Aktorit Mirush Kabashi i jepet titulli “Qytetar Nderi” i Durrësit

11
Sigal

Bashkia e Durrësit miratoi ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi” aktorin e mirënjohur të teatrit dhe kinemasë shqiptare, Mirush Kabashi (pas vdekjes).

Sot në qytetin e Durrësit u organizua ceremonia e dhënies së titullit për aktorin Mirushin Kabashi.

Aktori i mirënjohur i teatrit dhe kinemasë shqiptare, Mirush Kabashi ndërroi jetë më 5 dhjetor të 2023 në moshën 75-vjeçare.

Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër, por u rrit në Durrës. Origjina e tij ishte nga Gjakova. Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare ndërsa numërohen rreth 100 role në teatër dhe filma.

Kabashi në Festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste 1989 u shpall “Aktori më i mirë” me rolin e Sadush Nezirit te komedia “Hija e tjetrit” e Ruzhdi Pulahës. Po me këtë rol, në Festivalin Teatror Ballkanik të zhvilluar në Korinth të Greqisë, u vlerësua si ndër aktorët më të mirë. Në vitin 2002 fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist në Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002” me rolin e Nokës në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” e Ilir Bezhanit.

Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë”, si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzetegjashtë vende të botës.

Kabashi është vlerësuar me titujt “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.