Përgjaket vendi, gjenden të vrarë dy vëllezërit Olldashi. Ishin zhdukur prej 3 ditësh

362
Sigal

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Maliq, ku sipas raportimeve flitet për dy viktima. Dy vëllezër janë gjendur të vrarë me armë zjarri, në afërsi të vendit të quajtur “Kisha e vogël”, në fshatin Zvirinë të Maliqit.

Bëhet fjalë për Andrea dhe Martin Olldashin, dy persona që rezultojnë me precedentë penalë. Andrea Olldashi ka qenë disa herë me burg për vjedhje, kryesisht banesash. Sipas denoncimit të familjarëve, prej 2 ditësh vëllezërit nuk ktheheshin në banesën e tyre.

Forcat Operacionale të DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Maliq, janë duke krehur zonën. Gjithashtu, janë shoqëruar në Polici disa persona për t’u marrë në pyetje nëse kanë dijeni apo jo në lidhje me këtë ngjarje.

Njoftimi i Policisë së Shtetit

Më datë 10.12.2020, rreth orës 11:50, në fshatin Zvirinë, në afërsi të vendit të quajtur “Kisha e vogël”, janë gjetur të pajetë, trupat e vëllezërve A. O., 33 vjeç dhe M. O., 31 vjeç, banues në Pogradec, të cilët dyshohet të kenë humbur jetën si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit. Këta shtetas, ishin larguar nga banesa e tyre që prej mbrëmjes së datës 07.12.2020.

Në lidhje me këtë ngjarje menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, me ekspertët më të mirë të Policisë Kriminale të strukturave hetimore në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë.

Forcat Operacionale të DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Maliq, janë duke krehur zonën, gjithashtu janë shoqëruar në Polici disa persona për t’u marrë në pyetje nëse kanë dijeni apo jo në lidhje me këtë ngjarje. Po ndiqet itinerari i lëvizjeve dhe po kryhen një sërë veprimesh hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje si edhe kapjen e vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve.