Alida Hisku: Artistët janë vlerat e ndërgjegjësimit kombëtar

722
  • Flet këngëtarja e mirënjohur Alida Hisku: Shteti duhet t’i kthejë më shumë sytë nga arti dhe artistët ata janë ndërgjegja e kombit.
  • “Festa e Këngës Shqiptare” një eveniment që shteti nuk mund ta realizojë
  • -Festivalet e RTSH e kanë humbur shkëlqimin e dikurshëm
  • – Në monizëm nëse nuk kishte zë nuk të afronte askush as për bukuri, as për fustane, as për t’u tundur.
  • -Për një këngë kaloje në disa komisione në disa standarte kërkesash
Sigal

Gazeta Telegraf

Sa herë e ftojnë në aktivitete Alida Hiskun dhe pse 32 vjet në Gjermani nuk heziton të vijë. Edhe këtë radhë situata e Pandemisë nuk e pengoi të jetë pranë evenimentit “Festa e Këngës Shqiptare” të organizuar nga Gjergj Leka. Ky Festival në të dy vitet solli një lloj tjetër organizimi dhe konceptimi. Ishtë një koncert jashtë klisheve dhe që ofronte një trashëgimi brezash. Sipas Hiskut evenimente të tilla shteti nuk mund t’i organizojë, pasi stafet që ata përcaktojnë për evenimente të tilla janë të politizuar dhe jo profesional. “Festa e Këngës Shqiptare”  2 u zhvillua në datat 30 dhe 31 në Baldushk tek “Farma Buxheli”.

-Kohë Pandemie dhe ju sërish nuk hezituat të vinit në “Festa e Këngës Shqiptare”. Patët problem gjatë kalimit të kufirit nga Gjermania në Shqipëri?

-Unë asnjëherë nuk kam munguar dhe asnjëherë nuk do të mungoj në evenimente të tilla, sepse janë shpirti ynë, janë zemra jonë, janë investimi ynë në vite. Pandemia ka punën e saj, por nëse zbaton rregullat nuk ka probleme. Unë në Gjermani kam zbatuar të gjitha kërkesat dhe rregullat shtetërore ndaj nuk kisha asnjë problem gjatë kalimit të kufirit: kalova natyrshëm dhe pa asnjë problem.

-“Festa e Këngës Shqiptare” tashmë një eveniment me shumë prestigjoz, si do ta komentonit ju këtë, sidomos kur ka shumë kohë që muzika shqiptare është në krizë nga Pandemia?

 

Është hera e dytë që shumë këngëtarë shqiptarë nga të gjitha anët e botës ku kanë mërguar vijnë në Tiranë për “Festa e Këngës Shqiptare”. Duke pasur parasysh këtë fakt atëhere them me bindje që “Festa e Këngës Shqiptare”  tashmë është kthyer në një traditë. Hera e parë ishte e suksesshme dhe tani hera e dytë edhe më e suksesshme. Organizimi i këtij eventi mori formë në sajë të punës këmbëngulëse dhe profesionale të Maestro Gjergj Leka. Unë kam marrë pjesë në shumë evenimente muzikore, por “Festa e Këngës Shqiptare” ka një fytyrë tjetër, një mënyrë tjetër komunikimi, një mënyrë tjetër të perceptimit të situatave. Sigurisht Gjergj Leka ka afruar rreth vetes dhe një staf profesional ku së bashku me bashkëshorten Erisa dhe bashkëpunimin me televizionin “Neus – 24” suksesi do të ishte bindshëm. “Festa e Këngës Shqiptare 2” u zhvillua në datat 30 dhe 31 në Baldushk tek “Farma Buxheli” në një ambient fantastik që të shtynte në imagjinatë.

-Sa netë zgjati “Festa e Këngës Shqiptare”  dhe si ishte ideuar paraqitja e këngëtarëve?

Ajo që ra në sy ishte se “Festa e Këngës Shqiptare”  u zhvillua në dy netë ,që dallonin, por dhe bashkoheshin në një të vetme. Natën e parë intepretuan këngëtarët e rinj ku u ndanë dhe çmime ndërsa në natën e dytë ishin vetëm këngëtarët me përvojë të gjatë artistike. Pra ishte një gërshetim brezash, një gërshetim zërash, mendimesh, idesh dhe konceptimesh në emër të një progresi të muzikës shqiptare.

-Cilat ishin të veçantat e “Festa e Këngës Shqiptare”?

Së pari orkestrimi ishte i veçantë. Një orkestrim  profesional që regjia e lidhte aq bukur me intepretimin. Së dyti në dy ditë dhe netë pati shkëmbim eksperiencash mes brezave të këngëtarëve; eksperiencë që përfiton dhe pse mund të kesh vite në skenë. Së treti ishte fryma që solli ky koncert, dëshira për të mos e lënë këngën në harresë pavarësisht situatave që po kalon bota. Njëherazi ky koncert tregoi që kur është dëshira e mirë, qëllimi i mirë, mirëkuptimi dhe profesionalizmi del mbi partitizmin dhe miqësitë suksesi është i padiskutueshëm. Në këto dy ditë e netë ne kënduam, u argëtuam, diskutuam dhe sollëm para publikut shqiptar një performancë të re. Sollëm një frymë të re bashkëpunimi dhe organizimi larg politikës dhe shernajave të tyre.

-Çfarë ofroi “Festa e Këngës Shqiptare”  për këngëtarët e rinj?

Për mua ky organizim për këngëtarët e rinj ishte një test, por edhe një shtysë apo nxitje në rrugëtimin e tyre. Pra ata sollën kompozime të reja të tyre, sollën edhe tekstet e tyre dhe e promovuan veten edhe si këngëtarë edhe si kantautor. Kjo është një dritare e madhe për ta pasi hapësira të tilla nuk i gjen në organizimet simotra. Ndër këngëtarët e rinj veçoj Leandra Godaj, nxënëse e Alma Strazimirit dhe Iris Sula nxënëse e Zina Zdrava, Paolina Pajollari, etj…

-Nga këngëtarët e gjeneratës suaj kë do përmendje?

Janë shumë, si Bashkim Alibali, Rajmonda Kamberi, Elida Shehu, Bahri Rusja,Dhimitër Disho, Liljana Kondakçi. Pra ishin zëra që kanë lënë gjurmë në muzikën shqiptare, që sollën këngët e vjetra por të ripunuara, të sjella në kohë. Tek ata bie në sy thjeshtësia, profesionalizmi, përgjegjshmëria dhe dëshira për të ndihmuar të rinjtë.

 

-Ju keni marrë pjesë në shumë Festivale të RTSH, si janë në syrin tuaj Festivalet e fundit dhe a ka risi?

Unë kam marrë pjesë në afërsisht në 25 Festivale, kryesisht në monizëm dhe nëse bëj krahasimet diferenca është e madhe. Dhe pse ai sistem më dënoi dhe kam shumë rezerva në drejtim të artit, të muzikës, në drejtim të aktiviteteve muzikore kishte organizim, përgjegjësi profesionalzëm. Nëse nuk kishte zë nuk të afronte askush as për bukuri, as për fustane, as për t’u tundur. Zëri, kënga ishte e para. Për një këngë kaloje në disa komisione në disa standarte kërkesash dhe nëse nuk ishe e aftë të ishe e bukura e dheut as kishe shans të shkoje në Festivalet e RTSH. Edhe teksti kalonte në filtra që si mendon. Sot ka këngë me tekst vetëm me dy fjalë.

-Çfarë mesazhi dha ky koncert?

Dha një mesazh të fortë, që shteti e ka harruar këngën, traditën muzikore, por nëse egziston dëshira e mirë me pak lekë bëhen gjëra të mëdha. Politikës i duhen këngëtarët vetëm në fushata dhe më pas i harrojnë. Shteti nuk e ka problem të organizojë aktivitete të tilla me pak shpenzime, por nuk i bëjnë se nuk përfitojnë materialisht. Shteti duhet t’i kthejë më shumë sytë nga arti dhe artistët, sepse ata janë ndërgjegja e kombit.