Rajmond Aliu: Ja reprezalja e Anila Shehut, qindra punonjës të pushuar nga puna

    404
    Sigal

    Flet Rajmond Aliu, ish-punonjës i Ndërmarrjes së Trajtimit të Studentëve: Më kanë mbajtur çdo muaj lekë nga paga

    Qindra punonjës të Ndërmarrjes së Trajtimit të Studentëve nr. 1 vazhdojnë të flaken në rrugë pa as një lloj ngurrimi dhe pa patur të drejtën e një shpjegimi. Me sa duket drejtorja e kësaj ndërmarrje, znj. Anila Shehu e trajton administratën publike si një monopol të sajën. Këtë gjë e konfirmon dhe rasti më i fundit skandaloz, ku punonjësi i kësaj ndërmarrje është pushuar nga puna pa marrë paraprakisht as një lloj vërejtje apo paralajmërimi, duke u shkelur kështu të gjitha procedurat ligjore që rrjedhin nga prishja e kontratës. I kontaktuar nga gazeta “Telegraf” në seancën e parë gjyqësore, ish- punonjësi, z.Rajmond Aliu, recepsionist në bujtinat e Qytetit Studenti shprehet se, është pushuar nga puna për performacë të dobët, ndërkohë që, gjatë gjithë periudhës 4 vjeçare si punonjës në këtë ndërmarrje, ka marrë vetëm lavde dhe fjalë të mira. Ai është përballur me një indiferentizëm dhe moskokëçarje nga drejtuesit përkatës të këtij institucioni, të cilët kanë refuzuar dhënien e dokumenteve dhe kontratës në kohën e kërkuar. Ajo çka e përmbys të gjithë këtë, është fakti që pas marrjes së librezës së punës z. Rajmond ka vërejtur se, ka marrë më pak se paga e deklaruar në librezë, dhe për çdo muaj të vitit janë mbajtur nga paga 45 mijë lekë të vjetra. Të pranishëm gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar në datën 08.04.2014, ku procesi gjyqësor u zhvillua pa praninë e palës së paditur, znj. Anila Shehu, me objekt të çështjes; zgjidhje të marrëdhënies së punës si recepsionist gjatë periudhës kohore 2010-2013 në bujtinat e Qytetit Studenti pa as një shkaka, avokati i palës së paditur është shprehur se, përfaqësues të këtij institucioni kanë refuzuar të japin dokumentet, të cilat duhen përdorur në një proces gjyqësor. Gjithashtu, seanca gjyqësore është shtyrë për shkak se, kontrata që dispononte avokati ishte e pavlefshme për një proces gjyqësor, ku duhej ajo origjinale. Gjyqi i radhës pritet të pritet të zhvillohet në datën 29 prill, ora 13:00. Z. Rajmond Aliu është shprehur për “Telegraf” se, do t’i shkoj deri në fund kësaj çështje dhe padrejtësive që janë bërë nga kjo ndërmarrje.

    Z. Rajmond, ku qëndron problemi juaj?

    – Unë kam vjet 4 që punoj në qytetin studenti dhe nuk kam marrë as një vërejtje në këto katër vite. Pra, sa herë që ka ardhur kontrolli kanë thënë fjalët më të mira, je në krye të detyrës etj.. Ditën e fundit që kam punuar, pasi mbarova turnin e tret dhe shkova në shtëpi, rreth orës 9:00 më kanë marrë në tel nga burimet njerëzore, ku më thonë se, ka ardhur letra ku thuhet lirohesh nga detyra. Atë ditë nuk shkova për shkak të mërzitjes, kam shkuar ditën tjetër për të kërkuar librezën, por nuk ma jepnin, me pretekstin se nuk ishte gati, u bë gati për 5 ditë. Kur shkova të marrë librezën dhe vura re se, në të ishte shkruar “performancë e dobët në punë”. Si ka mundësi që të kem patur performancë të dobët, kur për gjithë këto vite nuk kam marrë as një vërejtje a paralajmërim?!

    Cila ishte detyra juaj?

    – Recepsionist në godinat e konvikteve. Lëviznim gjatë gjithë kohës nëpër godina, me periudha, gati çdo 10 ditë.

    Ju kishit ripërsëritur kontratën e punës në vitin 2013. Sa vjeçare ishte kontrata?

    – Kontrata e parë ishte tre vjeçare, pas mbarimit të saj u rinovua me tre vjet të tjera në shtator të vitit 2013, dhe në datën 10 shkurt jam lajmëruar për lirim nga detyra. Kjo kontratë u ndërpre arbitrarisht, pa as një lloj njoftimi.

    Po për sa i përket dokumentacionit që keni kërkuar, p.sh. kontratën që t’i përdorni si provë gjyqësore?

    – Nuk më japin origjinalin

    Dhe si justifikohen për këtë?

    – As një argument, më kanë dhënë vetën një fotokopje të panoterizuar. Dhe më skandalozja është se, kur kërkova vërtetimin e pagës, e mora mbas  tre javësh, dhe aty vërejta që paga ime ishte shumë e lartë dhe unë nuk e kam marrë për gjithë ato vite pagën time reale.

    Sa ishte paga juaj e deklaruar në librezë?

    – 285 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që unë merrja 240 mijë lekë të vjetra, pra për çdo muaj të vitit më mbanin nga 45 mijë lekë të vjetra, dhe nuk më paguanin vjetërsinë e punës. Kam 19 vjet vjetërsi pune dhe këtu nuk më është paguar as një herë. Ndoshta dhe kjo ishte arsyeja që më hoqën nga puna.

    A keni dijeni se sa punonjës të tjerë kanë patur fatin tuaj?

    – Shumë, pothuajse të gjithë të vjetërit, por edhe të rinjtë. Si fillim, filloi me shkarkimin e personave me prejardhje nga veriu. Është një numër i madh personash që kanë patur fatim tim, por nuk kam statistika të sakta, pasi që mbas pushimit nga puna nuk kam dashur të rikthehem sërish atje.

    Ju keni kërkuar takim me drejtoren e ndërmarrjes, znj. Anila Shehu?

    – Po kam kërkuar, por nuk më ka pritur, ajo nuk ka pritur askënd, me gjithë shkarkimet që ka bërë. Sa herë që kam shkuar për të marrë librezën apo vërtetimin e pagës, kam takuar dhe persona të tjerë, të cilët thoshin se, nuk na pret në takim.

    Ndërkohë, kemi informacion se, pas shkarkimeve që ka bërë, në ato vende janë punësuar të afërmit e znj. Shehu. Ju keni dijeni për këtë?

    – Po, kështu kam dëgjuar dhe unë, por nuk mund të them me siguri.

    Ju çfarë me këtë proces gjyqësor kërkoni?

    – Kërkoj të më ndiqet kontrata. E di që nuk do më kthejnë në vendin e punës, por minimalishtë të më ndiqet kontrata. Pra, unë të paguhem për këtë kohë, për këto vite. Të gjithë këtë e bëj se nuk kam marrë as një paralajmërim apo vërejtje. Kjo ishte seanca e parë dhe do t’i shkoj deri në fund të drejtës sime.

    Dëmi në buxhet

     Largimi në mënyrë të padrejtë i punonjësve të administratës publike, veç faktit që ul të ardhurat dhe rrezikon mirëqenien e familjeve të personave që e humbasin punën, krijon dhe një “gropë” të zezë në Buxhetin e Shtetit. Shumica prej të larguarve nga puna, kanë përfituar në shumë raste të drejtën për t’u rikthyer, e në raste të tjera të drejtën e dëmshpërblimit me pagën e një viti. Duke pasur parasysh numrin e lartë të padive për marrëdhënie pune, me shumë gjasë edhe fatura e dëmshpërblimeve do të jetë tejet e lartë, edhe pse për momentin nuk mund të bëhet një përllogaritje, për shkak të faktit se pjesa më e madhe e padive janë në shqyrtim, apo një pjesë tjetër ende nuk janë paraqitur në dyert e gjykatave.