Petrit Demiraj: Projekti i TEC-t dhe mundësia e ngrohjes së Korçës

609
Sigal

Kostot, ndikimi në mjedis dhe cila është alternativa më e mirë mes TEC-eve, drurit dhe gazit

Projekti i TEC-it dhe mundësitë e ngrohjes së Korçës

Korça e ka pasur dikur një TEC. Diktuar nga rezervat e qymyrgurit në Mborje Drenovë, nga klima e ftohtë dhe në funksion të zonës industriale qe po krijohej, në vitet ’60 kinezët e ndërtuan atë pranë kësaj zone, në formë dhurate nga Kina. Fuqia e instaluar llogaritej vetëm për Korçën në formën e avullit teknologjik, për ngrohje si dhe për prodhim energjie elektrike për qytetin. Ngrohja  e banesave nuk rezultoi eficiente, sidomos për banesat që ndodheshin larg TEC-it.  Lënda e parë ishte qymyri i gurit me fuqi të lartë kalorifike i minierës së Mborje Drenovës, por që çlironte mjaft mbetje dytësore. Një pjesë e kësaj sasie mbetjesh  riciklohej në prodhimin e tullave por ato në trajtë grimcash bloze  hidheshin nga oxhaku  në atmosferë. TEC-i u mirëmbajt në gjendje funksionale deri pas viteve ’90.  Megjithëse teknologjia konsiderohej e kohës, ai krijoi mjaft probleme mjedisore për qytetin dhe zonën e Korçës. Debati aktual ka të bëjë me TEC-in e ri me gaz natyror që do të ngrihet pranë Korçës.  Ai do të prodhojë 500 MW energji elektrike duke përfshirë 80 MW për prodhimin e avullit për ngrohjen qendrore të qytetit të Korçës dhe për nevoja të tjera të bujqësisë, si dhe 5 MW për ujë të ngrohtë sanitar.

Meqenëse reagimet ndaj TEC-it janë të shumta, pa lodhur lexuesin me shifra, po trajtojmë alternativat e ngrohjes në dy aspektet kryesore:

1. Kostoja e ngrohjes

Korça është zonë mjaft e ftohtë.  Sipas  statistikave 1951-1990, temperatura mesatare vjetore është 10,5 OC. Nevojat për energji në dimër janë mbuluar kryesisht nga lënda drusore.  Kostoja e kësaj lënde është rritur shumë dhe rezervat nga pyjet përreth po pakësohen me ritme të shpejta. Megjithatë kjo është ngrohja tradicionale dhe e preferuar në Korçë. Mbetjet dhe tymi që mbulon Korçën në dimër bëjnë që atmosfera mbi qytet të jetë shumë e ngarkuar.  Sot, në qoftë se do të përdorej vetëm kjo mundësi ngrohjeje,  në muajt e dimrit dhe po te llogariten  vetëm 70% e numrit prej 29 000 familjeve korçare, do të digjen rreth 142 000 m3 ose rreth 64 mijë ton dru ahu. Kjo sasi lënde djegëse zhvillon gjatë dimrit  për të ngrohur qytetin e Korçës një fuqi prej rreth 142 MW. Në qoftë se marrim si rendiment të përafërt të sobave rreth 60% (pasi shumë gazra të nxehta nga drutë qe digjen ikin jashtë), fuqia neto, e dobishme për ngrohje e qytetit shkon rreth 85 MW. Pra e çfarëdo origjine qe të jetë, (dru, gaz, elektrike etj…) ngrohja e brendshme e gjithë mjediseve të qytetit kërkon një fuqi rreth 85 MW. (Supozohet se digjen nga  çdo familje 7 m3 dru ahu 90% të thata, për 5 muaj nga 15 orë në ditë). Për pasojë kostoja e 7 m3 dru, pra kostoja vjetore e familjes shkon rreth 28 mijë lekë.

  • Në qoftë se do të përdoret për ngrohje gazi metan me fuqi kalorifike 50 MJ/kg,  i djegur ky brenda në mjediset familjare me soba inkandeshente (rendimenti 100%),  për të njëjtën sasi nxehtësie vjetore që nevojitet, duhet të blejmë rreth 680 kg gaz me çmimin e sotëm 50 lek/kg. Pra kostoja e ngrohjes së familjes në këtë mënyrë, me çmimin e sotëm shkon 34 mijë lekë. Në qoftë se nuk përdoret teknologjia e ngrohjes me soba gazi, por me kaldajë të instaluar brenda shtëpisë, rendimenti bie pak, rreth 10% dhe kostoja e ngrohjes shkon rreth 37 mijë lekë.
  • Në qoftë se ngrohja do të realizohej nga TEC-i, rendimenti i nxehjes së avullit në projekt është deklaruar 60%. Pra 60% e energjisë që zotëron gazi metan i shkon si energji e brendshme avullit. Përveç kësaj rendimenti i transmetimit të energjisë nga TEC-i në familjet korçare është mjaft i ulët. Ai varet nga temperatura e mjedisit, nga cilësia e termoizolimit të tubave, nga gjatësia e tyre dhe nga koha e qëndrimit të avullit në tuba. Ky sistem kërkohet të jetë në aktivitet dinamik  maksimal pasi energjia termike në këtë rast nuk mund te konservohet. Por edhe  mbyllja e rubineteve familjare krijon përsëri humbje në fragmente të ndryshme të tubave. Po të shtojmë edhe rendimentin e shkëmbimit të nxehtësisë  te radiatorëve brenda banesës, humbjet totale të këtij transmetimi janë shumë të mëdha. Dhe konkretisht duke llogaritur këto rendimente del se rreth 30% është eficenca e plotë e sistemit. Pra duhet të digjet ne TEC gaz 3.4 herë më tepër për të pasur të njëjtën sasi nxehtësie në banesat tona si në rastin e ngrohjes me sobë gazi. Por, po ti shtojmë kësaj llogarie edhe shpenzimet e prodhuesit, taksat, fitimin etj,  kostoja e ngrohjes shkon rreth 4.5 herë më tepër se në rastin e ngrohjes me sobë gazi. Pra çmimi vjetor i kësaj ngrohjeje (në qoftë se TEC-i do ta marrë gazin nga TAP me të njëjtin çmim si qytetarët), shkon rreth 150 mijë lekë. Që kostoja të barazohet me atë të kaldajës shtëpiake me gaz duhet që TEC-i ta blerë gazin nga TAP me çmim rreth 20% të çmimit që do ta marrin gazin qytetarët. Kjo kosto e bën të vështirë perspektivën e ngrohjes së qytetit nga TEC-i.
  • Meqë po flasim për leverdinë ekonomike, e njëjta energji vjetore elektrike me çmimin e sotëm 9.5 lekë/kWh kushton rreth 90 mijë lekë.

Grafiku i kostos vjetore të ngrohjes (në lekë) sipas alternativave:

2. Ndikimi në mjedis

  • Për sa i përket ngrohjes me dru, impakti është mjaft i madh për mjedisin. Produktet e djegies janë dyoksidi i karbonit CO2, uji H2O dhe mjaft mbetje të tjera në formë grimcash hiri dhe bloze. Gjatë djegies së 1 kg dru çlirohet  afërsisht 1,47 kg dyoksid karboni.  Koeficienti energjetik i çlirimit të CO2 është 0.39 kg  dyoksid karboni për çdo kWh energji të prodhuar. Duhet të theksojmë se dyoksidi i karbonit CO2 nuk është toksik, pra nuk shkakton asnjë efekt negativ mbi organizmat e gjalla. Gjithashtu uji dhe hiri. Vetëm blozat konsiderohen të dëmshme sidomos për sistemin e frymëmarrjes.

– Përveç kësaj, ngrohja me dru ka shkaktuar dëmtim tërësor të pyjeve duke ndikuar direkt në cilësinë e mjedisit. Pyjet janë formacionet kryesore që përthithin dyoksidin e karbonit dhe çlirojnë oksigjen duke përmirësuar raportin oksigjen/gaz karbonik të ajrit.

– Në dallim nga ngrohja me TEC, produktet e djegies me dru i kemi gjithmonë pranë banesave sidomos në ditët që mungon era qe t’i largoje.

– Dhe faktori i fundit, komoditeti i munguar, përgatitja, trajtimi i druve dhe i mbetjeve të djegies. Megjithëse korçarët janë të lidhur tradicionalisht me këtë alternative  ngrohje.

  • Ngrohja me gaz duke e blerë atë ose duke pasur një instalim të përhershëm. Djegia mund të bëhet në sobë brenda mjedisit familjar, ose me një kaldajë zakonisht e instaluar në ballkonin e banesës. Koeficienti energjetik i çlirimit të dyoksidit të karbonit është 0.2 kg për çdo kWh energji të prodhuar. Ngrohja me sobë brenda që ka rendiment më të lartë, ka dy probleme: e para produktet e djegies (CO2 dhe H2O) ngelen brenda banesës duke dëmtuar cilësinë e ajrit, duke pakësuar ndjeshëm oksigjenin. Dhe e  dyta është rreziku nga avaritë e mundshme të rrjedhjes së gazit që në mungesë të sensorëve, me rritjen e përqendrimit çojnë në shpërthimin e gazit. Përdorimi i kaldajës eliminon plotësisht këto dy probleme.
  • Ngrohja nga TEC-i ka impakt më minimal në mjedis. Por kjo me kusht që të konsumohet gaz aq sa kërkojnë nevojat e Korçës për ngrohje. Sikur të gjitha familjet e qytetit të ngroheshin me gaz fuqia nevojshme e TEC-it  duhej të ishte afër 100 MW. Por TEC-i në projekt do të prodhojë edhe energji elektrike 500 MW, që do të thotë të digjet një sasi 5 herë më e madhe gazi nga ajo që do të kërkonte ngrohja. Gazrat e djegies së TEC-it (CO2 dhe H2O) nuk janë toksike, por realisht shtojnë sasinë e dyoksidit të karbonit dhe ujit, dhe të dy këto janë  gaze serë. Gjithashtu, duke pasur parasysh statistikën 50 vjeçare të diagramës se erërave, në shumicën e kohës era në qytetin e Korçës vjen nga veri-perëndimi, pra pothuaj në drejtimin nga TEC-i drejt qytetit.

Pra ndër këto alternativa ngrohje,  në qoftë se merret parasysh kostoja e ngrohjes dhe dëmtimi i cilësisë së ajrit, zgjidhja më e përshtatshme për ngrohjen e qytetit është ajo me kaldajë gazi që të furnizohet nga një sistem urban gazi nëntokësor i instaluar. Me futjen në shfrytëzim të TAP çmimi i gazit natyror do të ulet ndjeshëm duke e bërë këtë alternativën me koston më minimale monetare dhe mjedisore.

TEC-i është një investim strategjik dhe bashkëkohor. Nevojat e vendit për energji elektrike janë në rritje edhe për shkak të ngrohjes së shpejtë globale. Por mbase vendi më i përshtatshëm për të është diku pranë Zëmblakut, ku ndodhet afër stacionit elektrik për të transmetuar energjinë e prodhuar. Aty ka të  garantuar gjithashtu edhe ujin teknologjik nga lumi i Devollit, duke ruajtur të paprekur cilësinë e mjedisit të qytetit të Korçës.