madhe sa është i madh populli shqiptar dhe shtrihet deri atje deri ku shtrihet ai si popull me njësi etnike dhe gjeografike”. Përmbajtja e ditarëve përsosmërisht e pacakëzim shënjon me epërinë më të madhe të gjitha betejat e autorit përkitazi me të gjitha rrymat brenda e jashtë Kosovës. Në një shënim të datës 30.9.1987 ai shkruan vetëm një fjali “Vëllai, thuhet, t’i nxjerr sytë më së thelli” (dhe ujqërit (serbët) të ngopen dhe dhëntë shëndoshë). Narracioni qëndron tek statuti autentik i profesorit. Në mijëra faqe shfaqet uniteti i bindjes së brendshme, talenti i tij natyral i lindur, fantazist dhe mjeshtëror, plazmimi i fjalëve dhe i ideve, lufta pamëshirë kundër skuthëve, vizatimi i atmosferës, tëposhtëzat e liderëve kosovar pro Beogradit me pasthirrmat për udhën paqësore, përgjigjet ekzigjente pa lëshuar pe ndaj akademikëve të Beogradit e gjithqysh në itervalin kohor të gjashtëdhjetë vjetëve krijmtari e themi pa formë droje se Rexhep Qosja me kryet ar të pastër e merition në këtë 80 vjetor kurorën e dafinës. Edhe kur librat shikohen nga paralelet e trishtuara shkronjësi i jetës shpërfill dozat e teatralitetit, vegimet e dhimbëshme të dashakeqëve e ani de në 22.10.1987 ai ironikisht thotë: – “As ti (Fadil Hoxha) e as Enver Hoxha nuk keni ditur kë krejt po gradoni”.
Në prozën shqipe ditarët sup më sup të Rexhep Qoses “Dëshmitar në kohë historike” i shpallin luftë tribalizmit, sjellin vizione, janë një Drin plotë e për plotë me mendime, model përsosmërie, edhe guri e çil gojën (fshatarët i pyesin studentët…a e njohin Rexhep Qosen që u foli serbëve me penën e tij si Azem Bejtja) thuhet në ditar më 25.5.1985. Autori nuk i ndahet kahjes së lirisë, çdo ditë është në makth, krejtçka thotë mu në krye ka Kosovën dhe Shqipërinë, në çdo mendim është klasik dhe elegant dhe shquhet për të përshkruar detajet më të imta. Me akademikët e njerëzit e letrave të Beogradit është idhnak. Përgjegjshmërisht merret me motive të flashkëta. I gjithë shtrati i ditarëve ka si preformancë të vërtetën. Profesorit edhe pse nuk i është ndarë terri shpreson tek oguri i bardhë, hulumton thërrmija letrare, ku nuk ta merr mendja. Nuk gjen presje në ndryshimin e personalietetit. Kudo i thur ditarët me ndjesi të bukura energjie. Deviza e tij është një rracë, një komb, një fe e një konekst kulturor. Gjithandej bie në sy eleganca gjenetike e Vuthjotit dhe intelekti i botës shpirtërore . Të gjithë ditarët janë shkruar për hajër. Qysh në parafjalën e vëllimit të parë Rexhep Qosja shkruan: – “Kur kisha vendosur ta filloja botimin e ditarit tim 47 vjeçar, i cili, në qoftë se fati do t’më dhuroj edhe tri vjet jetë, do të bëhet pesëdhjetë vjeçar”. Të shpresojmë se profesori do të botojë dhe ditarin që ka mbajtur kur ka qenë mësues në Shipol të Mitrovicës si lis i vetëm në mal.


Virtualisht, rrëfimet e Rexhep Qoses në botvështrimin bashkohor shprehin me një fjalor specifik gjeradnin e bindjeve të palëkundura. Me smirë universale mjeshtri i profiluar me tharmin e fjalës që ngjiz ka hedhur në letër imtësisht çdo detaj për ngjarjet më thelbësore. Qysh më 5.3.1985 ai shkruan me dhimbje: – “Populli im i dashur! Përpara syve ta kanë helmuar Naum Veqilharxhin! Përpara syve ta kanë syrgjynosur Fan Nolin! Përpara syve ta kanë vrarë Luigj Gurakuqin! Përpara syve të kanë vrarë Bajram Currin! Përpara syve të kanë vrarë Avni Rustemin! Përpara syve ta kanë vrarë Hasan Prishtinën! E ti, çka ke bërë ti? Vetëm ke shikuar se çka po bëjnë helmuesit, syrgjynosësit dhe vrasësit e tyre!”. Ethet e krijmit të bien në sy në të gjithë ditarët kur Kosova ka qenë në mynxyrë e kur ai vuthjoti patriot nuk ja ktheu kurrë shpinën Kosovës dhe Shqipërisë. Nëpërmjet fijeve të dëshmive (drenicak lindesh, nuk bëhesh) librat voluminoz kompetitiv ndriçojnë ofshamat e një kohe tragjike. Kalvari i një jete të trazuar që me sabah siç thonë në Vuthaj i urti e i serti Rexhep Qosja qet në sipërfaqe koloritin e ngjarjeve në Kosovë me veneracion të veçantë. Në faqet e ditarëve lexuesi nuk gjen trille letrare, por ai zbaton në këtë lloj zhanri thënien e të moçmit: – “Folm e mbushma mendjen”! Një personazh i ditarit thotë: “Mos më ngreh për gjuhe!. Ditarët plot sharm edhe kur përplasesh herë – herë me një tis pesimizi shpirtin binjak e ndesh në shumë këndvështrime. Koleksionimi i kujtimeve, dizajnimi, instikti për të rrokur thellësinë emocinale e ka detyruar autorin jo vetëm të shkruaj, por dhe tu vërë gjoksin stuhive në Kosovë. Autori i ditarëve nuk ka luftuar për medalje dhe trofe. Por me përballje burrërore si sfidant në stilin e të shkruarit bukur fort është shfaqur si aktor dramatik në të gjitha kapërxyellet tronditëse për fatet e Kosovës dhe të Shqipërisë. Struktura e librave me ditar është e thjeshtë. Ai është këngëtar i ngjyrave me ndjesi dhe ofshama në pritje të agimeve që po vinin. Me stil epigramik ditarët përcjellin qëndrimin stoik të kosovarëve, krenarinë biologjike, narcizmin, karakterin e paqtë, vargun e vegimeve, dhe se çelësi i suksesit ka qenë tek besimi që lëviz malet. Ani pse asisoj në Kosovë ka pasur shumë tabllo të zymta shkrimtari i madh siç lexohet në ditar i ka bërë qokat e në këtë qerthull muza e zanave të Vuthajve i qëndronte në krah kur në vijën e parë të luftës i duhej të luftonte me penë dokumentarisht (tash e sa kohë vazhdoj të shkruaj barkas), pikturon autori më 16.6. 1982.


Në veprën voluminoze të ditarëve “Dëshmitar në Kohë Historike” Rexhep Qosja fletë me një gjuhë të zgjedhur, kundron edhe hijet e fatalitetit, ka mujtur ashiqare t’i jap me ndjesi realitetet paralele në Kosovë e gjithkah është ekzotikë. Me mendje të artë çon tek lexuesi idetë brilante të luftës për lirinë e Kosovës. Që në fillim të herës qe dhe është për kosovarët dhe shqiptarët një dritë ndryshe. Kjo duket tek ky mal me shënime të cilat filozofi ia përcjell lexuesit në këtë tetëdhjetë vjetor. Nuk i mungon busulla e gjeografit as tani. Trishtohet edhe për një milimetër tokë mbi Dheun e Bardhë në Mitrovicë. E për milimetrat e tokës së Kosovës ai u referohet miteve dhe motrëzimeve të baladave në Kosovë. Gjithë jetën luftoi me Jagot, shkoi dorë për dore me të diturit e shkroi kundër spiunëve me origjinë aliene në pikë të ditës e të natës. Ndjellazi shfaqet me identitetin e tij dhe orë pas ore e ditë pas dite e rriti tek lexuesi autoritarizmin si filozof e shkrimtar. Ditarët janë copëza kujtimesh, rrjedhë natyrale e karakterit të tij, qe vlerë e shtuar në ditë të zeza, foli me gjuhën e profetëve, mbeti sinonim i kurajës, çezarian, arkitekt i veprave të shumta, virtuoz i rrëfimit, shkëlqen me stilin satirik dhe e ngat zemrën kundër intrigantit. Shumë faqe të ditarit janë poema në prozë. Ditarët janë bekim për jetën në përditshmëri. I ka hije tharmi artistik. Librat me ditar kanë qenë edhe si një ushtrim në këtë zhanër e muza se ka lëshuar kurrë. Megjithëse aftësia e përshtatjes i ka munguar dhe kjo duket në mijëra faqe për shkak të karakterit, të përsonalitetit e të formimit kulturor, Qosja, nuk shkoi kurrë nga krejtkah shkonin servilët e rregjimeve në ish Jugosllavinë e Titos dhe të Millosheviçit. Kur se merte gjumi në situata të trazuara shkruante dhe i kujtohej ajo kënga: – “Seç me doli gjumi/ /E seç mu bë një këngë/. Thagma e vendosmërisë e bëri, që përveç veprave madhore letrare, ditarët ta plotësojnë mitin qosjan. Ai ishte dhe mbetet kundër tribunëve të rremë. Kushtimisht e në mënyrë kaq kapilare e bëri prozatorin që të gjënte të mesmën e artë dhe të lexohej nga Mitrovica e gjer në Sarandë dhe të përkthehej në disa vende tw botës. Në Shqipëri ai hyn në listën e mendjeve të larta. Mjeshtërisht fati i epërm i erdhi në ndihmë në shenjtoren e krijmit. Edhe pse qe një shumë keqkuptimesh nga monstruozët në ditare nuk ka retushime. Një faqe ditari që është shkruar 50 vjet më parë të duket sikur është thurur një ditë më parë nw Vuthaj a Prishtinë.


Miqtë e mi më thonë se Rexhep Qosja do ta vazhdoj ditarin gjersa të mbush një qind vjet e në mos më tutje. Thuhet se shkruan si në rininë e tij kur ishte mësues në Shipol të Mitrovicës (megjithëse ditarin e atyre viteve nuk e ka publikuar). Kënaqësitë e të shkruarit të ditëpërditshëm i ka të qashtra. Sot lënda e ditarëve ka ndryshuar. Kur ai është kthyer nga Tirana në Kosovë pas çlirimit të saj më 25 6.1999 në librin e dytë të ditarëve “Tronditja e shekullit” në fletën e fundit bën dhe këtë shënim: – “Shkrimtari i madh francez, Andre Zhid, e thotë bukur: – “Më e vështirë se të dish të çlirohesh është të dish të jesh i lirë”. …. “A do të dimë të sillemi në liri”? pyet mjeshtri i madh.
Esenë për mbresat nga ditarët e Rexhep Qoses ia dhashë për ta lexuar një poeti të njohur që edhe ai e ka idhull Nderin e Kombit. Poeti kur ma ktheu esenë më tha fjalë të mira. Por e kishte një mendim. Do të qe mirë më tha ai që figurën brilante të Rexhep Qoses ta kishe krahasuar me malin e Korabit. Korabi është mali më i lartë. Jo ia ktheva aty për aty. Edhe pse më kishte munduar krahasimi mali i Pashtrikut mbetet simbol për kosovarët dhe shqiptarët. Sulejman Vokshi pisket si zanë Pashtriku thotë kënga si në balada. Mali i Shenjtë është ballë për ballë me Prizrenin e Avdyl Frashërit dhe të mendjeve të tjera të nditura, ku u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Pikërisht në Gjykatën e Qarkut të Prizrenit më 29 shtator 1994 një nga miqtë e Rexhep Qoses, filozofi Ukshin Hoti, do t’i drejtohej prokurorit të Serbisë në Prizren, Dobrivoje Periçit me këto fjalë lapidare: – “Kryeqyteti i shtetit të bashkuar shqiptar mendoj se duhet të jetë Prizreni. Kjo i takon historikisht këtij qyteti, ndwrsa i përgjigjet edhe gjeografikisht, pasi që gjendet në qendër të trojeve shqiptare”. 
Sigal