Tarifat 100% më të shtrenjta, AKEP “kryqëzon” kompanitë celulare

289
Sigal

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka hedhur për konsultim dokumentin për rezultatet e modelit të kostove të shërbimeve me shumicë të rrjeteve celulare. Ky vendim i AKEP, qartazi tregon se si çmimet grabiqare po rëndojnë xhepat e qytetarëve. Kërkesa për t’u ulur me 32% do të thotë se kompanitë marshin i fitimit  kalon  50%.

Dokumenti në fjalë synon të vendosë tarifa me shumicë (terminimi) të thirrjeve që të reflektojnë kostot direkte, të matura për operatorët e komunikimeve të lëvizshme në Shqipëri. Deri tani, për vendosjen e tarifave të terminimit të thirrjeve kombëtare, AKEP është mbështetur në metodën benchmark të mesatarizimit të tarifave të aplikuara në vendet e BEREC (Trupa e Rregullatorëve Europianë të Komunikimeve Elektronike). Kjo është bërë në mungesë të një metodologjie të mirëfilltë për llogaritjen e kostove të tregut shqiptar.

Sipas analizës së kostove të përgatitura nga konsulentët e kontraktuar nga AKEP për këtë qëllim, kosto e terminimit të thirrjeve kombëtare ka rezultuar rreth 0.751 lekë për minutë, ndërsa për thirrjet hyrëse ndërkombëtare 0.762 lekë për minutë. Tarifat aktuale të terminimit në Shqipëri janë rreth 1.11 lekë/minutë për të dyja llojet thirrjeve. Për t’i çuar këto tarifa në kosto, që është edhe objektivi i AKEP, tarifat e terminimit të thirrjeve duhet të ulen me rreth 32% për thirrjet kombëtare dhe me 31% për ato ndërkombëtare.

AKEP konsideron se ky hendek është i rëndësishëm, megjithatë parashikon që ulja këtyre tarifave drejt kostos të bëhet në mënyrë të përshkallëzuar (glide path), sepse në periudhën afatshkurtër ndikimet e krizës së pandemisë mund të jenë të ndjeshme për operatorët.

Mbështetur edhe në eksperiencën e vendeve të tjera, AKEP ka propozuar që ky proces të zgjasë dy vjet, në intervalin 2022-2024. Sipas dokumentit, parashikohet që tarifa e terminimit të thirrjeve në rrjetet celulare të ulet në 1.02 lekë/minutë vitin e ardhshëm, në 0.89 lekë/minutë në vitin 2023 dhe përfundimisht në 0.75 lekë/minutë në vitin 2024. AKEP ka hapur fazën e konsultimit publik që do të zgjasë 30 ditë dhe pasi të jenë marrë mendimet e palëve të interesuara do të vijohet me vendimmarrjen finale.