Flet ‘Piktori i Popullit’ Skënder Kamberi: Kjo Shqipëri duket si e goditur me thika

966
Sigal

01- Sot shohim se kjo Shqipëri duket si e goditur me thika

02- Titullin e kam marrë që në kohën e partisë, rreth viteve 1970 me pikturën ‘Buka e duarve tona’.

03- Odise Paskali: Shiko se çfarë ka bërë Skënder Kamberi, tabloja e tij ndriçon edhe në errësirë

04-Si shkova në Kinë që më habiti nga madhësia por nuk ambientohesha dot

05-Një ministër  në monizëm më thoshte që një partizan bëje si Mehmet Shehu, unë i thashë do e bëj si Nasho Jorgaqi

Albert Zoli

-Po në Kinë përse shkuat?

Shkova si ekspert i artit tonë dhe shoqërova ekspozitën kombëtare shqiptare. Isha bashkë me Fatmir Haxhiun. Ekspozitën e hapëm në Pekin, Huaanxhou. Por nuk mund të rrija në Kinë. Isha lidhur shumë me Vlorën. Me Haxhiun nuk kisha shumë muhabet. U mërzita.

Shkova tek ambasadori dhe i thashë se dua që të kthehem në atdhe. Ambasador ka qenë Xhorxhi Robo. Ai më tha se rri edhe 4-5 muaj, të tjerët të lusin. Ne kush nuk na kërkon të vijë në Kinë. Le të më ndërrojë ndonjëri mua , i thashë. Pas shumë lutjesh u ktheva vetëm dhe sa zbrita në Rinas putha tokën e atdheut tim.

– Po me ministrat e Kulturës si keni shkuar?

 

Në përgjithësi mirë, por ka pasur dhe një ministër që ndërhynte në artin tim. Më vjen për të qeshur me një ministër në sistemin monist që më ka thënë që të ndryshoja borën në një tablo të Dajtit kur unë kisha shkuar dhe në Dajt për dëborën e tablosë. Mandej ministri më tha, bëj disa partizanë që vijnë në ndihmë të një të plagosuri. Unë në këtë tablo isha frymëzuar nga një tregim i Nasho Jorgaqit. Më pëlqeu si ide, eveniment dhe unë bëra tabllonë. Ishte piktura “Ndihma e shokut”, ku një partizan hoqi pallton dhe ia vuri shokut të tij si barelë për ta marrë. Partizani i plagosur ishte në gjendje të rëndë dhe vetëm kështu mund të ndihmohej shoku. Ministri kur e pa më tha: Korrigjoje pak borën, partizanin tregoje si gjigant, hero. Nuk kam se çfarë t’i korrigjoji, thashë. Bëje si tabloja e X që ka bërë Mehmet Shehun më tha. Jo, i thashë, ajo është kopje ruse. Unë nuk jam X jam Skënderi dhe kam idetë e mia për pikturën

Po nga kritika a u pëlqye kjo tablo?

Po, madje shumë. Vulën ia vuri Odise Paskali, i cili pasi e pa tha: “Shiko se çfarë ka bërë Skënder Kamberi, tabloja e tij ndriçon edhe në errësirë.” Tha të vërtetën, pasi edhe kur fikeshin dritat e sallave piktura ime ndriçonte

-Kush kanë qenë pedagogët tuaj?

Ishin shumë  ku të gjithë pa përjashtim që nga piktorët dhe skulptorët, kantoja, aktorët ishin të kulturuar dhe të mrekullueshëm. Një shok fëmijëri e që luanim me top prej lecke në Vlorë, më tha: “Që kur je kthyer nga liceu ishe komplet ndryshe!”.

Në lice unë dëgjova artisten e madhe Marie Krajën, me të flisnim për teatrin, pikturën, artin në përgjithësi. Kishim një atmosferë arti në çdo hap. Pas shkollës nga viti 1965-90 isha në Vlorë. Në 1990-n erdha në Tiranë. Por edhe kur isha në Vlorë kam qenë i pashkëputur nga Tirana si me Lidhjen e Shkrimtarëve, qoftë edhe me aktivitetet ndryshme kombëtare.

-Kë keni më shumë mik nga piktorët e Vlorës?

Nestor Jonuzin. Djalë shumë i mirë, fisnik. Piktor i shkëlqyer. Edhe ai mbas meje u bë Piktor i Popullit. Ai është artist me plot gojën. Njeri tolerant dhje njeri I mirë dhe nuk ishte për zyrtar, ai mbetet artist.

Në vend kemi engjëj dhe kemi dhe djaj të vegjël.

-Dikur kemi bërë një intervistë për pikturat me femra nudo, madje ishin shumë, ku janë?

Pasi bëra ekspoyitën “Shqipëria nudo” disa i shita disa i fala. Nuk dua ta shoh më Shqipërinë ashtu. Unë jam piktor i figuratives, se sa e bëj këtë poetikisht është tjetër gjë. Por në mënyrë figurative Shqipëria në ato piktura ishte lakuriq madje dhe sot është lakuriq, është nudo, s’ka prindër, nuk ka vëllezër, nuk ka motra, nuk ka të afërm, as nënë, as babë. S’ka prindër që të kujdesohen për Shqipërinë, s’ka politikanë që të kujdesohen për Shqipërinë. Kjo Shqipëri është braktisur nga të gjithë politikanët qysh pas vitit 1991. Ky është një opinioni imi personal. Unë nuk bëj elozhe. Elozhe mund të bëj duke treguar disa teori të kapitalizmit këtu në Shqipëri por që janë treguesit e një praktike drejtimi kapitalist antipopullor se sa popullor. Në realitetin e sotëm jetësor shohim kapitalist shqiptar që shfaqen të ashpër, të egër, nuk njohin limite konkurrence dhe fitimi maksimal (jo se dua komunizmin, përkundrazi). Por kjo babëzi e politikanëve dhe e disa kapitalistëve me mbështetje tek politika ka bërë që shqiptarët për një jetë më të mirë të marrin rrugët e mërgimit. Unë di që Gjermania e Hitlerit u mund, u thye nga forcat e aleancës. Fill pas këtij momenti kancelari gjerman Ajzenhauri ju drejtua popullit të tij”. Asnjë të mos dalë jashtë kufijve gjerman. Gjermania është dhe duhet ndërtuar nga gjermanët. Kush largohet do të dënohet, ndëshkohet”. Kush e tha këtë nga politikanët shqiptarë pas vitit 1990?! Asnjë,përkundrazi donin të iknin më të ndershmit,më të zgjuarit. Ndërsa ne hapëm kufijtë dhe asnjë nuk u kujdesua për ata që iknin. Ikën nëpër dete, nëpër borë, lumenj të rrëmbyeshëm. Shumë u mbytën, shumë humbën dhe s’dihet akoma ku janë, u vranë nga të ashtuquajtur “miq” në kufijtë që kemi. Në këtë aspekt, duke bërë një retrospektiv të mendjes si qytetar i Shqipërisë, nuk më pëlqen ky qëndrim indiferent, kultian që në vend të themi ku na shkojnë djemtë dhe vajzat, politikanët mendojnë çfarë ti ndajnë kësaj Shqipërie të copëtuar. Ata mendojnë vetëm për vete në këtë kapitalizëm të ashpër.

Si i shikoni zhvillimet e fundit në Shqipëri, po ndërtimet e reja?

Ndërtimet e reja? Pa kriter. Po rriten gradaçielat. Ja. Shihni kur zbrisni nga avioni në aerodrom. Do shihni tym dhe smog. Të duket diçka e mjegullt, pa orientim. Mizerabël. Evropa i sheh këto lloj qeverisjesh dhe bën sehir, sepse kjo Evropë na shet makinat e vjetra. Makinat që ata i hedhin në kazanët e plehrave. Pra çdo gjë që vjetrohet në Evropë sillet në Shqipëri. Shqipëria është kthyer në kazan plehrash. Shqipëria me këto çmime astronomike që ka, kur vetëm një pjesë e vogël punon dhe kemi polic më shumë se semafor, ku papunësia është më e madhja në Evropë, duhet parë me përparësi dhe jo si gjithmonë e fundit. Pra rrogat më të vogla, papunësia më e madhe, smogu më i madh, prona që nuk dihet e kujt është. Kush e ka bërë këtë katrahurë shqiptare dhe a i shikon Evropa këto shëmtime të politikës shqiptare?


Në pikturat e ekspozitës “Shqipëria nudo” kam vërejtur disa gjymtyrë të pikturuara me euro, dollarë?

saktë, e kemi diskutuar dhe atë kohë…Është një refleks i zemrës time, mendjes time, pra i këtij realiteti, që unë, atë pikturë që kam realizuar në vitin 1969, kur ishte një përvjetor i Kongresit të Lushnjës, tashmë po e ri ideoj në një këndvështrim tjetër. Atëherë ideja e kësaj pikture ishte fitorja e Kongresit të Lushnjes. Ishte një pikturë për këtë ditë historike, ku ne kërkonin të na ndanin mes Serbisë, Italisë dhe Greqisë. Por sipas Kongresit Shqipëria u shpall shtet i pavarur. Në vitet 1912 -1913 ajo u njoh nga shumë shtete të botës. Presidenti i SHBA-ve, Uillsoni deklaroi që Shqipëria është shtet i formuar dhe tashmë ajo ka marrë njohjen dhe territorin e saj. Kjo tashmë s’mund të kthehet mbrapsht. Prandaj ato forca që kanë pushtuar Shqipërinë të kthehen me ushtritë në vendet e tyre. Kjo Shqipëri ishte menduar të copëtohej nga fuqitë kapitaliste të kohës. Edhe sot po këta shtete të veshur me papion, me luks, me makina superluksoze, vijnë në Shqipëri kapardisur hapën dhe motelet e tipit modern (që Hygoi i ka dënuar motelet që në atë kohë, si vend për prostitucioni). Hygoi ishte njeri i paqes dhe njeriu i paqes lufton të shëmtuarën, të keqen. Edhe unë jam njeriu i paqes. Kjo Shqipëri sot është lënë në mëshirë të fatit sa nga politika shqiptare po aq dhe nga ajo evropiane dhe superbosët evropianë. Ndaj shqiptarët marrin rrugët e mërgimit. Një proverb rus thotë “Aty ku s’je, mendon se je më mirë”. Por po ta provosh s’është ashtu. Emigracioni është i dhimbshëm. E ke dëgjuar këngën e emigrantit të Spanjës? Të ngjeth mishtë. Të bën të ngelesh pa mend. Emigranti, emigranti… Ne nuk duhet të kënaqemi që na dërgojnë 100 euro nga jashtë emigrantët, vëllezërit tanë. Nuk është ekonomi kjo…
 


Nga se vjen gjithë kjo anomali në politikën shqiptare dhe ekonominë e vendit tonë?

Sepse çdo gjë tek ne është ndërtuar mbrapsht. Ndryshe nga gjithë bota. Konkretisht, ministritë shqiptare të gjitha dyert i kanë nga mbrapa jo nga para. Sepse dhe punët bëhen mbrapsht edhe kryeministra nga mbrapa e ka hyrjen. Vetëm një ministri e ka nga para derën ajo e Kulturës që është bërë tani. Edhe te pensionet dyert janë mbrapsht. Prandaj, çfarë presim të na vejë mbarë? Kongresi i Lushnjës luftoi për Shqipërinë, të mbrohet, të mos copëtohet. Ja arriti qëllimit. Ndërsa ne sot shohim se kjo Shqipëri duket si e goditur me thika, Më duket si ajo piktura e një piktori francez të viteve 1912, që e kishte pikturuar Shqipërinë të goditur me thika. Pra këmbët, kofshët e Shqipërisë janë duke u fërkuar nga duart e atyre që kanë euro në duar, siç po bëhet me Himarën që na gënjen greku duke bërë disa kisha, ndonjë shkollë apo rrugë dhe trumbeton me disa të shitur që Himara është greke. Pra blihen këmbët e bukura të

 

Shqipërisë për pesë para. Ku janë politikanët?

Qeveria shqiptare hesht sepse ekonomia kombëtare shqiptare është shkatërruar. Ndaj shijnë grekët dhe serbët apo të tjerët mbi trupin e bukur të Shqipërisë që tashmë është “nudo”. E shijojnë të huajt këtë “nudo” sepse kanë para. 72 miliardë lekë janë vjedhur nga ekonomia shqiptare këto 20 vjet, ndërmarrje, uzina, fabrika, punishte, armatime, miniera, buste, e ç’të të them. Ku kanë shkuar? Janë rrëmbyer. Nga një grusht njerëzish. Shqipëria është veshur vetëm me një bluze kuq e zi që nuk ka mbuluar edhe fytyrën. Pra atë fytyrë që e ka pamjen e mjegullt.

Pikturat që do të paraqiten

Nuk e di. Janë disa. Sepse Shqipëria është zhveshur nga të gjitha anët. Nga të gjitha drejtimet. E kanë lënë si një vajzë të bukur por të zhveshur. Ta shijojnë ata që kanë lekë, kur në fakt është dhe duhet të jetë e të gjithë shqiptarëve. Do ta paraqes në të gjitha këndvështrimet. Në të gjitha ato pjesë që të duket e tëra nudoja shqiptare. Unë në kohën e socializmit kam qenë në disa vende jashtë shtetit. Një çast që vija nga Kina, ndalova në Hungari (Budapest 1973). Filluan të kontrollonin të gjithë sa ishin në avion që dilnin. Nga Kina, Rusia, Gjermania. Nga je ti më thanë mua. Nga Shqipëria. Më nderuan dhe më thanë kalo, pa më parë asgjë. Sikur të isha president. Të tjerëve s’u lanë as çorape pa kontrolluar. Ndërsa pas vitit 1991, na kanë vënë qentë në Austri në kufirin austriako- gjerman. Na kontrollonin sikur të ishim kriminelë. Qentë dhe policët kudo që shihnin, na thoshin të pa fe, kriminelë, hajdutë…Unë që nuk di të gënjej, pyes veten, përse kjo gjendje ? Ç’është kjo kastë 20- vjeçare që e katandisi Shqipërinë në këtë farë feje?!

Si e zhveshi politika Shqipërinë nudo

  1. Nga latinishtja ministër do të thotë shërbëtor. Pra ata janë shërbëtorë të popullit. Fatkeqësisht nuk është kështu. Ata janë pronarët e popullit. Prandaj Shqipëria tashmë në sytë tanë dhe të të huajve është zhveshur nudo. Këtë dua të tregoj me këtë ekspozitë. Shqipëria si një nga vendet më të bukura në botë, por që drejtohet nga politikanë të shëmtuar. Dje kritikoja mënyrën e drejtimit të ekonomisë komuniste dhe më thoshin rebel. Edhe sot e njëjta gjë. Drejtimi i ekonomisë është false, iluzive, donkishotiane. Rebel politikanët quajnë ata që nuk u shkojnë pas ujërave, por kritikojnë drejtimin pa principe të shtetit duke parë në radhë të parë interesin e vet. Kështu është quajtur edhe Bajroni edhe Francisko Goja. Turgenjevi, Rebrandi, të cilit i grisën një pikturë pasi një pjesë të aristokracisë i bëri siç ishin të shëmtuar (në shpirt). Artisti është rebel se shikon më tej se sytë e pragmatistit. E vërteta është e shenjtë.

Intelektualët thonë se në Evropë shkohet me art, kulturë, nëpërmjet librit, pse në Shqipëri po heshtet ndaj tyre?

Artistët shqiptarë si Inva Mula, Papavrami, Ermonela, balerinët shqiptarë, shkrimtarët e shquar shqiptarë, kompozitorët shqiptar, futbollistët, instrumentistët, këngëtarët operistik shqiptarë kanë vite që na kanë çuar në Evropë. Por këtë s’duan ta shohin politikanët tanë, se nuk ju intereson. Në radhë të parë nuk ju ka interesuar për interesat e tyre ekonomike. Shkrimtarët tanë njihen deri aty ku nuk njihet Shqipëria, ku asnjë emër politikani shqiptar nuk përmendet. Videlman një studiues i historisë së artit gjerman ka thënë: Ballkani është vendi më i predispozuar për të nxjerrë talente në çdo fushë të artit. Pasi kemi klimën, diellin, natyrën, ajrin, lumenjtë, luginat, tokën dhe nëntokën e pasur. Kemi pasur fabrika, uzina, dhe sipas ekonomistëve botërorë në prag të ndërrimit të dy sistemeve Shqipëria ka pasur 60 miliardë dollarë pasuri. Ku ka vajtur kjo pasuri?

Të flasim pak për galerinë e Arteve…Kam shkuar në shumë ekspozita të piktorëve dhe kam vënë re që të gjitha ato janë zhvilluar në Muzeun Kombëtar dhe jo në Galerinë e Arteve, përse?

Përse? Ti e di më mirë se unë. Përgjigja është e thjeshtë. Galeria e Arteve është kthyer në një pronë private personale, madje është oligarke. Ajo është bërë një bunker ku s’ka gjallëri, s’ka lëvizje. Galeria e Arteve duhet të gjallojë ditë natë, duhet të ketë mijëra njerëz në ditë, por aty sheh dyer të mbyllura, pasi ka njerëz që interesohen vetëm për artin e tyre, dhe jo për artin kombëtar.

Në këndvështrimin tuaj diktatura komuniste ka bërë më shumë për artin dhe kulturën?

Kjo përgjigje do shumë kohë. Nuk bëhet me një të shtënë. Gjërat merren me radhë. Ai regjim i bëri këto objekte, si galerinë, Muzeun Kombëtar, zhduku analfabetizmin, bëri sportin masiv, bëri shtëpi kulture në çdo fshat, etj..Po sot çfarë është bërë për artin dhe kulturën? Ekonomia dhe kultura janë shtyllat e një shteti. Sot ne nuk kemi as kulturë, as ekonomi. Shihini vetë mos më pyesni mua. Politikanët flenë në vila luksoze, artistët dhe shkrimtarët s’kanë bukë të hanë. Kulturën shqiptare e mbajnë të gjallë vetëm individët, krijuesit që rendin në botë. Shumë të tjerë bëjnë art imitues, jo të gjallë, pa frymëmarrje. Atëherë kishte dhe shkrimtarë dhe artistë të dobët, servilë, por ata aty ngelën në batak, ndërsa shkrimtarët e vërtetë bënë epokë, bënë emër që e lartësuan emrin e Shqipërisë.