Punonjësja e “Shqiponjave” pezullohet nga detyra, pse protestoi për të mbrojtur nga shembja banesën te gjimnazi “Petro Nini Luarasi”

629
Sigal

Punonjësja e policisë Blerta Dervishi, e cila banon tek banesa pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” është pezulluar nga detyra. Dervishi ishte punonjëse e policisë pranë Repartit “Shqiponja” në Policinë e Tiranës. Ditën e pardjeshme ajo ka protestuar te “Petro Nini”, pasi punonjësit e IKMT-së shkuan për të shembur banesën ku ajo jeton bashkë me 14 persona të tjerë. Urdhri i pezullimit të polices nga detyra, është bërë me motivacionin, se ka penguar punonjësit e policisë në ushtrimin e detyrës. Punonjësja e Policisë së Shtetit u flak në rrugë, sepse mbrojti shtëpinë e familjes, të fëmijëve të saj, në kundërshtim me urdhrat e drejtuesve të Policisë së Shtetit.

Policia e Shteti shpërdoron detyrën, ndalon kryetarin e PD-së të hyjë në sallën e gjyqit

Dje, Policia e Shtetit edhe një herë shpërdoroi detyrën, shkeli në mënyrë flagrante ligjin, duke ndaluar hyrjen e qytetarëve në një sallë gjyqi, kur gjyqi do zhvillohej me dyer të hapura. Dje, në gjykatën e Fierit, do të gjykohej çështja e masës së sigurisë për qytetarët protestues në mitingun e kryeministrit Rama, para disa ditësh. Ata akuzohen për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”. Kreu i PD-së Luan Baçi nuk është lejuar që të hyjë në ambientet e brendshme të Gjykatës. Ai ka pasur dhe një komunikim me punonjësit e policisë, të cilët i kanë komunikuar vendimin. Pavarësisht insistimit të Baçit për të gjetur arsyen e refuzimit të hyrjes së tij në Gjykatë, policët i janë përgjigjur “kemi urdhër nga shefi”, “fol me shefin”. Përballë kamerave, policët ushtrojnë forcë kundër kryetarit të PD-së, e ndalojnë fizikisht, që të mos hyjë në sallë, nuk i tregojnë asnjë dokument zyrtar, që të ligjësojë ndalimin e hyrjes në sallë gjyqi, por gojarisht i thonë, që kanë marrë urdhër gojor nga shefi i tyre, që ta pengojnë. Pra Policia e Shtetit në Fier, nuk vepron sipas ligjeve, nuk bëhet institucion shtetëror i zbatimit të ligjit, por bëhet kamxhik i shefave të Policisë së Shtetit kundër të drejtave themelore të qytetarëve.