-Stendat më të vizituara “Argeta LMG”, “Morava”, “Bota Shqiptare”
Albert Z. ZHOLI
Dje Tirana u zgjua nën shiun e imët që të ftonte për gjumë. Por për çudi numri i vizitorëve në Panairin e librit ishte i madh. Duke ndjekur nga afër këtë ditë pyeta shumë vizitorë. Një pjesë vinin për kureshtje, një pjesë për të blerë një libër me çmim të ulët dhe një pjesë rreth 20% vijnë si frekuentues të rregullt dhe blerës sistematik të librit. Në këtë ditë gri shumica e blerësve ishin fëmijët. Madje kishte dhe shkolla të veçanta që erdhën të organizuara për të vizituar Panairin. Në kohën kur libri është larg vëmendjes së institucioneve shtetërore, botuesit shqiptarë kanë marrë përsipër vetë riskun e botimeve. Dhe ajo që ngrenë gjithmonë botuesit është se libri nuk shkon në çdo skaj të Shqipërisë gjatë gjithë stinëve të vitit. Pra shpërndarja e librave mbetet një ngërç i mbartur prej kohësh, ndaj libri e ka të vështirë të mbërrijë te lexuesi kur i duhet dhe kujt i duhet. Letërsia shqipe dhe fryma e re e autorëve të rinj nuk gjejnë hapësirën e merituar në Shqipëri pasi shteti nuk i nxit duke i stimuluar shkrimtarët vendas. Ministria e Arsimit duhet të gjejë mekanizmat e duhur për të ndërhyrë si rregullator në të gjitha hallkat, që lidhen me librin.
Si ndahen problemet?
Dhe pse shihet se vitin e kaluar dhe këtë vit ka një rritje të lexuesve sërishmi problemet me librin në Shqipëri janë të mëdha. E para si problem është shpërndarja gjeografike e librit. Sot libri nuk mbërrin kurrë në fshatrat e thellë, por as në qytetet e vogla, pasi nuk ka një organizim shtetëror, por vetëm iniciativë private. Edhe këtë vit dhe pse në Panair ka 107 shtëpi botuese sërish problemet janë të njëjta si vitet e tjera. Aktualisht shtëpitë botuese në vendin tonë nuk po përballen vetëm me humbjen e lexuesve, por edhe me tkurrjen e tirazheve, ndërsa për shkak të inflacionit kemi rritje të çmimit të librit. Situata duke marrë parasysh panairet e mëparshme tregon se 60 përqind e shqiptarëve nuk lexojnë rregullisht dhe shtëpitë botuese punojnë për këtë 30 përqind. Kjo ka sjellë uljen e tirazheve ku më parë një titull arrinte 1000 kopje, me tirazh minimal, ndërsa tani shkon deri 200-300 kopje madje librat me mbi 600 faqe edhe me tirazh 50 kopje. Për të përmirësuar situatën, për të lidhur lexuesin me librin sipas botuesve del detyrë që në çdo qytet duhet të nxiten festivalet letrare, të cilat mungojnë. Organizimi i festivaleve letrare është shumë e rëndësishme pasi tregohet se zhvillohen aktivitete, që mbështesin librin dhe tërheqin vëmendjen e institucioneve.
Si çdo vit ulja e çmimeve është kthyer në normë nga botuesit
Ka mëse 14 vjet që në Panairet e librit ulja e çmimeve është bërë normë, rregull, kërkesë ndaj vetes nga botuesit. Kjo për shumë arsye, por kryesore që asnjë vizitor të mos kthehet pa blerë një libër. Sigurisht si çdo vit edhe në këtë edicion të 27-të të panairit ka zbritje çmimesh në libra dhe disa aktivitete, që kanë në qendër kryesisht të rinjtë dhe fëmijët. Këtë vit, 2024, uljet variojnë 20-50% ku botuesit mundohen të kënaqin lexuesit edhe të gjejnë gjithçka duan edhe për të përfituar nga ato uljet e çmimeve.
Librat më të shitur nga shtëpitë Botuese “Bota Shqiptare”, “Morava”, “Argeta LMG”
Botimet “Argeta LMG”:
– PËRSE DUAM QË TI TË JESH I PASUR
DY PERSONALITETET QË JAPIN NJË MESAZH
“Të pasurit po bëhen edhe më të pasur; po ti çfarë po bën?”
-Pse ose “Libri i Pse-ve?”
Botimet “Morava”
‘Vajza në tren”, “Lindja e Afërditës”, “Gruaja e doktorit”
“Bota Shqiptare”
Tre librat CICERONI, “Parimet e suksesit”
Presidenti i Shtëpisë Botuese “Bota Shqiptare”, Genti Gjonaj: “Vlerat e panaireve janë përballja e lexuesit me librin.”

Shtëpia Botuese “Bota Shqiptare”, është një nga shtëpitë më të vjetra postkomuniste, pasi tani po mbush plot 26 vjet. Ajo tashmë në arkivin e saj ka mbi 400 tituj nga shkrimtarë nga të gjitha vendet e botës. Në këtë shtëpi botuese janë botuar si vepra klasike po aq dhe moderne. Hygo, Balzak, Nikolai Sparks, Musso, Elif Shafaku, janë ndër emrat më të përkthyer të letërsisë botërore klasike dhe moderne. Në këtë bisedë, Presidenti Gjonaj, tregon për problemet e librit, shpërndarjen, ekzistencën dhe rolin e kritikës dhe konkurrencën mes tyre, por dhe rëndësinë e panaireve të ndryshme që hapen për librin…
Sa libra ka në arkivin e vet kjo shtëpi botuese?
“Bota Shqiptare” ka në arkivin e vet rreth 480 tituj libra të të gjitha gjinive ku mbizotëron romani, kryesisht romane të autorëve të mëdhenj të huaj. Në këto botime ka letërsi botërore klasike, por edhe modern, por ka dhe shumë autorë shqiptarë të spikatur si Moikom Zeqo, Sulejman Mato, Albert Zholi, Agim Shehu, etj. Përparësi e “Bota Shqiptare” është botimi në shqip e letërsisë më të mirë momentale botërore dhe letërsisë më të mirë klasike botërore. Në këtë drejtim ne kemi prurë tek lexuesi shqiptar autorë botërorë të mëdhenj klasik si Hygo, Balzak, dhe autorë të tjerë të këtij kalibri. Por ne duke ndjekur zhvillimet e letërsisë, kemi sjellë tek lexuesi shumë autorë modern, që janë përkthyer kudo në botë dhe që janë mirëpritur nga lexuesi shqiptar. Në mënyrë të veçantë të rinjtë shqiptarë dhe femrat shqiptare janë lexues të rregullt të autorëve modern si Nikolai Sparks, i cili ka një rrëfim të veçantë. Thuajse ne e kemi botuar të gjithë kolanën e botimeve të tij me 17 tituj dhe kemi ekskluzivitetin e botimeve të tij, pasi shumë romane të tij janë bërë filma nga Hollivudi ku kanë luajtur Riçard Gir, Xhulia Roberts dhe aktorë të tjerë të mëdhenj të kinematografisë botërore. Përveç tij kemi sjellë nga Evropa një autor të pëlqyer dhe tepër rinor si Musso, që është një autor shumë i pëlqyer në Francë, i cili ka një letërsi bashkëkohore të karakterit psiko-analitik. Një autor i ri, të cilit ne i kemi sjellë 6 tituj në tregun e librit shqiptar, romane që janë vlerësuar shumë nga lexuesi i ri shqiptar. Në mënyrë të veçantë do të thosha se është mirëpritur po kaq mirë nga lexuesi edhe një autore turke si Elif Shafaku (që siç thotë Pamuk është një nga shkrimtaret më të mira gra në Turqi). Kjo shkrimtare ka një potencial të madh historiko kulturor, që mbart në veprat e saj vlera të thella të mendimit përparimtar turk. Në një vepër të saj shumë të lexuar “Bastardja e Stambollit” ajo përcjell konfliktin e madh turko-armen si dhe përzierien e fateve të njerëzve, që mbartin mbi vete historinë dhe tragjedinë e këtij konflikti.