KOMBËTARJA/ Flet për “Telegraf” specialisti i futbollit Agim Canaj, ja parashikimi për Superioren
Agron KAJA

Java që po mbyllim ka qënë e ngarkuar. Kombëtarja dhe Kupa tani! Kampionati, si ndikon kjo ngarkesë te skuadrat?
Ajo që unë shoh gjithmonë, kjo është në favorin e skuadrave. Sepse ekipet ato i kanë organizuar me vonesë, dhe kjo periudhë u dha mundësinë trajnerëve për njohje, njëherësh edhe atyre që u rikuperiuan. Me Kombëtaren pak ishin.
Kombëtarja fitoi miqësoren me Jordaninë, është një kolaudim për dy ndeshjet e fundit në Grupin K?
Do të thoja se Kombëtarja na bëri krenarë në fitoren me Serbinë, fitore për gjithë shqiptarinë. Na vendosi në bankoprovë që u menaxhua mirë. Me Jordaninë ishte si një ndeshje kontrrolli, për të vëzhguar disa lojtarë që mendohen të afrohen.
Nga Superiorja shqiptare u aktivizuan dy lojtarë: Dajsinani dhe Aliji, sa nivel treguan të dy?
Portieri Dajsinani ka ardhur në nivele të larta, këtë e tregoi me Jordaninë. Tashmë porta e Kombëtares ka dy porterë të sigurtë. Edhe Aliji luajti mirë, sepse ai është lojtar i pjekur, nuk është lojtar i ri. Ka luajtur edhe më parë me Kombëtaren.
Tashmë futbolli shqiptar rikthehet pas dy javëve, çfarë presim në Superiore?
Unë them se Abissnet Superiore ka rivalitet, dhe nuk mund të veçohen skuadrat. Kanë diferenca shumë të vogla, këtë e kemi parë në gjashtë javët e luajtura. E quaj një kampionat ende të pa kolauduar, sepse kanë shumë lojtarë të huaj në përbërje.
Si e përshkruani në tërësi kalendarin e javës së 7-të të Superiores?
Do ketë suprpriza në këtë javë, sepse asnjë skuadër nuk ka garanci, përderi sa themi se janë ende të pa koaluduara. Dinamos, Egnatias e Vllaznisë i jap më shumë garanci. Janë skuadra të investuara dhe cilësinë e lojtarëve e kanë të mirë.
Nga të gjitha ndeshjet e kësaj jave, sfida Egnatia-Dinamo City, e merr statusin e kryendeshjes së javës?
Patjetër! Sepse Egnatia duhet respektuar si kampione në dy sezone rresht. Në ndeshjet e para sikur u luhat, por katër fitoret radhazi e tregojnë nivelin e mirë.
Dinamo erdhi nga ndeshjet në Europë, por e ka marrë veten. Ndaj kjo mbetet si kryendeshje e javës, 50 me 50.
Po ndeshja në Vlorë mes Flamurtarit dhe Partizanit, mbetet një “derbi” në fundin e renditjes?
Edhe unë e shoh të tillë 50 me 50, sepse nuk shikohet historia, por realiteti i tyre në renditje. Gjëndja e tyre ka lëvizur edhe bankinat, dhe të dyja skuadrat janë në momente të vështira. Kampionati matet me pikë, jo me fjalë. Një ndeshje e hapur.
Nisur nga renditja, mund të themi se në grupin e skuadrave për zonën “Final 4” ka ngjeshje të disa skuadrave?
Skuadrat si, Vllaznia, Egnatia, e Dinamo do jenë në zonën “Final 4”, ndërsa skuadra tjetër mendoj se do dalë mes AF Elbasanit e Teutës, ku kjo e fundit nuk ka asnjë humbje në këto javë. Them se kjo javë do japë drejtim për këto skuadra.
Nëse së bashku do vendosnim një skedinë për javën e 7-të, ju si e sillni “bastin” tuaj?
Nuk shquhem për baste, por teknikisht, parashikimi im është një fitore Tiranës me Teutën. Ndërsa e parashikoj 50 me 50 çiftin Egnatia-Dinamo, dhe fitore të AF Elbasanit me Vorën. Bylisi është i vështirë në Ballsh, por barazimi është i mundshëm. Edhe në Vlorë mendoj barazimin te Flamurtari-Partizani.
Te Elbasani i sëmurë, Zhoel “shërrohet” tek Teuta
Edhe pse periudha e merkatos është mbyllur, në Superioren shqiptare ndodh e kundërta. Sepse dje ka ndodhur një transferim, ku sulmuesi Zhoel Duku ka firmosur me Teutën, pasi Elbasani e largoi për probleme me zemrën. Ndërsa dje ai ka zyrtarizuar një tjetër lëvizje, duke kaluar te “Djemtë e detit”. Sulmuesi Zhoel Duku ka qenë edhe pjesë e Egnatias ku ka dalë kampion, si edhe e Elbasanit, ku ka ndërruar vendet me Leo Melon. Në testet mjeksore, Zhoel nuk ka shfaqur probleme shëndetësore.

ABISSNET SUPERIORE
SEZONI 2025-2026
Ndeshjet-Java e shtatë
E shtunë, 18 tetor 2025
Bylis-Vllaznia 14:00
Tirana-Teuta 17:00
Egnatia-Dinamo City 17:00
E dielë, 19 tetor 2025
Flamurtari-Partizani 17:00
AF Elbasani-Vora 17:00
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Vllaznia 6 13
2.Egnatia 6 13
3.AF Elbasani 6 11
4.Teuta 6 10
5.Dinamo City 6 10
6.Vora 6 7
7.Bylis 6 6
8.Tirana 6 5
9.Partizani 6 4
10.Flamurtari 6 2
NDESHJET SOT
Bylis-Vllaznia
Portieri Pohls e quan sfidë për kreun dhe fundin

Ditën e djeshme, nga skuadra e Vllaznisë e kishte radhën portieri gjerman Leon Pohls, që të fliste para mediave, një ditë para takimit në transfertë ndaj Bylisit. Duke treguar për gjendjen e skuadrës, 28-vjeçari u pyet ndër të tjera për transfertën në Ballsh, të cilën ai e quajti një sfidë për të dyja skuadrat. “Është një eksperiencë e re për mua në Ballsh, sepse nuk kam luajtur më parë atje. Kam dëgjuar që është fushë e vështirë dhe ka shumë fansa atje, por ne jemi përgatitur gjatë gjithë javës, si nga ana psikologjike për këtë ndeshje, ashtu edhe në atë fizike. Ambicia jonë është që në Ballsh të marrim fitoren, ndaj mbetet një sfidë për të dyja skuadrat”.
Tirana-Teuta
Trajneri bardheblu e quan provë rikonfirmimi

Trajneri i Tiranës, Roberto Bordin, ka folur dje para ndeshjes ndaj Teutës. Tekniku italian tregoi për situatën aktuale të bardhebluve, ndërsa ndaj Teutës që do të luhet sot në stadiumin “Air Albania”, prej orës 17:00, sipas tij është ndryshe nga ajo në “derbi” me Partizanin. “Pushimi dy javor për ndeshjet e kombëtares për Tiranën ndikoi për mirë, sepse na ndihmoi në punën tonë në aspektin fizikisht të lojtarëve. Javën e parë kemi punuar shumë fizikisht, ndërsa në javën e dytë kemi filluar të përgatisim ndeshjen me Teutën. Është një ndeshje shumë e vështirë dhe ndryshon shumë nga “derbi” me Partizanin. Por ne do mundohemi të bëjmë më të mirën”.





















