Akti heroik i Roland Aliut, shqiptarit që hyri mes flakëve për të shpëtuar një 8-vjeçar në Poiters të Francës nuk ka mjaftuar që i riu t’i shpëtojë urdhrit për dëbim nga territori francez.
Shumë banorë të zonës e kanë cilësuar si një vendim të padrejtë e për këtë arsye në mbështetje të tij, është paralajmëruar një tubim i cili do të mbahet përballë prefekturës në 7 janar.
Roland Aliu shpresonte se do të merrte lejen e qëndrimit në Francë, për të cilën kishte nisur procedurat qysh më herët, por më 9 dhjetor, autoritetet franceze e njoftojnë se ai së bashku me familjen e tij kanë një muaj kohë për t’u larguar nga territori francez.
Vendimi për dëbim nuk prek vetëm Rolandin. Së bashku me të, nëse protesta e 7 janarit nuk do të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve, do të kthehen drejtë Shqipërisë prindërit dhe vëllai i tij.




















