Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri, njëherësh dhe drejtues i qarkut të Elbasanit, zhvilluan një bashkëbisedim me fermerë dhe blegtorë të zonës së Shirgjanit, ndërsa në takim mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama. Gjiknuri theksoi se investimi i ri i qeverisë për unazën bujqësore ka dhënë një impakt të jashtëzakonshëm në rritjen e prodhimit të kësaj zone.“Këtu nuk ka pasur as rrugë dhe me zor shihje një serë. Më bën përshtypje një investim i qeverisë, kjo unazë bujqësore, e cila unë shpresoj që të vazhdojë dhe të lidhet me zonën e Cërrikut për të bërë një unazë të plotë. Ka dhënë një impakt të jashtëzakonshëm përsa i përket rritjes së prodhimit. Unë këtë e kam mësuar nga ju”, -tha ai. Numri i dy i socialistëve nënvizoi se si pasojë e vëmendjes që është treguar, është trefishuar dhe sipërfaqja e serave të mbjella. “Nga ky investim që është bërë dhe nga punët e mira që ka bërë bashkia për pjesën e kanalizimeve dhe furnizimit me ujë. Më thanë se është trefishuar sipërfaqja e mbjellë në sera. Kjo është një gjë shumë e mirë. Gjë që do të thotë se është rritur prodhimi për eksport për shkak të rritjes së prodhimit në këto sera. Ky investim krijoi një impakt të madh ekonomik”,- shtoi ai. Gjiknuri tha se Elbasani ka një avantazh të madh strategjik dhe që lidhet shumë mirë dhe me vizionin e këtij qyteti.




















