Denoncimi i nënës: “Gjinekologu pa licencë më mashtroi me ekon e fëmijës, vdiq 3 ditë pas lindjes”

    1890
    Sigal

    Abuzimi i mjekëve me klinika pa leje për ushtrimin e profesionit të tyre dhe pasojat i vuajnë qytetarët

    Korrupsioni, paaftësia apo papërgjegjshmëria e mjekëve ka bërë që shumëkush të ketë qenë viktimë e tyre. Përmes një artikulli denoncues, gazeta IDEA, sjell një rast tragjik të një gruaje nga Tirana, që ka pësuar një traumë të rëndë në përpjekjen e parë për t’u bërë nënë. Ajo akuzon publikisht një mjek, që me papërgjegjshmërinë e tij ka lejuar vazhdimin e shtatzënisë, duke siguruar në mënyrë të vazhdueshme se fëmija është normal, por që në fund ka rezultuar se ai kishte një problem të rëndë e që mund të identifikohej në kohë. Për këtë arsye fëmija humbi jetën vetëm tri ditë pasi u lind. Platforma denoncuese dhe investigative IDEA, po publikon letrën e nënës dhe do të kërkojë më tej shpjegime nga Urdhri i Mjekut, lidhur me këtë rast të paprecedentë, ku një mjek kryente eko pa qenë i licencuar për këtë profil. “Ardhja e një fëmije përbën një eveniment në të gjitha familjet, por kjo gjë megjithëse e shumëpritur, nuk rezultoi e tillë për familjen time. Një fund fatal për beben vetëm 3 ditësh dhe një traume për të gjithë familjen, ishte fundi i asaj që nisi 9 muaj më parë. Epiqendra e gjithë kësaj ngjarjeje mban emrin Dr.Avenir Balili. Ky mjek, pasi bëri ndjekjen e shtatzënisë time për 9 muaj me eko dhe vizita të përmuajshme, gjithmonë konstatonte një barrë normale. Në fund të fundit, kjo ishte ajo që dëshironim të gjithë dhe që më bëri mua si nënë, por të gjithë familjen time të besonim verbërisht në aftësitë e tij profesionale. Por pas emrit të madh të doktorit dhe diplomave të pafund fshihej papërgjegjshmëria, e cila filloi të bëhej evidente që me ekon morfologjike, e cila është ekoja që tregon nëse fëmija ka apo jo malformacione (keqformime). Është pikërisht ekoja vendimtare për diagnozën e paralindjes (d.m.th që i jep mundësinë prindërve që të vendosin nëse shtatzënia të vazhdoje ose jo). Mjeku tha se ekoja ishte normale, ndërkohë që fëmija vdiq nga një patologji kardiake që mund të shihej fare mire nga kjo eko që bëhet në javën e 18 – 20 të shtatzënisë. Nga informacionet e mbledhura në të gjitha literaturat mjekësore, kjo patologji mund të shihej fare mirë në ekon morfologjike. Me gjithë insistimin tim për të treguar kujdes, pasi dyshoja se barra nuk po shkonte mire, ai përsëri këmbëngulte se gjithçka ishte normale. Nga të dhënat që morëm në institucionin e Urdhrit të mjekut dhe në Ministrinë e Shëndetësisë ky mjek nuk ka licencë për ushtrimin e ekos morfologjike, këtë të drejtë e kanë vetëm mjekët imazherist tek, të cilët ai nuk na drejtoi. Ndjekja ime nuk është bërë asnjëherë me një kartele klinike ku të shënoheshin të gjitha medikamentet që merrja, javët e shtatzënisë kur bëja ekografi, gjendja e bebes, pesha dhe ankesat që mund të kisha, apo të dhëna të tjera që dokumentohen normalisht në një kartelë mjekësore. Kjo gjë e bën më të kompletuar ndjekjen e një pacienti. Por, me sa duket, doktori ynë i besonte verbërisht memories së tij të çalë dhe herë pas here duhet t’i kujtonim gjithçka që lidhej me shtatzëninë. Përveç të tjerash, ky mjek na rekomandoi që edhe lindjen ta bënim në spital privat, sepse me sa duket nga ato që morëm vesh me pas, aty pagesa ishte e majme edhe për atë që siguronte pacientë, apo klientë në gjuhën e biznesit. Pranuam çdo rekomandim të tij, vetëm që vajza jonë të vinte në jetë e shëndetshme. Duke qenë se besimi po më shuhej një dite para së fëmija të vinte në jetë, bëra një eko tek një gjinekologe tjetër, e cila konstatoi se fëmija ka Hipotrofi fetale (d.m.th prapambetje në rritje) dhe duhet të lindte sa më parë se mund të asfiksohej. E marr mjekun në telefon dhe e pyes, por ai si gjithnjë i papërgjegjshëm, me tha se me ka sqaruar, që fëmija është mirë me shëndet. Në fakt fëmija lindi me «seksio cezariane» dhe sigurisht që ajo ka qenë dita më e lumtur e jetës sime, deri në momentin kur mora vesh se vajza ime vuante nga një patologji e rëndë kardiake, e cila ishte dhe arsyeja e prapambetjes në rritje. Në spitalin ku unë linda e thërriten disa herë mjekun që më kishte ndjekur dhe pas shumë hezitimesh erdhi dhe për t’u shfajësuar, mohonte diagnozën e vendosur nga mjekët e specializuar të spitalit, duke vënë në dyshim dhe aftësitë profesionale të kolegëve të tij. Ai mendonte se kjo ishte diçka kalimtare dhe vajza do të bëhej mire. Por siç ju thashë që në fillim fëmija nuk jetoi dot më shumë se tre ditë. Ne jemi të bindur se e gjithë sa ndodhi është për shkak të papërgjegjshmërisë së mjekut, pasi nëse do të ishin konstatuar me kohe anomalitë do të ishim të përgatitur dhe mund të merrnim në kohe një vendim për ta vazhduar ose jo shtatzëninë. Ne i jemi drejtuar me këtë ankesë edhe “Urdhrit të mjekut”, si instanca që jep mundësinë e licencimit dhe u jep të drejtën e ushtrimit të profesionit të gjithë mjekëve. Ne kemi paraqitur si dëshmi të gjithë ekot që kemi bërë tek ky mjek, por deri tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Ne si prindër jemi të ndërgjegjshëm se askush nuk mund ta na sjellë në jetë fëmijën tonë. Por gjithashtu, ne jemi dëshmitarë se si në shumë raste, në shume klinika në Tiranë dhe qytete të tjera, shumë foshnja dhe nënat e tyre bëhen viktima të mjekëve të cilët, ose nga etja për fitime ose nga papërgjegjshmëria, shndërrohen në vrasës të fëmijëve dhe ëndrrës së prindërve për një fëmijë. Ky denoncim publik që po bëj si nënë, është një përpjekje për të vënë para drejtësisë njerëz që nuk meritojnë të jenë mjekë, për të vënë para përgjegjësisë institucione që duhet të kontrollojnë klinikat private ku punojnë mjekë të pazotë e pa formimin e duhur profesional. Por ky është edhe një thirrje për të gjithë nënat dhe çiftet që bien viktima të këtyre soj mjekësh që të mos heshtin, të mos pranojnë verbërisht fatkeqësitë që u vijnë nga njerëzit e papërgjegjshëm si mjeku Avenir Balili, si të ishin fatkeqësitë të Zotit apo natyrës”.  Anjeza Frakulla (Nëna e fëmijës)