Dhuna në burgje, e kushtet Mesjetare ekspertë të KiE zbarkojnë në Durrës

497
Sigal

Inspektojnë dhomat e paraburgimit dhe qelitë duke dëgjuar ankesat e 294 personave

Dhuna e tepruar dhe pa asnjë shkak në dhomat e paraburgimit si dhe ajo e përdorur në qelitë e burgut të Drejtorisë së Policisë Durrës, duket se kanë qenë arsyet e ardhjes së një grupi ekspertësh nga KiE. Sipas burimeve nga Policia e Durrësit, “grupi ekspertëve ka nisur kontrollet dhe verifikimet në dhomat e paraburgimit, ku janë njohur nga afër me kushtet e jetesës së 294 personave të cilët kanë shprehur ankesat e tyre lidhur me trajtimin apo edhe dhunën e përdorur”. Ekspertët e KiE, kanë hyrë dhe prekur nga afër dhomat e paraburgimit, kushtet higjieno-sanitare, vendin, ku përgatitet ushqimi i tyre, janë njohur me kushtet dhe gjendjen mjekësore të të paraburgosurve dhe atyre që kanë muaj që gjenden në qeli, duke pritur vendimin e gjykatave. Aktualisht burgu dhe dhomat e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë Durrës janë ndërtuar qysh në vitin 1957 dhe janë riparuar për herën e fundit 10 vjet duke shtuar ndonjë qeli apo kthinë tjetër, pasi çdo vit rritej edhe numri i të arrestuarve. Pas vitit 1992, rritja e numrit të postave policore dhe komisariateve, ka lindur nevojën e ndërtimit të dhomave të reja. Fakti është se në dhomat e paraburgimit dhe qelitë e burgut, kapaciteti nuk i kalon 110 personat kur atje sot ndodhen rreth 290 të tillë. Mendo se kushtet higjieno-sanitare mungesa e ujit, lavanterisë, berberit, krevateve, apo e komoditeteve të tjera të nevojshme për një njeri qoftë ky edhe i privuar nga liria, është konkrete. Ekspertët e KiE, duke marrë shkas edhe nga ngjarja e fundit me një të paraburgosur, i cili jo vetëm ai por edhe familjarët e tij akuzuan policinë se, “kanë ushtruar dhunë në qeli duke krijuar pasoja të rënda mbi shëndetin e tij”, duket se janë shtruar “këmbëkryq” në Policinë e Durrësit. Gjatë ditës së parë të inspektimit, ata kanë shënuar në detaje gjithçka kanë parë në qelitë e moçme të cilave u mungon çdo element jetësor për njerëzit. Por sikur të mos mjaftonte kjo, atje duket se nuk mungon edhe dhuna, e cila ushtrohet mbi “të pabindurit”, duke u shkaktuar atyre trauma të pariparueshme. Pas kontrolleve dhe verifikimeve, ekspertet e KiE do të dalin me një raport të detajuar, i cili do t’i dorëzohet institucioneve të Ministrisë Brendshme të Drejtësisë, dhe institucioneve të Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut. KiE gjatë viteve të fundit, ka qenë iniciatore e nismave duke synuar rritjen e përgjegjësive institucionale për mbrojtjen e të drejtave të njeriut edhe në burgje. Por ajo nuk ka munguar të japë edhe fonde për riparimin apo edhe ndërtimin e dhomave të reja të paraburgimit, duke përfshirë në ndihmat financiare edhe kompletimin me kushtet normale të jetesës.

Dhomat e izolimit shpesh mbeten pa policë

Burime të sigurta nga policia thanë për “Telegraf”, se, “mungesa e policëve ka sjellë shpesh anomali tek efektivat që mbulojnë dhomat e izolimit dhe paraburgimit”. Prej disa ditësh dhomat e tej mbushura të izolimit kanë pasur mungesë policësh, madje, disa prej tyre duke pasur kushte tepër të vështira pune, kanë braktisur detyrën. Aktualisht struktura e caktuar mbulon me roje portat kryesore, burgun, dhomat e izolimit, parkingun e Rrushbullit, të Shkozetit dhe disa pika të tjera. Por mungesa e uniformave blu që shërbejnë në korridoret dhe ambientet e dhomave të izolimit dhe burgut, ka krijuar vështirësi serioze. Ata që deri dje janë larguar nga reforma apo kanë lëvizur nga njëra detyrë në tjetrën, tashmë po kërkojnë detyra në ngritje. Drejtoria e Policisë Durrës, mbulon me policë parkingjet e Rrushbullit dhe Shkozetit, ku aktualisht ndodhen qindra automjete të bllokuara pa përmendur ato që ndodhen në oborrin e komisariateve te saj. Çdo ditë atje shërbejnë tre ndërresa, po ashtu edhe tek pika të tjera ku ruhen skafet dhe gomonet e sekuestruara në port. Por pika më delikate mbetet gjithsesi ajo tek dhomat e izolimit, por edhe tek burgu. Mungesa e rojeve dhe e pranisë së uniformave blu, ka gjasa të sjellë shpërthime dhe ngjarje të paparashikuara, ndaj marrja e masave dhe blindimi i tyre mbetet detyrë urgjente e drejtuesve të uniformave blu. Dhomat e izolimit në Durrës prej disa vitesh vuajnë jo vetëm mungesën e kushteve minimale njerëzore, por edhe mbipopullimin e përhershëm. Çdo ditë policia e qytetit bregdetar ndalon 3 deri 5 persona, të cilët detyrimisht kalojnë disa orë apo ditë në dhomat e izolimit dhe paraburgimit.

Artur AJAZI