Procedurat e reja për marrjen e lejeve të drejtimit dhe ndëshkimet nga patenta me pikë

    521
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor, Arben Pinari për procedurat e reja

    Projekti për implementimin e patentës më pikë është drejt përfundimit të fazës së parë. Një fakt të tillë na e bën të ditur në një intervistë për “Telegraf” Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor, Arben Pinari. Sipas zotit Pinari është një punë voluminozë e cila është duke ecur me ritme të shpejta. Ajo që vlen të theksohet më shumë është se së shpejti do të bëhet online edhe aplikimi për lejet e drejtimit të mjeteve, rinovimin e lejes etj..

    -Zoti Pinari në çfarë faze ndodhet projekti për implementimin e patentës me pikë?

    -Konkretisht institucioni jonë ka zhvilluar tenderin për automatizimin e procesit për lejet e drejtimit. Pra në vetvete është faza e parë e një projekti pak më të madh, dhe ajo quhet patenta me pikë. Pra kjo fazë presupozon kthimin e të gjithë databazit dhe gjithë të dhënave që ne kemi si institucion, sipas standardeve bashkëkohore që kërkohen dhe sipas kritereve teknike që duhen për ta kthyer këtë regjistër kombëtar të drejtuesve të mjeteve, në mënyrë që ky regjistër të jetë i aksesueshëm jo vetëm nga institucioni jonë. Por ky regjistër të jetë i aksesueshëm edhe nga institucionet e tjera që e përdorim dhe aksesojnë këtë sistem natyrisht brenda objektit ligjor të punës tyre. Siç është policia rrugore, apo Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Prokuroria e Shtetit etj. Ka institucione, të cilat aksesojnë regjistrin kombëtar të mjeteve që ne e kemi prej një viti në funksionim, por edhe regjistrin kombëtar të drejtuesve të mjeteve. Në lidhje me lejen e drejtimin ne kemi përfunduar tenderimin për fazën e parë për qendërzimin e të dhënave. Komisioni i Ofertave ka bërë vlerësimin e ofertave, ku janë dy kompani dhe jemi në fazën e pritjes së ankesave për operatorët ekonomikë që nuk janë përzgjedhur. Me të përfunduar kjo fazë do të shpallet fitues dhe pastaj është një afat 30 ditor, në të cilën duhet të përfundojë kjo detyrë projektimi. Pastaj ne jemi gati për të filluar fazën e dytë.

    -Çfarë të dhënash dispononi ju deri në këto momente që ne po flasim?

    -Ne kemi një milion e treqind e dhjetëmijë rekorde ose ndryshe protokolle që figurojnë të pajisur me lejedrejtimi. Kjo databazë që ne kemi sot dublohet për të njëjtin person, prandaj është kaq e fryrë. Pasi ka shumë drejtues mjetesh që janë të pajisur me më shumë se një kategori për lejedrejtimi. Apo ka edhe persona që i drejtojnë mjete të rënda dhe ato kanë të gjitha kategoritë e lejeve të drejtimit. Pra, ne sot si numër maksimal kemi shtatë kategori lejesh drejtimi së bashku me biçikletën. Pra një person mund të ketë shtatë kategoritë dhe sipas databazit që ne kemi ai figuron shtatë herë. Ne sot nuk kemi një regjistër real të drejtuesve të mjeteve, pra sa shtetas janë të pajisur me lejedrejtimi dhe sa kategori mund të kenë një person. Pra ky është një regjistër që kur ky institucion menaxhohej nga strukturat e policisë së shtetit. Ne për ta kthyer këtë regjistër online dhe sipas kushteve bashkëkohore, e kemi pak të vështirë pasi ne kemi persona që janë pajisur me lejedrejtimi shumë kohë më parë. Na duhet një periudhë e gjatë pasi ka persona që kanë ndërruar jetë, kemi persona që kanë ndërruar jetë etj. pra kanë ndodhur shumë ndryshime ne regjistrin kombëtar të shtetasve. Ne me ta kthyer ndërtimin e databazit të ri, atëherë të gjithë personat që janë të regjistruar dhe të pajisur me leje drejtimi do të kalojnë në një proces jo kontrolli, në një proces të verifikimit të të dhënave që figurojnë në këto regjistra. Pasi regjistri që ne do kemi do të jetë i abdetuar me regjistrin kombëtar të shtetasve të cilin ne e kemi on-line. Të gjithë personat që janë të pajisur me leje drejtimi natyrisht që janë edhe shtetas të Republikës së Shqipërisë. Por në të dhënat që ne kemi me edhe shtetas të huaj që janë të pajisur me lejedrejtimi në Shqipëri. Edhe ata do të jenë të përfshirë në këtë regjistër.

    -Si po ecën procesi i njohjes së ndërsjellët të lejeve të drejtimit me shtetet fqinjë?

    -Shqipëria është në një proces që po nënshkruan marrëveshje për njohjen e lejeve të drejtimit në mënyrë të ndërsjellët. Marrëveshjen më të fundit ne e kemi me Republikën e Maqedonisë, para pak ditësh ishte një delegacion nga Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve. Po ashtu është bërë e ditur që kanë filluar bisedimet edhe për njohjen e lejeve të drejtimit me shtetin grek, por këto procese kërkojnë një periudhë të caktuar kohe.

    -Kur do të fillojë faza e dytë, pasi pak më lart u shprehët që, pothuajse është ezauruar faza e parë?

    -Po, e përsërita edhe më lart që së shpejti mbyllen procedurat për fazën e parë. Përfitoj nga rasti që të ju bëj me dije që nga ana e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së informacionit ka përfunduar dhe është gati portali për patentën e shoqëritë, që në gjuhën e përditshme do të quhet aplikimi on-line për të rinovuar lejen e drejtimit apo për t’u pajisur me lejen e drejtimit.

    -Kur do të aplikohet dhe si do të orientohen personat e interesuar për të bërë këtë aplikim on-line?

    -Ky projekt është i financuar nga Bashkimi Europian, sigurisht nga ana e nënkontraktorit është punuar së bashku me strukturat tona, me qëllim që ne të kemi një aplikim, i cili është i koordinuar me programet tona kompjuterike që kemi, pra është i abdetuar me to. Janë dy procese ku një do të jetë aplikim i brendshëm dhe një aplikim i jashtëm. Në aplikimin e brendshëm do të bëjnë pjesë strukturat tona administrative dhe përdoruesit e jashtëm do të jenë natyrisht qytetarët, firmat private, autoshkollat që do aplikojnë nga zyra e tyre, për të bërë rinovimin, për t’u regjistruar për herë të parë, për të bërë rinovuar lejen etj. ne pastaj në një fazë të dytë që i përket vitit 2013, kemi detyrime ligjore për përfundimin e projektit të patentës me pikë. Por për këtë po punohet nga strukturat e Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit për nxjerrjen e akteve ligjore. Pas daljes së akteve pastaj ne do të organizojmë punën edhe për realizimin e këtij projekti. Po ju bëj me dije që ne nuk kemi vetëm lejen e drejtimit që pajisim vetëm shtetas shqiptar, por kemi dhe certifikatat dhe dëshmitë penale që janë për mjete të veçanta. Në këtë portal të aplikimit në një fazë të mëvonshme do të futen edhe këto certifikata dhe këto dëshmi. Jemi edhe në fazën përfundimtare të mbylljes së projekti të pajisjes së tahografit, ose ofiçinat e tahografit siç quhen. Ne jemi të përfundim të dy ofiçinave të para nga 6 që kemi planifikuar. Po ashtu do futet edhe një shërbim i ri, që nuk ka qenë më parë.

    -Çfarë mjetesh duhet ta kenë këtë pajisje?

    -Tahografi është një detyrim ligjor për të gjithë drejtuesit e mjeteve, të cilët i kalojnë 3.5 tonë dhe kanë një rreze qarkullimi mbi 50 km nga selia e tyre. Të gjithë mjetet e tjera që nuk i kanë këto kritere duhet të pajisen me tahografin.

    -Në momentin që do të aplikohet patenta me pikë si do e mësojë drejtuesi i mjetit që i janë ulur pikët?

    -Natyrisht, në ndryshimet ligjore që i janë bërë kodit rrugor të Republikës së Shqipërisë janë parashikuar edhe numri i pikëve. Po ashtu në këto ndryshime është parashikuar edhe dhënia e së drejtës qytetarit për të aksesuar faqen e tij që do të ketë. Pra, kjo do të jetë si një llogari personale. Në aktet ligjore do të parashikohet se çfarë përfiton qytetari nëse ai zotëron gjithmonë numrin maksimal të pikëve. Po ashtu kështu do të jetë edhe për personat që janë shkelës të rregullt të rregullave të qarkullimit. Në aktet nënligjore janë parashikuar edhe ndryshimet që ndodhën për sanksionimin financiar. Por siç janë shkallë-shkallë rregullat për penalitetet që bën drejtuesi i mjetit, po ashtu do të jenë edhe penalitetet në pikë për shkelësit. Do të kemi detyrimet ligjore të gatshme, deri në qershorin e ardhshëm që do të vihet në funksion patenta me pikë.

    -Është folur që do të kemi një ndryshim të strukturës për testet teorike. Mund të na thoni më konkretisht se kur do të bëhen këto ndryshime dhe si do të bëhen?

    -Ne jemi në përfundim të punës për përgatitjet e testeve teorike. Në lidhje me këtë ndryshim po marrin pjesë edhe specialistë të shoqatës së Autoshkollave dhe po punojnë me specialistët tanë. Një vëmendje të veçantë ka marrë dhe terminologjia që përdoret, pasi shumë pyetje ndryshojnë kuptimin e tyre nga mënyra se si bëhen. Shoqata e Autoshkollave ka paraqitur një variant të tyre dhe të dy grupet e punës po punojnë për përfundimin e variantit përfundimtar. Pas përfundimit të variantit do të ketë një kontroll përfundimtar dhe këtë kontroll do ja bëjmë të ditur edhe ministrisë së Punëve Publike dhe të Transportit nga i cili ne varemi. Pastaj pasi të marrë miratimin atëherë ai do të instalohet nëpër të gjitha autoshkollat kundrejt një tarife.

    -Me ligjin e ri ka disa kufizime për drejtuesit e mjeteve që i përkasin kategorisë së invalidëve, ku konsistojnë më konkretisht këto kufizime, pasi ka patur shqetësime në “Shijak TV” në emisionin e mëngjezit?

    -Po, me ligjin e ri që është miratuar vitin e kaluar, janë bërë disa kufizime për drejtuesit e mjeteve që i përkasin kategorisë së invalidëve. Më saktë personat që i përkasin kësaj kategori nuk mund të përdorin një mjet që është më shumë se 2500 kubikë Pra këto persona duhet të përdorin mjete që janë me fuqi më të vogël se 2500 kubikë.

    -Po ato persona që kanë pasur një mjet me më shumë se 2500 kubikë që para daljes së këtij ligji çfarë duhet të bëjnë, a e ka parashikuar ligji këtë?

    -Në fakt ligji nuk ka asnjë hapësirë për këto raste. Por ky është një ligj i nxjerrë nga Ministria e Financave dhe ne jemi vetëm agjentë të zbatimit të këtij ligji. Në fakt edhe ne kemi pasur dy apo më shumë raste të tilla dhe ja kemi përcjellë Ministrisë së Financave, por na ka thënë që nuk ka zgjidhje për këto raste.

    NDRYSHIMET PËR PROVIMIN E PATENTËS

    Në fillim kanë qenë 850 pyetje dhe ne e kemi zbritur numrin e tyre në 110, që janë cilësuar edhe si pyetje të ezauruara nga koha. Janë hequr pyetjet teknike që e tejkalonin nivelin e njohurisë që duhet të ketë një drejtues mjeti. Ne përgatisim drejtues mjeti dhe jo teknik për rregullimin e mjeteve. Prandaj është parë e arsyeshme që të hiqen ato pyetje që dalin jashtë njohurive që i duhen një drejtuesi mjeti. Po ashtu janë ezauruar edhe pyetje që përsëriteshin nga njëra klasë tek tjetra. Pyetjet do të jenë më të drejtpërdrejta. Po ashtu është propozuar edhe nga drejtuesit e autoshkollave për uljen e numrit të gabimeve, por për këtë nuk është marrë asnjë vendim deri më tani. Ndërsa në lidhje me afatin e praktikës nuk do të ketë zgjatje të afatit pasi ne kemi një strukturë të vendeve të Bashkimit Europian.