Ja si do hiqen nga qarkullimi makinat e para ’95-s

918
Sigal

Nxjerrja nga qarkullimi i makinave para ‘95-s, specialisti Sulçe: Karburanti, ndotësi kryesor dhe jo viti i prodhimit të mjeteve

Plani i Qeverisë për të nxjerrë jashtë qarkullimit automjetet e para vitit 1995, me synimin e uljes së ndotjes në mjedis, rikthen kohën e Byrosë Politike. Tashmë e lënë prapa, koha e diktaturës, kur vetëm Byroja Politike kishte luksin të bridhte me “Benza”, rrugëve të Shqipërisë, qeveria e sotme ka si synim ta rikthejë atë kohë, gjoja me qëllimin e uljes së ndotjes së mjedisit. Ky propozim që vjen nga Ministria e Mjedisit, në Strategjinë Kombëtare për Cilësinë e Ajrit të Mjedisit prek shumicën dërrmuese të drejtuesve të mjeteve motorike (familje shqiptare). Sipas kësaj Strategjie, tri janë propozimet e bëra: Heqja e pjesës më të vjetër të parkut të mjeteve; Diferencimi në taksim sipas viteve të mjetit; si dhe Programi për nxitjen e blerjes së mjeteve të reja. Por le t’i marrim me radhë këto propozime të qeverisë:

 Heqja nga qarkullimi i makinave para ‘95

 Heqja e pjesës më të vjetër të parkut të mjeteve penalizon familjet shqiptare, që i kanë blerë me shumë mund e djersë automjetet e tyre, si domosdoshmëri për lehtësimin e lëvizjes së tyre, duke përfshirë këtu arsye familjare, biznesi, apo pune. Ky propozim është shumë i gabuar sipas specialistëve, të cilët shprehen se mjetet motorike mund të dalin nga përdorimi kur nuk plotësojnë kushtet teknike dhe jo me vit prodhimi. Ndërkohë që në shtete të tjera të zhvilluara, ku edhe politikat për uljen e ndotjes së ajrit janë në vëmendjen e politikave të tyre, nuk e kanë me vit prodhimi nxjerrjen jashtë përdorimit të automjeteve. Duke iu referuar sërish vendeve të zhvilluara, automjetet e vjetra, të cilat nuk ndotin ajrin, jo vetëm qarkullojnë, po për to nuk ekziston as taksë, sepse i quajnë relike. Një tjetër arsye për të mos nxjerrë nga qarkullimi automjetet më të vjetra, specialistët japin edhe kilometrazhin e çdo automjeti. Një qytetar mund të ketë një makinë të vjetër, por del me makinë shumë rrallë, aq sa nuk plotëson kilometrat, as për ndërrimin e vajit të makinës. Specialistët i mëshojnë fort idesë se, Qeveria duhet më parë të kontrollojë cilësinë e naftës që tregtohet në Shqipëri, si ndotësja kryesore e ambientit. Nëse karburantet plotësojnë parametrat sipas standardeve europiane dhe nëse automjeteve, sado të vjetra të jenë, t’u bëhen shërbimet e zakonshme si, ndërrimi i filtrave, do bëjnë që në vendin tonë të qarkullojnë automjete që plotësojnë kushtet teknike. Specialisti Artur Sulçe në një prononcim për “Telegraf” në lidhje me këtë propozim të qeverisë shprehet se në vendin tonë shumica e makinave janë të vjetra, megjithëse krahasuar me rajonin e Ballkanit dhe me Europën kemi me pak numër mjetesh për 100 persona. “Por, mes ndotësve organikë të ajrit mbizotërojnë hidrokarburet, te cilët e kanë origjinën nga burime natyrore dhe antropogjenike. Hidrokarburet mund të kalojnë në ajër direkt me anë të avullimit, ose si produkte djegëse jo efikase të lëndës djegëse në motorët me djegie të brendshme. Hidrokarburet e çliruara nga automjetet përmbajnë kryesisht 1/3 alkane dhe pjesa tjetër në sasi pak a shumë të barabartë, alkene reaktive dhe hidrokarbure aromatike. Alkanet janë ndër hidrokarburet më të qëndrueshme në atmosferë. Më të pranishme në atmosferë janë alkanet me varg të gjate me 1-30 atome karboni në varg dhe alkanet me varg të degëzuar me 6 ose më pak atome karboni. Për shkak të trysnive të larta të avullit, alkanet me më pak se 6 atome karboni janë të pranishme si gaze; alkanet me 6 deri në 20 atome karboni në molekulë janë të pranishme si avull ose si grimca në varësi të kushteve; kurse alkanet me mbi 20 atome karboni janë të pranishme si aerosole, ose të përthithura në grimca atmosferike.

Lënda e grimcuar,ose bloza substanca organike përbërëse LNP e kanë origjinën, kryesisht, nga proceset e djegies që ndodhin në motorë me djegie të brendshme termike. Gjithashtu vaji lubrifikues dhe shtresat e tij mund të kontribuojnë në LNP. Lënda e grimcave që shkarkohen nga motorët me benzinë (me apo pa konvertitor katalitik) dhe motorët diesel, përmban mbi 100 lloje substancash organike në të” sqaron me detaje, specialisti Sulçe, ndotjen që pëson ambienti nga hidrokarburet.

 Taksë më e lartë për makinat më të vjetra

 Edhe propozimi, për diferencimin në taksim sipas viteve të mjetit, penalizon shumicën e familjeve shqiptare. Mund të përdorim të njëjtin arsyetim, për të thënë që nuk është viti i prodhimit të një mjeti motorik që ndot ajrin, por faktorë të tjerë, të cilët i përmendëm më lart. Duke gjykuar zhvillimin ekonomik të vendit, varfërinë

në nivel kombëtar, nëse për pjesën më të madhe të popullsisë është shumë e vështirë, pothuaj e pamundur, blerja e një automjeti me vit prodhimi pas ‘95-ës, po ashtu, është e vështirë të paguajë taksa më të larta se pakica që ka luksin të blejë automjete me kilometrazh zero. Si mund të penalizohet ajo kategori e popullsisë, e cila nuk mbyll dot muajin me të ardhurat e veta? Në konceptimin qytetar, përderisa automjeti kalon provën e tymit tek kolaudimi, do të thotë që është brenda normave të vendosura nga qeveria. Gjithashtu duhet patur parasysh edhe ajo kategori qytetarësh praktikë, të cilëve, ndryshe nga “ajka” e shoqërisë i pëlqen të mbajë një makinë të vjetër, me arsyen për të mos harxhuar më shumë para për një mjet, i cli kryen të njëjtin funksion. Për qytetarët, nëse qeveria nuk është në gjendje të ndërtojë standarde për kualitetin e mjeteve motorike dhe kushtet teknike që duhet të ketë në kontrollin periodik, atëherë, me të tilla propozime, pranohet paaftësia e së majtës për të qeverisur vendin.

 Programi për nxitjen e blerjes së mjeteve të reja

 Programi për nxitjen e blerjes së mjeteve të reja është propozimi i tretë në listë, me qëllim uljen e ndotjes në mjedis. Në vija të trasha, kjo është e gjitha politikë e koncesionarëve që duan të shesin makinat e tyre. Për më tepër, që po duket qartë mbështetja e politikës për një pjesë të të cilëve flitet se janë aksionerë me kompanitë e makinave që operojnë në Shqipëri. Me anë të këtij propozimi, qeveritarët “çojnë ujë në arat e tyre”, duke mos parë më larg se hunda e vet. A nuk u ngop politika me koncesione, tendera e me vendime të cilat kanë mbushur xhepat e tyre? Mjafton të kujtojmë këtu vendimin e qeverisë “Berisha” që u hoqi makinat luksoze shtetërore deputetëve dhe i morën po vetë “për një grosh”. A nuk do të ishte më mirë që të dilnin në ankand ato makina dhe ato para të futeshin në buxhetin e shtetit? Ndërsa, është e kuptueshme dhe shumë e qartë se asnjë qytetar me rrogë shteti (bie fjala, se vetëm në shtet s’ka vend pune për ta) nuk ka mundësi të blejë makinë me kilometrazh zero. Në ç’mënyrë do të nxisë qeveria blerjen e makinave të reja? Me kredi? Me çfarë ta paguajë qytetari i thjeshtë këtë kredi (gjithmonë nëse e merr, pasi shumica e popullsisë punojnë në të zezë), kur dihet paga mesatare e një qytetari shqiptar? Jemi i vetmi vend në botë, i cili nuk ka një ligj për minimumin jetik, të cilit t’i referohesh, ndaj i referohemi pensionit minimal (atë ka gjykuara politika si minimum jetik), që është 14 mijë lekë. Me 14 mijë lekë, që nuk dalin vetëm për bukë thatë në muaj, (ndërkohë që pritet edhe rritja e energjisë dhe e taksave të tjera), do ta paguajë kredinë qytetari për të blerë makina me kilometrazh zero? Këta 1 milion “shuplakat” nuk votuan për heqjen e makinave të para ‘95-ës, sepse duhen pasuruar pasuruar koncesionarët e makinave dhe grumbulluesit e skrapit.

Ledjana Saliu