Himarë, pranga ish-drejtorit të Urbanistikës, dha 72 leje antiligjore

444
Sigal

VLORE – Policia e Vlorës ka arrestuar ish-Drejtorin e Zyrës së Urbanistikës së Bashkisë së Himarës, Nikollaq Capi, 62 vjeç, i akuzuar për shpërdorim detyre, për dhënien e lejeve të ndërtimit në mënyrë të jashtëligjshme për 72 kërkesa nga subjekte të ndryshme private. 
 
Mësohet se ndaj ish-zyrtarit 62 vjeçar, Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”. Sipas policisë, arrestimi i Capit, ka ardhur pasi nga hetimi disa mujor nga ana e Strukturave kundër Krimit Ekonomik në Policinë e Vlorës, i cili ka nisur në bazë të kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, prokuroria ka krijuar dyshime të arsyeshme për shpërdorim detyre nga ana e ish-zyrtarit të Bashkisë Himarë.
 
Sipas Prokurorisë, nga studimi i 72 praktikave të lejeve të ndërtimit ka rezultuar se në asnjë rast KRRT-ja e Bashkisë Himarë nuk ka miratuar studime pjesore të lidhura me këto lejë ndërtimi. Në dokumentacionin e administruar janë konstatuar në disa raste studime pjesore, por në asnjë rast këto studime nuk janë miratuar me ndonjë vendim të KRRT-së. 
 
Gjithashtu, destinacioni i shesheve të ndërtimit si dhe lejet e ndërtimit nuk janë miratuar në zbatim të ndonjë studimi urbanistik rajonal apo masterplani. Në bazë të shkeljeve të mësipërme, ish-drejtori i Urbanistikës në Himarë, tashmë do të duhet të përballet me akuzën e shpërdorimit të detyrës, gjatë periudhës që ai ka qenë në këtë post.