U përplas për vdekje nga shoferi i dehur, kjo është 24-vjeçarja që humbi jetën pas 5 ditësh në koma

11
Sigal

Kjo është 24-vjeçarja e cila u nda nga jeta ditën e djeshme, pasi nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra nga një aksident në aksin rrugor “Prrenjas-Qafë Thanë”.

E reja ndërroi jetë ditën e djeshme  në spitalin e Traumës në Tiranë aty ku dhe prej 5 ditësh ndodhej në koma. Bashkë me viktimën, mbetën të plagosur dhe tre anëtarë të familjes.

Aksidenti i rëndë u shënua mesditën e 9 prillit në aksin Prrenjas-Qafë Thanë ku si pasojë mbetën të plagosur anëtarët e familjes Pishkashi.

Familja me 6 anëtarë kishin ndaluar në ambientet e një lokali rreth 30 m larg rrugës dhe kishin dalë nga mjeti i tyre, kur për një moment automjeti me drejtues shtetasin Jetmir Daci ka humbur kontrollin duke marrë para të gjashtë anëtarët e familjes Pishkashi.

Si pasojë e aksidentit mbeti e plagosur rëndë 24-vjeçarja, e cila më 13 prill humbi jetën, ndërsa vajza tjetër e familjes 10 vjeç nga përplasja e fortë theu këmbën e po ashtu motra tjetër më e vogël, 6 vjeç, pësoi fraktura të shumta. I plagosur mbeti edhe kryefamiljari, Artan Pishkashi.

Ndërkohë, dëshmitarët treguan më herët se mjeti i cili drejtohej nga 44-vjeçari Jetmir Daci ka humbur kontrollin pas një parakalimi të gabuar dhe si pasojë ka përfunduar më pas jashtë rruge duke shkaktuar dhe aksidentin tragjik. Ai iu nënshtrua testin të alkoolit dhe rezultoi se në momentin e aksidentit ka qenë i dehur në nivelin 0.40 mg/l.

Artan Pishkashi ishte kthyer në Shqipëri për një arsye familjare, teksa është përballur me këtë aksident të rëndë dhe fatkeqësisht dhe humbjen e vajzës së madhe të familjes.