Kanë kaluar 55 vjet nga festivali i parë kur hapi siparin në vitin 1968
Ministria e Kulturës znj. Elva Margariti ka shpallur zhvillimin e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës nga data 24 deri në 30 qershor në Kalanë Historike të qytetit të gurtë që mbrohet nga UNESCO.
Ky është një vit jubilar, mbasi kanë kaluar 55 vjet nga festivali i parë kur hapi siparin në vitin 1968 dhe edicioni i dhjetë që ky manifestim madhështor i folkloristikës shqiptare organizohet në Gjirokastrën e mençur e të bukur.
Në këtë rrugëtim mbi gjysëmshekullor në kalanë e Argjiros, në sofrën e këngës, në panteonin e promovimit të trashëgimisë folklorike, në këtë skenë madhështore janë ngjitur mbi 20.000 artistë popullorë nga mbarë vendi si dhe shqiptarët nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Arbëreshët e Italisë, Diaspora në Europë dhe Amerikë ku me zërat e tyre brilantë kanë bërë të buçasin bedenat e kalasë së lashtë të Gjirokastrës. Nuk ka në asnjë vend të Europës e më gjërë që të organizojnë një manifestim kaq madhështor të trashëgimisë folklorike siç është Festivali i Gjirokastrës.
Personalitete të kulturës botërore, që kanë parë Festivalin e Gjirokastrës kanë mbetur të mahnitur dhe janë shprehur me vlerësime të larta e superlativa për këtë festival, që është institucioni më i lartë i promovimit të folklorit tonë tradicional dhe atij bashkëkohor.
Ja disa nga këto vlerësime:
Selina Grasia Gordunjo, zv/drejtore e Institutit Meksikan të Kulturës shprehet: “Qyteti i Gjirokastrës është për mua një vend i mrekullueshëm për të organizuar festivalet folklorike. Unë jam emocionuar që marr pjesë në festivalin që organizohet këtu në qytetin e Gjirokastrës. Gjithashtu jam shumë e lumtur që takoj një popull, i cili këndon me shpirt dhe krenari këngët e tij”.
Brenard Lortat- Jakob, Etnomuzikolog i Qëndrës Nacionale të Kërkimeve Shkencore, Paris: “Për muzikologun Festivali Folklorik i Gjirokastrës është një minierë inforacioni të çmueshëm për traditat shumë të mëdha mesdhetare e ballkanike. Eshtë veçanërisht interesante të theksoj se si temat e reja gërshetohen me temat tradicionale”.
Dr. Ditrih Shyler, Përfaqësuesi i Fonogram Arkivit të Akademisë së Shkencave të Austrisë, Vienë: “Do ta kujtoj këtë festival për një kohë të gjatë. Kam ditur edhe më parë për pasurinë e folklorit shqiptar, por ato që kam parë dhe dëgjuar këto ditë e kaluan së tepërmi atë që mund të përfytyroja. Në asnjë vend të Europës sot nuk ka mundësi të dëgjosh e të shikosh këngë e valle folklorike kaq spontane, vitale dhe në të njëjtën kohë kaq tradicionale”.
Ky është festivali i Gjirokastrës ku mbeten të magjepsur të huajt kur e ndjekin atë në sheshin e kalasë historike. Të gjithë ata që e ndjekin festivalin dhe rrinë disa ditë në qytetin e Gjirokastrës ngelen të befasuar nga kjo mrekulli “Perlë e Ballkanit” qyteti i manxuranës dhe Kadaresë, pikë e floririt mbi malin e Gjerë që Zoti vetë e zgjodhi dhe një mal me yje përmbi ballë ja hodhi. Dhe pastaj çlodhen në kafenetë aty tek Qafa e Pazarit dhe pinë një kafe të shtypur në gurin e kafesë që nuk do ta gjejnë në asnjë vend tjetër edhe ata që vijnë nga Europa e shumë më larg.
Në 9 edicionet e Festivalit të Gjirokastrës kemi parë të ngjiten në atë skenë madhështore korifej virtuozë, interpretues të talentuar, zëra brilantë, valltarë që fluturonin në skenë, artistët popullorë, që janë krenari e kulturës tonë si: Vaçe Zela, Mentor Xhemali, Demir Zyko, Ndue Shyti, Katina Bejleri, Fatime Sokoli, Bik Ndoja, Xhevat Avdalli, Nazif Çela, Arjan Shehu, Dhimitër Rafti, Golik Jaupi, Laver Bariu, Vëllezërit Zena, Fitnete Rexha, Ali Kondi, Merita Halili, Pleqtë e Krujës, valltarët e Tropojës, Devollit, Lushnjes, Tiranës, grupi çam i Rrogozhinës si dhe poetët Lefter Çipa, Agim Shehu, Gjok Beci, Maliq Lila etj., që promovuan me tërë pasionin e shpirtit vlera të rralla të folklorit tradicional e atij bashkëkohor.
Festivali i Gjirokastrës është festa më e madhe e folkloristikës shqiptare, që mblodhi në qytetin e gurtë qindra artistë popullorë, të cilët mbushin me tinguj gazmorë dhe optimistë nga mëngjesi deri në mbrëmje gjithë qytetin, që i ndjek me dashuri, këta këngëtarë që të befasojnë me performacën e tyre si vlera të çmuara të trashëgimisë tonë kulturore kombëtare.
Mikpritja gjirokastrite nuk do të mungojë dhe në ditët e këtij festivali dhe Anetë zemërbardha të dashurat, fisniket, të mirat deri në madhështi do të hapin kanatet e portës së madhe dhe do të presin me gjithë dashurinë e shpirtit siç dinë ato, festivalistët nga gjithë vendi.
Kaluan 8 vjet nga festivali i fundit i vitit 2015 mbasi pandemia dhe karantina na detyroi të izolohemi, por ja tashmë e kaluam këtë situatë dhe artistët popullorë nga mbarë kombi janë në përgatitjet e fundit dhe presin me gëzim në skenën madhështore të kalasë së festivalit për të prezantuar perla nga folklori tradicional dhe ai bashkëkohor si pjesë e identitet tonë kombëtar.
Si në çdo festival edhe këtë herë do të vijë si jehonë për gjithë artistët popullorë kënga e grupit të Gjirokastrës e vitit 1983 kënduar në festival ku thuhet:
“Mirë se vjen tërë Shqipëria”
Na buron nga zemra
kënga më e mirë!
Në Kalanë e Festivalit
plot me mysafirë.
Ç’erdhën sot në vatrat tona
kaq zambak e kaq shqiponja,
nga Saranda tek Valbona.
Thoja shqipe thoja!
Hidhe vallen shtruar!
Këndoni o male
sup më sup bashkuar.
Dhe me këtë forcë emocionuese me këtë pathos dhe këtë larmi befasuese e kontrastuese të melodive, veglat popullore, kostumet e shndritshme e shumëngjyrëshe, me zëra brilantë të artistëve popullorë të traditës dhe ata që do të ngjiten për herë të parë në skenën magjike të Festivalit të Gjirokastrës do të buçasin bedenat e kalasë historike në javën e fundit të këtij qershori.
Në fjalën e saj ku shpalli zhvillimin e Festivalit të Gjirokastrës ministria e Kulturës znj. Elva Margariti vlerësoi madhështinë e këtij festivali dhe uroi gjithë artistët pjesëmarrës për një prezantim sa më dinjitoz.
Ndër të tjera znj. ministre shprehu edhe mendimin se Festivali i Gjirokastrës si manifestimi madhështor i trashëgimisë tonë kombëtare duhet të vlerësohet dhe të merret në mbrojtje nga UNESCO si vlerë e trashëgimisë botërore.
Po ofron dita e zhvillimit të Festivalit të Gjirokastrës. Ka filluar numërimi mbrapsh dhe artistët popullorë janë në përgatitjet e fundit. Po bien tupanat, festa ka filluar. Dasma e folkut arbëror ka nisur.
Krushqit dhe dasmorët po bëjnë përgatitjet e fundit dhe presin të vijnë të shtunën e 24 qershorit 2023 për t’u nisur në Gjirokastër në Kalanë e Festivalit. Publiku artdashës i pret me shumë dashuri.
Fillim të mbarë festivalit të Gjirokastrës!