Luftëtarët pjesëmarrës dhe në ruajtje të Kongresit të Manastirit

1084
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Gjetje e zgjuar e shqiptarëve

Në nëntorin e vitit 1905, me nismën e Bajo Topullit, ishte krijuar Komiteti i Fshehtë “Për lirinë e Shqipërisë”. Qëllimi i këtij komiteti ishte puna për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare. Me idenë absolute se liria nuk mund të pritej, por të kërkohej, Bajo Topulli gjykoi se kishte ardhur momenti që perandoria osmane të detyrohej që edhe me forcën e armëve të pranonte vullnetin e popullit shqiptar. Në janar 1906 krijoi të parë çetë patriotike në Jug. Në këtë çetë, Çerçiz Topulli, vëllai i tij, ishte luftëtari më i shquar dhe më aktiv. Për të përçuar këtë frymë, çeta patriotike e Bajo Topullit filloi të lëvizte në të gjithë territorin e Jugut të Shqipërisë. Rezultati i kësaj punë ishte dalja në skenë e mjaft çetave patriotike; të Sali Butkës, Qamil Panariti, Spiro Ballkamenit, Themistokli Germenjit, Muharrem Rushitit, Demo Eminit etj. Pjesëmarrja e luftëtarëve të lirisë si Çerçiz Topulli, Mihal Grameno dhe Bajo Topulli në Kongresin e Manastirit ishte një gjetje e zgjuar e shqiptarëve për përgatitjen, mbarëvajtjen dhe përfundimin me sukses të punimeve të këtij kuvendi. Çerçiz e Bajo Topulli, si dhe Mihal Grameno ishin delegatë të kongresit, por dhe luftëtarë të lirisë. Çeta e Çerçizit u vendos në mbrojtje të Kongresit.

Çerçiz Topulli lindi në Gjirokastër. Ishte komit i famshëm, njeri me shumë ndikim në zonat Gjirokastër, Kurvelesh dhe në Shqipërisë Juglindore. Ishte vëllai i Bajo Topullit, atdhetar i shquar. Të dy këta, bashkë me Mihal Gramenon, duke qenë në Sofje, krijuan në verën e 1907-s një çetë kryengritësish, që kishte për detyrë nxitjen e kryengritjes antiosmane në Shqipërinë e Jugut në vitin 1908. Çerçiz Topulli dhe çeta e tij u shndërrua në legjendë pas rezistencës që i bënë ushtarëve osmanë në fshatin Mashkullorë, më 5 mars të 1908. Në verën e të njëjtit vit, Çerçizi tentoi, por pa rezultat, të shtinte në dorë Korçën. Pas këtij momenti e deri në momentin e rënies së qeverisë së Princ Vidit ai iu kushtua lëvizjes patriotike dhe përhapjes së shkollave shqipe në krahinat e Jugut. Në 1914 u strehua, si shumë politikanë të tjerë shqiptarë në Shkodër, ku bashkëpunoi me Muço Qullin në botimin e gazetës “Populli”. U vra në Fushën e Shtojit, në Shkodër, nga trupat malazeze, më 15 korrik 1915. Ishte vetëm 35 vjeç.

Mihal Grameno ishte nga Korça. Ai lindi në janar të 1871. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes. Emigroi që herët në Rumani, ku u lidh me lëvizjen kombëtare shqiptare. Në moshën 28-vjeçare ishte sekretari i shoqërisë patriotike shqiptare “Drita”. Në 1907 iu bashkua çetës së Çerçizit me shokë dhe bëri jetë prej komiti. Më pas ishte drejtues gazetash në Korçë. Nga 1915 e deri në 1919 emigroi në Amerikë. Ishte njëri nga përfaqësuesit e shqiptarëve të Amerikës në Konferencën e Paqes në Paris. Mihal Grameno ka lënë pas edhe shumë krijime letrare me frymë patriotike. Vdiq në Korçë më 1931.

Bajo Topulli ka lindur në Gjirokastër në 1869. Në 1905 ishte nëndrejtor i gjimnazit turk të Manastirit. Në nëntor të këtij viti ishte njëri prej nismëtarëve të krijimit të Komitetit të fshehtë paraushtarak që quhej “Për lirinë e Shqipërisë”. Në mars të 1906 ishte në krye të një çete të armatosur, që vepronte në zonën e Korçës. Pikërisht kjo çetë ekzekutoi në shtatorin e 1906 peshkopin e atëhershëm grek të Korçës Fotin. Peshkopi akuzohej si nxitësi kryesor i vrasjes së priftit patriot Papa Kristo Negovani. Deri në shpalljen e Kushtetutës osmane, në 1908, Bajo Topulli ishte njëri ndër veprimtarët më të njohur të lëvizjes patriotike shqiptare. Për disa kohë, pas shpalljes së Pavarësisë, jetoi jashtë vendit. Në 1923 kthehet në Gjirokastër, qytet i cili në 1925 e zgjedh Kryetar Bashkie. Jep dorëheqjen për arsye shëndetësore në 1928 dhe vdes dy vjet më vonë në Sarandë.

Misioni i çetave të lirisë

Formimi i çetave dhe fillimi i luftës së organizuar u përkrah e u propagandua në mënyrë të veçantë nga organet e shtypit atdhetar shqiptar, si “Drita” (Sofje), “Kombi” (Boston), “Shpresa e Shqypnisë” (Raguzë-Trieste-Romë) etj. Për shkak të lidhjeve të redaktorit të saj, Shahin Kolonja, me Komitetin “Për lirinë e Shqipërisë”, gazeta “Drita” (Sofje) u kthye në organ të këtij Komiteti. Në mars 1906 atdhetarët shqiptarë të kolonisë së Sofjes organizuan një çetë tjetër, nën komandën e Çerçiz Topullit, me të cilin u bashkua shkrimtari atdhetar Mihal Grameno dhe Idriz Gjakova. Çeta kishte si mision të përhapte “ndjenjat kombëtare në të gjitha anët e Shqipërisë”. Në dhjetor të vitit 1906 u botua në këtë gazetë artikulli i Çerçiz Topullit “Ndjenjat e një mëmëdhetari”, në të cilin u bëhej thirrje shqiptarëve “… të bashkoheshin gegë e toskë, të krishterë e muhamedanë, të dalim maleve, të luftojmë deri në vdekje, dhe të bëjmë që të dëgjohet zëri i kryengritjes që nga Preveza e gjer në kufijtë e Serbisë e të Malit të Zi”. Në prill të vitit 1907 çeta u nis nga Italia (Brindizi) dhe zbarkoi në bregdetin shqiptar, afër Vlorës. Çeta zhvilloi një veprimtari të gjerë propagandistike në Shqipërinë e Jugut, sidomos në krahinat e Gjirokastrës e të Korçës, për t’i ngritur shqiptarët në luftë për çlirimin e vendit, -shpërndante flamuj të Shqipërisë, fotografi të Skënderbeut dhe libra e abetare shqipe, të sjella nga kolonitë e Bukureshtit e të Sofjes.

Përgatitja e delegatëve për në kongres

Luftëtarët e çetës zgjidheshin më trimat e fshatit apo të krahinës, që kishin përvojë në luftime, por dhe bërë përgatitje e shkolla ushtarake. Shtypi shqiptar, sidomos gazetat “Drita”, “Kombi”, “Shpnesa e Shqypnisë” etj., në gjysmën e parë të vitit 1908 u bënin thirrje të rinjve shqiptarë që mobilizoheshin në ushtrinë osmane për t’u dërguar në vende të tjera, që “të braktisnin ushtrinë dhe të bashkoheshin me fryengritësit shqiptarë për të luftuar kundër tiranisë së egër osmane”. Një punë e rëndësishme bëhet pas shpalljes së kushtetutes edhe në frontin e kulturës. Patriotët punojnë me vrull në këtë drejtim. Çelja e shkollave shqipe i bën patriotët të mendojnë për një alfabet të vetëm kundër atij me shkronja arabe dhe greke. Alfabeti i “Stambollit” paraqiste vështirësi, për arsye se duheshin shtypshkronja të posaçme. Kongresi mblidhet në qytetin e Manastirit prej 14-22 nëntor 1908 dhe marrin pjesë në të 32 delegatë nga shoqëritë dhe nga klubet e ndryshme. Kongresi pranon që të merret abeceja e Stambollit e bashkë me të edhe një abece krejt latinë. Të dy abecetë do të mësohen në shkolla, por me kohë vetë jeta bëri që të zotërojë vetëm ay me shkronja latine. Por Kongresi i Manastirit ka edhe një rëndësi tjetër se forcon radhët e patriotëve shqiptarë dhe në mbledhje të fshehta këtu bisedohet për probleme politike, shoqërore e arsimore të kombësisë sonë dhe për qëndrimin që duhej mbajtur për ballë kapitalit të huaj, etj. Në Kongresin e Manastirit, për të dëgjuar vendimet, u thirrën edhe luftëtarë si Çerçis Topulli me shokë, të cilët i presin me entuziazëm vendimet e Kongresit të Manastirit. Duke prekur pastaj përparimin që ka arritur vendi ynë që nga shpallja e kushtetutës, Haki Pasha shton: “Me të shpallurit e lirisë, shqiptarët deshën mësim, hapën shkolla, të mëdha e të vogla, hapën klube, ngritën shtypshkronja, mbajtën kongrese e bënë aq punë, sa që s’na e priste mëndja jonë”. Të shqetësuar për këtë lëvizje, sadrazemi i Turqisë urdhëron në këshillin ministror dhe porosit në mënyrë të prerë: “Ky hov duhet ndalur, duhet t’i ndajmë e t’i përçajmë, t’i shtypim aq sa të mos kenë fuqi”. Por patriotët tanë, përballë përçarjes që ushtronte okupatori, vunë bashkimin dhe të bashkuar ata e luftuan armikun, duke mos e ndalur për asnjë çast përpjekjen e tyre për pavarësi dhe çlirim të atdheut.

 

Organizimi ushtarak

Komandant Çerçiz Topulli dhe sekretar, Mihal Grameno. Kishin një bërthamë luftëtarësh apo drejtuesish të përhershëm dhe, sipas rastit, shumoheshin numerikisht nga popullsia vendase për kryerjen e aksioneve të ndryshme. Armatimin e siguronin vet nëpërmjet sulmeve mbi forcat pushtuese, ndërsa për ushqim mbështeteshin kryesisht në popullsinë vendase. Veprimtaria e çetave në Shqipëri është e dukshme dhe në periudhën e parë të Rilindjes, pas Pashallëqeve, kurse pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit rishfaqen më të plota. Të tilla ishin çetat e Bajo e Çerçiz Topullit, Mihal Gramenos, e Themistokli Gërmenjit, Kajo Babienit e Sali Butkës etj, në pragun e fitores së Pavarësisë. Guximi, trimëria dhe hallet e përbashkëta i kishin afruar me njeri-tjetrin.