Shkaktoi aksident në gjendje të dehur, arrestohet pogradecari

38
Sigal

Një 32 vjeçar është arrestuar këtë të mërkurë në Pogradec pasi ka shkaktuar aksident në gjendje të dehur.

Në pranga ka rënë shtetasi me iniciale L. M., pasi duke drejtuar automjet tip “Opel” ka humbur kontrollin dhe ka shkaktuar aksident. Fatmirësisht janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

“Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban të DVP Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit L. M., 32 vjeç, banues në Pogradec, pasi në aksin rrugor “Pogradec-Qafë Thanë”, në afërsi të fshatit Memlisht, Pogradec, ky shtetas duke drejtuar automjetin tip “Opel”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Pas kryerjes së testit të alkoolit, rezultoi se 32-vjeçari, drejtonte automjetin në gjendje të dehur”,- njofton Policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.