Paligjshmëria/ Policia arreston 18 persona, 6 shpallen në kërkim

431
Në të gjithë vendin, Strukturat e Policisë së Shtetit kanë vijuar punën për “Parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme”, konkretisht në parandalimin dhe goditjen e vjedhjes së energjisë elektrike, në parandalimin e ndërtimeve të paligjshme, prerjen e paligjshme të pyjeve, si dhe organizimin e lotarive të palejuara. Sipas policisë, në drejtim të parandalimit dhe goditjes së vjedhjes së energjisë elektrike në të gjithë vendin kanë vepruar në terren 75 grupe të përbashkëta POLICI-OSHEE. Janë kryer 2.765 kontrolle në terren. Gjatë kontrolleve u evidentuan 43 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 43 autorë. Nga këta, 12 autorë janë arrestuar në flagrancë, 4 autorë janë shpallur në kërkim dhe 27 autorë ndiqen në gjendje të lirë.
Në fushën e ndërtimeve të paligjshme, nga ana e Strukturave të Policisë së Shtetit në të gjithë vendin janë evidentuar 28 raste të ndërtimeve pa leje. Për këto raste janë evidentuar dhe proceduar 28 autorë nga të cilët, 4 autorë janë arrestuar në flagrancë, 23 autorë ndiqen në gjendje të lirë dhe 1 autor është shpallur në kërkim. Në kuadër të masave për parandalimin e prerjeve të paligjshme të pyjeve, në të gjithë vendin vijon operacioni “Roja i Gjelbër”, ku gjatë javës që kaloi në të gjithë vendin janë evidentuar 9 raste me 9 autorë, nga të cilët 2 janë arrestuar në flagrancë, 6 ndiqen në gjendje të lirë dhe 1 është shpallur në kërkim. Ndërsa në fushën e organizimit të lotarive të palejuara, Policia e Shtetit ka evidentuar 6 raste me 6 autorë, të cilët ndiqen në gjendje të lirë. Edhe në javët në vazhdim, Strukturat e Policisë së Shtetit do vijojnë punën për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme.
Sigal