Ata erdhën në jetë pa zhurmë e pa bujë, por me një shpirt të madh, që ishte dhuratë nga natyra, ku “ziente vullkan” kënga që shpërthente kudo, në shtëpi, në arë, në të korra, në ahengje, dasma e kurora. Ata lindën me këngën, e stolisën atë, shpërthyen me to dhe vdiqën me këngën në gojë.
Në ato kohë të vështira, kur sundonte kandili, skamja, injoranca, varfëria, Kili Dano me djemtë e tij mbante ndezur zjarrin e këngës, që iu ngrohte sadopak zemrat fshatarëve të varfër. Me këngët e tyre që iu buronte si ujvarë nga gjoksi i malit të Tomorrit, ngrinin lartë moralin e njerëzve, iu jepnin shpresë për të ardhmen. Kur e pyetën Kilin nëse shkon në dasma me lekë, ai u vrejt ne fytyrë dhe i zëmëruar i tha bashkëbiseduesit: -“ Kili Danos as i ka shkuarë kurrë në mendje që të shesi këngën me lekë. Gjithçka që bëjë, e bejë me dashurinë e zjarrit të shpirtit tim që kam për njerëzit, që atyre t’ju lehtësoj sadopak hallet e shqetësimet, që në shtëpitë e tyre t’ju kthehet gëzimi dhe buzëqeshja”.
Buçima e këngëve të tyre u ndjen në të gjithë Myzeqenë, në dasma e gëzime, në tribunat e festivaleve lokale e rajonale, në ato kombëtare e deri në Kosovë, të cilët e çuan në këto treva veç shpirtit të një populli të kulturuar, arsimdashës e të dashur, si vetë toka që i mëkoi, por promovuan vlerat e etnografisë së krahinës përmes veshjeve të bukura myzeqare. Ata ishin ambasadorë dhe përfaqësues të një treve mjaft bujare, mikpritëse, ku në gjirin e saj ka pritur mjaft komunitete nga Shqipëria, si nga Kosova, Laberia, Mallakastra, Skrapari e Çamëria, pra është një Shqipëri e vogël në miniaturë.
Në repertorin e tyre më se 100 vjeçar, janë kënduar e regjistruar qindra këngë lirike, “iso” myzeqare. Zëri i tyre si i veçantë në vocal, por edhe në intepretim, u përzgjodh dhe u regjistrua qysh në mesin e shekullit të kaluar nga koleksionisti dhe muzikologu anglez, Albert Lancaster dhe më pas aty nga vitet 50-të, nga Instituti i Krijimtarisë Popullore, Tiranë.
Kili Dano bashkë me djemtë, Kriston, Vangjelin dhe Llaqin, përcollën një trinitet zërash në sfondin e këngës popullore myzeqare, si një trashgimëni e pasuri e familjes së tyre, e deri tek nipërit e mbesat.
Këngët: Bukuroshe e Strumit; Qaj moj zemra ime qaj; Llazore; Oh, ç’u bëti natë, nuk shohim të shtrojmë ordhine; Bilbil sakat, sakat.
Dhe këngë të tjera muarën përpjestime të gjera në mediat vizive, ato të radiove dhe në festivale e ambjente familjare, duke i kthyer këngët e tyre në himn. Ato mbeten si një trashgimni e pasuri e çmuar e Myzeqesë, në thesarin e kulturës popullore të Shqipërisë, që do të ruhen gjatë. Me meritë populli i quajti “Bilbila të këngës popullore “iso” myzeqare.
KËNGA DHE VALLJA MYZEQARE, GJURMË NË LASHTËSI

Kënga, vallja myzeqare është mjaft e lashtë, të cilat kanë lindur e zhvilluar ndër shekuj, duke ruajtur me fanatizëm vargjet, melodinë e bukurinë e tyre. Sigurisht, ato janë të shoqëruara edhe me veglat muzikore, që për mendimin tim, janë futur me ardhjen e romëve në Shqipëri, që daton në shekullin e 12-13-të.
Shprehje të këngëve popullore të Myzeqesë, që i kalojnë shekullin dhe qe janë kënduar në familje apo ceremoni dasmash, janë ruajtur të pastra deri në ditët e sotme, siç janë:
Kënga e rruarjes së dhëndërrit, që këndohej e vallëzohej:
Berberi që rruanë mbrenë,
Rruana, rruana dhenderr bene,
Dhe kënga tjetër:
Sikur nxirrje xhevahir,
moj xhevahir,
Zotrote kur më llafosje,…
.
Gjithashtu këndohej kënga:
Kur më shkoje rrugës moj,
Me 40 asqerë (ushtarë),
Mizë do të bëhem moj,
Tyja do të marrë erë.
Dhe këngë të tjera shumë të bukura si: Breshkëza e Ugarit; Të dersin balli serma; Ç’u errti, ç’u bëti natë; Edhe hëna kurrë mos daltë; Dritë kemi dashurinë etj.
Madhështore janë edhe vallet e kënduara myzeqare, që sigurisht Kili Dano me shokët, Miti Lazen, Kozi Simonin e djemtë, jo vetëm i kanë interpretuar, por edhe i kanë “qarë”.
Këto valle tregojnë qëndresën e popullit të Myzeqesë ndaj klasave shfrytëzuese, duke e shoqëruar me lëvizjen e shamisë, hedhjen e këmbëve në tabanin e tokës amë, përkëdheljen e saj si shprehje e dashurisë për jetën dhe tokën që i ka bekuar.
Ndër vallet më të preferuara të Kilit dhe djemëve të tij ishin:
Vallja dyshe Myzeqare
Vallja e Skënderbeut
Vallja e rëndë burrash
Shkon bajamja lumit-o
Vallja e Minush Ages etj.
KILI DANO dhe kënga popullore “iso” Myzeqare
U lind aty nga fundi i shekullit të 19-të, në vitin 1887, në fshatin Sheq i Madh të Fierit, të fisit danallarë, nga prinderit Miti dhe nena nga fisi zakallarë. Ishte vella i vetem dhe i tre motrave.
I takon periudhës kur ne ishim rajon dhe pjesë e perandorisë turke. Gjithë jeta e shqiptarëve organizohej, drejtohej dhe administrohej nga Stambolli nëpërmjet administratës civile dhe ushtarake dhe pasuesve të tyre, feudalëve, bejlerëve e çifligarëve vendas, që shtypnin e shfrytëzonin popullin deri në mjerim.
Thuhet se Sheqi i Madh ishte tokë “Belik” (shteti). Sipas një dokumenti të kohës, të viteve 1938, thuhet se Sheqi i Madh, Sheqi i Vogël dhe Qenasi (Nënprefektura e Fierit) ishin 754 frymë bujqë dhe 57 imigrandë pa tokë (të ardhur në këto fshatra). Në atë kohë fshatarët detyroheshin të paguanin xhelepin (vergjinë, taksë për shtëpinë) taksë për qerret, për lundrat, për oxhaqet e furrave, për rrugën etj. Mbi 90% e popullsisë së Myzeqesë ishin analfabetë.
Banorët e parë mendohet të jenë vendosur rreth shekullit 16-17-të. Ndër fiset e para përmenden 13-të familje me rreth 110 banorë, sipas mëhallave: Danollarët, Ristajt, Priftajt, Simonajt e Gjonajt. Më poshtë banonin fiset: Llupajt, Kularët, Petanajt, Pjetrët, Divinjtë, Çobajt dhe në të majtë të rrugës nacionale Dashallarët. Asokohe shtëpitë e banimit ishin të ndërtuara thjesht myzeqarçe për kushte të vështira të kohës, me mure të thurura, me kallama, e lyer me baltë, përdhese, me çati prej kashte, pa tavane. Për ndriçim përdorej kandili, e më pas llamba dhe feneri i vajgurit. Për ujë të pijshëm përdornin puse të ndërtuar pranë shtëpisë, etj. Mjekësia dhe shkollat mungonin tërësisht. Hijeshi dhe bukuri u jepnin kopshtet rreth shtëpisë të mbushura plotë me pemë, si mëni i zi dhe i bardhë, fiqtë, shegët, hardhitë e rrushit amerikane etj dhe mbarshtrimi i shpendeve tradicionale myzeqare, si: Pata (biba), rosa, pula e detit, pulat shqerake etj, që i kishin me shumicë.
Pas viteve 1932 vendosen disa familje kosovare të përndjekur nga regjimi gjakatar serb, siç ishin: Jonus Kosova, Feti Kosova me vëllezërit, Aliun e Nuriun, Marinët, Këpuskët, Hysni Morina, Kaçukalët, Mazrekët, Berishët, Gashët. Të gjithë të vendosur prej urës së Sheqit dhe përgjatë lumit Gjanicë dhe rrugës nacionale e deri në kufi me Dashallarët.
Pas çlirimit të vendit u vendosën disa familje të ardhura nga fshatrat e Shpiragut, siç janë: Familja e Rrapo Ismailit me djemtë, Hakiun, Harizin, Fejziun, Mynyrin dhe Nametin.
Me përmbytjen e vitit 1963 të fshatit Metalli nga lumi Seman, shteti lëvizi banorët, duke i vendosur në Sheq të Madh, siç ishin: Profkallarët (Nasi, Neko e Tuni Profka); Kolanjakët (Malua), Ndrek Marku, Sollakët. Gjithsej, rreth 30 familje me 200 banorë.
Tokat e Sheqit të Madh shtriheshin në kufi, Ura e Sheqit, përgjatë lumit Gjanicë, kufizoheshin me vijën e Ngjalës, në lindje me ish kënetën e Sheqit, duke u kufizuar me Sheqin e Vogël, ku sot është shkolla “Murialdo”.
Gjatë vitit 1935 në një reform që bëri qeveria e Ahmet Zogut mundësoi që banorëve të Sheqit t’u jap toke, ndersa Kili e bleu token me flori, te mara me fajde tek tregëtari Vangjel Lule.
Në atë përiudhë banorët merreshin me bujqësi (prodhim misër grurë, jonxhë, etj), në punime artizanale, si, prodhimin e koshave, rrogozave, qerrexhi, me rritjen e gjedhit, si lopë, bagëti etj. Dalloheshin si zanatçinjë të vjetër, si rrobaqepës, fisi i dashallarëve, priftallarët, gjonallarët. Këneta iu shërbentë jo vetëm për korrjen e kashtës dhe punimet e artizanatit, por edhe për peshkim.
Pas çlirimit të vendit, më 29 nëntor 1944 krijohet kooperativa e parë në Sheq dhe në vitin 1959 kalon në sistemin e Ndërmarjeve Bujqësore të NB Çlirimit. Në vitin 1955 deri në vitin 1957 shteti bonifikoi kënetën e Sheqit, duke përfituar qindra hektarë tokë buke (sot fusha e Sheqit, që kufizohet me Sheqishten e Frashërin).
Edhe pse mjedisi ku u rrit Kili Dano ishte jo i favorshëm për jetesë normale, pasi rendimentet e prodhimit te grurit e misrit ishin të uleta, të ardhurat ishin të dobëta e për pasojë kërkonte shumë mund e sakrifica për mbijetesë. Edhe pse në këto kushte Kili krahas punëve që bënte për të siguruar të ardhura për familjen, dëshirën e dashurinë për këngën s’ja shojti dot askush.
Qysh i vogël shfaqte shënja të një këngëtari të ardhshëm. Ishin vitet më të vështira, kur populli luftonte nëpër çeta patriotike (1905-1912) për liri e pavarësi kombëtare. Ndërsa Kili, në ato vite, kur kishte mbushur të 15 vjetët shpërthente me këngët e tij që dëgjoheshin kur shkonte të punonte në arë, me qe, kur korrte grurin, misrin apo kashtën në kënetë që e kishte aty pranë, kur zinte peshk e ngjala, etj. Gradualisht zëri i tij, kënga e tij do të përhapej jo vetëm në fshatin e tij Sheq, por edhe më gjerë, kur njerëzit qëndronin dhe dëgjonin me kënaqësi zërin melodioz të djaloshit të Danove. Ndërkohë, aty në Sheq të Madh ishin dhe tre shok të tij të fëmijërisë, si, Koz Simoni, Koli Rista, Miti Laze, të cilët e donin këngën duke u afruar me Kilin si hedhës dhe mbajtës të këngës iso popullore myzeqare.
Në ato vite të vështira, kënga e Kilit do të shpërthente nga gjoksi i tij djaloshar si ajo gurra e ujit qe rrjedh nga gjoksi i malit, apo si llava e vullkanit që përpin gjithçka. Këngët më të preferuara të tyre ishin ato të trashëguara nga të vjetrit, por mjaft të bukura. Ato flisnin për dashurinë, për jetën dhe për një të ardhme më të mirë. Siç do të shohim më poshtë:
Seç u mbyt një zog në lumë,
Korba unë, qyqja unë,
S’qënka zog, por qënka pulë,
Qënka dhespoti me vulë.
Ndërsa kënga:
Po bëjmë një urë në lumë,
Të shkojne “ turqë” e kaurë,
Të shëndoshë e të sëmurë.
Ka një përmbajtje të thellë filozofike për kohën kur atëhere pushtuesit turq propogandonin ndasitë midis të krishtereve (si grekë) dhe myslimanëve si turq, kur të dy palët ishin shqiptar në gjak, tradita e zakone. Këtë e bënte për të futur përçarje edhe urrejtje midis shqiptarëve të cilëve vetë iu ishin imponuar prej tyre.[3]
Pra, kënga e Kili Danos përcillte në popull harmoni, dashuri dhe unitet, pasi ne jemi një popull të një gjuhe e te nje gjaku. Dhe këngë të tjera:
O kjo anë e lumit,
Ka bilbila shumë,
………
Frynë veriu nga deti, nëno
O, më rrëzoi shaminë.
…….
Ishin nja dy djem, moj nëno,
O, njëri ish bandillë…
Merr kotruven shko për ujë,
N’daç në pus, n’daç në lumë.
Dhe kenga tjeter:
Ç’janë këto llafe moj xhane,
Që dalin nga fshati…
etj.
Sigurisht këto këngë këndoheshin të papërpunuara, ashtu siç i kishin kënduar të parët e tij, por që në brendi kishin zjarrin dhe prushin e dashurisë që sadopak ua ndiznin zëmrat e tyre, por edhe kapërcenin vështirësit e kohës, hallet, prapambetjet, nivelin e ulët dhe mënyrën e keqe të jetesës. Sigurisht, Sheqi apo gjithë fshatrat e tjerë jetonin nën mbretërinë e prapambetjes te shtëpive të ndërtuara me kallëmba, përdhese, e mbuluar me kashtë, në një mënyrë jetese të vështirë. Të gjitha këto ishin ndikime të sistemit të prapambetur feudal, të cilët as që investuan qindarka për përmirësimin e jetesës së popullit, e aq më keq të fshatarësisë. Ishte përiudha, kur luftohej për mbijetesë, për jetë a vdekje.
Duhet theksuar, se Kili me këngët e tij filloi të bëhet i njohur jo vetëm në Sheqin e Madh, familjet të cilat e thërrisnin nëpër ceremoni gëzimesh, fejesa e dasma, por dalngadalë, ai u bë i njohur edhe më gjerë në fshatrat e Myzeqesë, si në Frashër, Sheqishte, Vajkan, Grecalli, Libofshë, Marinëz, ku aty u njoh dhe u lidh me kengëtarin virtuoz, Joti Priftin, me të cilin ishin dhe moshatarë. Aso kohe nuk egzistonin tribuna e skena. Skena për Kilin dhe gjithë këngëtarët e tjerë myzeqarë e më gjerë ishin odat e shtëpive, tendat poshtë pemëve te oborrit të shtëpisë, hija e mënit apo e hardhisë.
Ndërkohë, Kilin e gjejmë të takohet shpesh edhe me këngëtarët e qytetit të Fierit, si Vangjel Lulen, Tun Papuçiun, Kozma Lulen, Llambi Panon, Kiu Poron, Bushi Bego, Jani e Sili Paloli, Thoma Poron, Vasil Tasen, Llazi Spiron e Shënpjetrës, Jani Bakallin (dëshmor) etj.
Bukur i përshkruan mjeshtri i këngës popullore qytetare, Timo Lule, çastet kur ditën e martë, që ishte ditë pazari, në të thyer të ditës, këngëtarët e qytetit uleshin shoqërisht përpara pragjeve të dyqaneve, këmbëkryq e në rrogoza të shtruar, nën dritën e zbehtë të llambave të vajgurit, të vendosura jashtë mureve të dyqaneve, ia merrnin këngëve të ndryshme e të bukura popullore të qytetit.
Më poshtë, Timo Lule, shkruan: “Këtyre këngëve, në ambjente e grupe ku zhvilloheshin, ia shtonin madhështinë e tyre dhe pjesëmarrja e shumë këngëtarëve me zë të kohës.”
Përgjithësisht, numrin më të madh e më interesant në repertorin e këngëve në Myzeqe e më gjerë e përbënin rituali i dasmës. Këngët e dasmës dilnin si një nga realizimet më tipike në vlerat tradicionale. Duke iu referuar kujtimeve të bashkëkohësve, por edhe punës së bërë nga familjarët, kjo gjini, ky rit, u ruajt më së miri deri në ditët e sotme, e veçanërisht ne myzeqe e sidomos në danollarët dhe pasardhësit e tyre, dëshmitarë kam qënë edhe vetë.
Me bashkeshorten e tij, Pulien rriten, edukuan tre djem dhe tre vajza: Kriston (i lindur, më 4.02.1920), Vangjelin (i lindur, më 12.02.1925) dhe Nikollaqin (i lindur më 10.02.1934) dhe vajzat, Gora, Llamba, (Urania, mbesa e adoptuar).

Tre djemtë pasuan rrugën e bukur të këngës të trashëguar nga i ati. Ndërsa Vangjeli dhe Nikollaqi, krahas punës si punëtor në Komunale e Azotik, vazhduan rrugën e bukur të këngës popullore myzeqare, duke u bërë zërat më të njohur e më të dashur jo vetëm në Myzeqe, por më gjerë, në Festivalet Folklorike, që zhvilloheshin jo vetëm në rrethin e Fierit, por dhe në Festivalet Kombëtare në Gjirokastër e deri në Kosovë, të cialt u etiketuan nga populli si “Bilbilat e Sheqit”.
Në Festivalin Foklorik të Gjirokastrës të vitit 1978, ndodheshin edhe studiues folklorikë nga vende të ndryshme të botës. Merrte pjesë dhe kryeministri i Shqipërisë i asaj kohe, Mehmet Shehu.
Jehona e këngëve i dha zjarr nga të gjitha anët e kalasë së lashtë dhe e përcjell në çdo skaj të vendit dhe botës jashtë, nëpërmjet valëve të RTSH-së dhe ato të radiove vendore. Në festival kryqëzoheshin tingujt dhe meloditë muzikore dhe shumëngjyrëshe të trevave të Shqipërisë. Virtuoziteti i këngës se tyre, qëndronte në transmentimin në brezat te ndjenjat artistike të popullit punëtor e të urtë myzeqar.
Një këngë e grupit të Fierit, solli vegime tronditëse të jetës në të kaluarën, ku populli këndonte me dhimbje. “Bluaj o mokërr, misrin kokërr për kokërr”, e cila u këndua ashtu siç ishte kënduar dikur. Si edhe kënga tjetërmyzeqare e grupit të Fierit, “Nëna pa bukë të rriti ty”, ku në thelb jepet dhimbja e një djali të rritur me halle, por trim, që vret beun e që gjakoset nga qehallarët e tij.
Në përfundim, rrethit i Fierit mori çmimin e tretë të festivalit dhe meritoi 6-te diplloma dhe 4 fletë lavdërimi. Vëllezërit, Dano u vlerësuan me Dipllomën e Festivalit.
Rreth viteve 40-të, erdhi në Fier një grup etno-muzikor të shoqërisë “Odeon”, i cili regjistroi rreth 7 këngë të Kili Danos, të cilat ruhen edhe sot nga nipërit dhe mbesat e tij, siç është kënga mjaft e bukur “O bilbil sakat, sakate” dhe “Llazorja”.
Interesim të madh për këngët e Kili Danos shfaqën edhe studius të Institutit të Foklorit në Tiranë, të cilët aty nga viti 1950 erdhën në Fier, ku regjistruan rreth pesë këngë të Kilit dhe të mbështetur si hedhës i këngës nga i biri i tij, Kristua, atëhere 30-vjeçar.
Këngët e regjistruara ruhen edhe sot pranë familjes. Midis tyre janë: Mbani zë ju more shokë; Ç’jam i porositur-o.; Osman Subashi; Trëndafili qesh e los; Sa me lajka vallen-o, etj.
për këta këngëtarë virtuoz e të mirënjohur, në gazetën “Drapër e Çekan”, të datës 10 nëntor 1983, f. 4, shkruhej: “U dalluan sidomos vëllezërit Dano, për interpretim me mjeshtëri të lartë të këngës “Bukuroshe e Strumit”.
Ndërsa gazeta “Bashkimi” e datës 8 tetor 1983, fq.3, theksontë: për virtuozitetin e lartë interpretus të iso polifonisë myzeqare të vëllezërit, Vangjel e Nikollaq Dano. Kënga tek këta punëtorë, është bërë pjesë e jetës së tyre.”
Juria e festivalit, vëllezërit Dano i vlerësoi me titullin e larte “Laureat i Festivalit”. Ndërsa studiuesja, Naunka Lëngu, në librin “Dasma në Myzeqe”, shkruan: “Është rast i rrallë në Myzeqe, që një familje e tërë, të përfshihen në një grup të veçantë të këngës popullore, si ai i familjes, Dano, në Sheqin e Madh, në Fier.që për rreth 100 vjet ata mbajtën ndezur shpirtin patriot e të pastër të myzeqarëve duke ua lehtësuar sadopakë hallet dhe shqetësimet në vatrat e tyre duke iu kthyer gëzimin dhe buzëqeshjen. Ata sotë nuk jetojnë, por pas kanë lënë një emër dhe trashgimni të pasur në folkun popullor të “iso” polifonisë myzeqare.



















