Shembet tuneli i HEC-it, vdes turku dhe 2 shqiptarë

484
Sigal

MIRDITE:- Një incident i rëndë me tre viktima, mes të cilëve dy shqiptarë dhe një shtetas turk ka ndodhur në galerinë e Hidrocentralit të Reps të Epërm, në rrethin e Mirditës. Ngjarja ka ndodhur në orën 21:05 të mbrëmjes së djeshme, ndërsa mësohet se në momentin e ngjarjes, tri viktimat, kanë qenë duke punuar në tunelin me gjatësi 2000 metra. Viktimat janë Pjetër Doda nga Fani, Ndue Legisi nga fshati Shebë, ndërsa është mësuar vetëm emri i shtetasit turk i cili quhet Hasan. Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta, shpëtimi, policie dhe autoambulancë, që kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupave nga thellësia e galerisë, dhe transportimin e tyre në morgun e spitalit të Rrëshenit. Shkak për ngjarjen e rëndë mendohet të jenë kushtet e vështira në të cilat 3 viktimat punonin. Në galerinë e HEC-it në Qafë Mollë, në momentin e incidentit mësohet të kenë qenë edhe punëtorë të tjerë, madje një person i katërt ka mbetur i dëmtuar lehtë dhe ka qenë ai i cili ka bërë të mundur edhe njoftimin e ngjarjes në fjalë. Shkaku i shembjes së tunelit të HEC-it, ka qenë rrëshqitja e një masivi të madh të shkëmbor në momentin që po bëhej gërmimi. Megjithatë, deri në këto momente policia nuk ka dalë akoma në një version zyrtar. Shpeshherë ka pasur protesta të punëtorëve, kundër kontraktorëve turk që po ndërtojnë HEC-in e Repës për kushtet e vështira që punojnë. Firma turke kishte 2 vite që kishte fituar koncesionin për ndërtimin e HEC-it dhe punëtorët i detyronte të punonin me orar te zgjatur, duke ulur edhe eficensën e tyre. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen.