Skeleti i gjetur nga policia greke i përket një shqiptari

146
Sigal

Skeleti i gjetur një ditë më parë në afërsi të një rruge në Theba në Greqinë qendrore i përket një shqiptari. Mediat greke shkruajnë se në rrobat e tij është gjetur një dokument identifikimi. Për shkak se ishte prej plastike ai nuk është kalbur.

Megjithatë mediat greke dhe autoritetet nuk e kanë bërë të ditur identitetin. Kjo derisa të kryhet analiza e ADN-së. Sipas të njëjtave burime shqiptari kishte pasur të shkuar kriminale dhe kishte qëndruar për një periudhë kohe në burgun e Patras.

Ai ka qenë i dënuar për çështje droge dhe ishte liruar nga burgu në vitin 2011. Nga ajo kohë nuk kishte më të dhëna në regjistrat e policisë.

Skeleti u gjet rreth 8 metra larg një rruge fshati dhe sipas dyshimeve të para ngjarja ka qenë kriminale. Dyshohet se ai është vrarë dhe trupi është groposur në një vend ku mendohej se nuk do të gjendej. Megjithatë do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore ajo që do të përcaktojë shkaqet e vdekjes.

Në vendin e ngjarjes ndodhej edhe një shqiptar që u tha gazetarëve se dyshonte që viktima ishte vëllai i tij me të cilin kishte rreth 1 muaj që kishte humbur gjurmët.