Akademik Artan Fuga: Siguria e z.Cakaj në deklarata autoritative për çështje kaq madhore të Europës, Ballkanit, Shqipërisë më ka lënë shije të hidhur dhe më shqetëson

532
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Akademik Artan Fuga në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se ministri i Jashtëm duhet të jetë politik, dhe leximi i shumë librave nuk përbën motivim zyrtar, ndërkohë, që siguria e Cakaj në deklarat e tij, i lë shije të hidhur dhe e shqetëson.

-Prof. Fuga, a është i mjaftueshëm, kandidatura e Cakaj, për ministër i Jashtëm, meqë ka lexuar shumë libra?

– Pse ky ka qenë motivimi zyrtar që ka përcjellë propozuesi? Nuk më besohet! Në fakt ideja e leximit të shumë librave nuk mund të vlerësohet, sepse problemi mbetet se çfarë librash ka lexuar! Sigurisht unë nuk e njoh fare këtë zotërinë dhe nuk kam asnjë lloj mbrese, ose mendimi për të. Por, ai në postin e ministrit të jashtëm duhet të jetë politik dhe jo në rolin e ekspertit që është njeriu më i mënçur në fushën e tij. Nuk ka lidhje pra. Se poqese ishte kështu, kam një kushuri librar që shet libra të vjetër në rrugë. Ai ka një fiksim. Libri më parë e lexon vetë. Padyshim është lexuesi më i madh i librave në Tiranë, por nuk besoj se pretendon për ministër të Jashtëm, ose financash. Nejse t’i lemë shakatë tani!

A mund ta luajë rolin e kryediplomatit të Shqipërisë një anonim, pa përvojë diplomatike, në një periudhë kur Shqipëria ka përpara negociatat për anëtarësim me BE-në?

-Unë në parim jam kundër katapultimeve nga rruga drejt posteve të zëvendësministrave, ministrave, kryetarëve të bashkive, etj. Zoti Cakaj mundet që e bën shumë mirë atë detyrë. Nuk e di! Nuk mund ta paragjykoj. Problemi nuk është këtu. Puna është se publiku do një figurë më të besueshme. Pra, nuk është raporti i zotit Cakaj me objektin e punës të tij, por raporti i publikut me zotin Cakaj! Ajo që mua nuk më pëlqen aq shumê se shoh se ai ka dhënë dhe jep deklarata autoritative për çështje kaq madhore të Europës, Ballkanit, Shqipërisë, Kosovës, etj., a thua se është përpara formulës 2×2=4. Siguria e tij në deklarata më ka lënë shije të hidhur dhe më shqetëson. Pyes: E njeh ai teorinë e rriskut? Po teorinë e lojës? Po teorinë e paparashikueshmërisë? Po teorinë e pasojave të padëshirueshme? Po këtë, po atë!

 – A është i “turpshëm” dhe “antikushtetues” , siç e vlerësoi kryeministri Rama mosdekretimi n nga Presidenti i Republikës, i kandidaturës së Cakaj, si ministër i Jashtëm?

– Ku ka turp në ushtrimin e detyrave institucionale?

– A është e pranueshme ndjesa që kryeministri Rama i kërkoi Kosovës, për mosdekretimin e Cakaj për ministër i Jashtëm?

– Kjo bën pjesë në tetralitetin e jetës politike. Kosova nuk është njeri që t’i kërkosh falje! Kosova është mbi mua e mbi ty, mbi Cakajn, madje edhe mbi gjithçka. Por, unë nuk jam dakord që dikush e përçmon zotin Cakaj duke i thënë nuk bën se është nga Kosova. Po pati nënshtetësinë shqiptare gjithçka është në rregull!