Ja skema e “grabitjes” nga ISSH-ja për pensionet e rritura pas 1 korrikut

    391
    Sigal

    VËZHGIM/Nuk zbatohen afatet kohore për nxjerrjen e kartelave të pensioneve nga DRSSHT

    Vuajtjet dhe problemet e moshës së tretë me marrjen e pensioneve nuk kanë fund, po ashtu edhe babëzia e shtetit nuk njeh limit. Teksa afrohesh në korridoret e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë, janë lumë ankesat e të moshuarve. Ankesa për shërbimin e dobët, për vonesat e panevojshme, ankesa për mosllogaritjen mirë të shtesave që janë bërë pas datës 1 korrik. Teksa i sheh të lodhur nga mosha që mbajnë mbi supe, ato tregojnë se i lodh edhe pritja me orë të tëra pas dyerve të institucionit përkatës për procedurat e pensionit. Ata shprehen se, si shpërblim për punën e tyre të dekadave të shkuara, sot po marrin radhët e pritjes dhe indiferencën e punonjësve të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë.  Në sytë dhe në fytyrat e tyre shihen rrudhat e moshës, të cilat ua  rëndojnë më shumë ditët e pritjes për të marrë ato pak lekë që u takojnë për vitet e tyre të punës që kanë bërë. Në një vëzhgim që ka bërë gazeta “Telegraf” mori rrëfime nga më të ndryshmet nga pensionistë hallexhinj që nuk arrinin që të merrnin as shtesën e pensionit që u është bërë prej 1 korrikut. Një person i moshuar me inicialet B.LL, u shpreh për gazetën se: “Pensionet janë rritur që në datën 1 korrik dhe tani jemi në tetor, unë kam marrë vetëm rritjen për muajin e fundit që kam marrë pensionin. Kur e pyeta punonjësen për muaj e tjerë nuk më dha përgjigje”. Të moshuarit tregojnë se është e qëllimshme mosllogaritja e masës së rritjes së bërë që nga 1 korriku me qëllim përfitimi nga institucioni. Z. L, tregon se: “kur i pyet për lekët që duhet të marrësh nga rritja të thonë, do i marrësh muajin tjetër, muajin tjetër të thonë jemi të zënë e kështu kalojnë muajt dhe nuk i marrim lekët”.

    Si na gënjejnë për rritjen e 1 korrikut

    “Edhe unë ashtu kam mësuar me këtë problemin e marrjes së rritjes së pensionit. Që nga muaji korrik deri më tani nuk kisha marrë ndonjë rritje të bërë nga 1 korriku.  Tani më dhanë vetëm një 4 mijë lekësh të vjetër për rritjen” shprehet për “Telegraf”, S.A., i cili tregon më tej se: “Për muajt që kanë kaluar nuk kemi për ti marrë më ato rritje, por të paktën të na japin atë pak pension që na takon dhe të na i japin”. Ndërkohë  pres të marr ato pak lekë pensioni për të pirë një kafe, dhe për të plotësuar nevojat më minimale të jetesës në këtë moshë, pasi nuk kam të ardhura të tjera”.

    Ankesat nuk dëgjohen

    Në lidhje me ankesat pensionistët shprehen se nuk i dëgjon njeri fare. “Kemi bërë ankesa nuk na dëgjon njeri, as që i marrin fare parasysh ankesat tona” shprehet një zonjë që interesohej për marrjen e kartelës së pensionit. Të moshuarit theksojnë se kemi bërë ankesa por nuk do t’ja dijë njeri fare, madje as na presin për ankesat që kemi. Ata shprehen se: “E para nuk bëhet pritja në sektorët përkatës. Por i kanë grumbulluar tek nëndrejtoresha të gjithë personat që vijnë për ankesa. Ajo nuk i sqaron njerëzit se kur do i presë për problemin që ato kanë. Nëndrejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore ikën dhe nuk lë një orar se kur do të vijë sërish në zyrë”, shprehet E.L.

    Kartelat e pensionit vonohen me vite, ndërsa afati për marrjen e tyre është 60 ditë

    Afatet ligjore duket se nuk gjejnë aspak vend për t’u zbatuar në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të Tiranës. Shkeljet janë të pranishme në sektorë të ndryshëm, por kur flasim për nxjerrjen e një kartele ato e kalojnë çdo kufi. Sipas afatit ligjor një kartelë do maksimalja 60 ditë kohë për të kaluar të gjitha procedurat e nevojshme. Pas 60 ditësh ajo duhet që të jetë e gatshme për qytetarin. Ndërkohë që ky afat as që bëhet fjalë që të zbatohet nga punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Afati që nga fillimi i procedurave për nxjerrjen e një kartele pensioni në këtë drejtori sipas pensionistëve shkon nga 6 muaj deri në një vit. Kjo është një nga afatet kohore më “normale” thonë të moshuarit, pasi ka raste sipas tyre që afati e kalon edhe një vit. Këto vonesa vijnë për shkak të pengesave të panevojshme dhe nga paaftësia e punonjësve të këtij institucioni. Për vonesën e bërë është shprehur për “Telegraf” Y.XH, i cili tregon se ka dërguar dokumentet e nevojshme që para 6 muajsh dhe ende nuk i ka dalë kartela. “Unë kam 1 vit që kam sjelle letrat për kartelën e vëllain dhe nuk më kanë dhënë asnjë përgjigje, dhe madje as më thonë se kur do të dali” thotë për  “Telegraf”, Selvije H. nga Tirana. Ajo vijon më tej duke thënë: “Kur vij këtu më dërgojnë sa tek njëra punonjëse tek tjetra dhe më thonë që nuk është plotësuar dosja njëherë. Ato e kanë kaq të vështirë kalimin e dosjes nga njëra zyrë në zyrën tjetër”.