Dosjet/ Grupi i Alibeaj bashkoi votat me Rilindjen
Simon Mirakaj ish anëtari i Autoritetit të Dosjeve foli për projektligjin e hapjes së Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, teksa deklaroi se kjo lëvizje u nxit nga letra anonime, që mbërriti në parlament për shtetasin me iniciale I.M. Sipas tij së bashku me ligjin për hapjes e Dosjeve në parlament duhet të votohej edhe ligji i lustracionit, të cilin kryeministri Rama tha se nuk do të ndodhte. Mirakaj shtoi se ky ligj nuk i shërben demokracisë në vend, por partisë dhe se ajo që ndodhi brenda PD-së me votimin e ligjit tregoi se nuk mund të ketë bashkëpunim mes palëve. “Shumë zhurmë për asgjë. U votua ligji i Dosjeve. Ky ligj dënon ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit që të mos jenë më pjesë e administratës së lartë dhe parlamentit. Çdo qytetar është mbështetës i ligjit besoj dhe ligji duhet të shkonte në parlament bashkë me ligjin e lustracionit, është një ligj. Në një moment Alibeaj pyet kryeministrin për ligjin e lustracionit dhe ai i tha ta harrojnë. Ligji i lustracionit përjashton dhunuesit, ish-sigurimsat që kanë dhënë dënime politike. Ligji dënon të dënuarin dhe jo ata që kanë ushtruar presion për dënimet. Shumica e bashkëpunëtorëve janë bërë me dhunë, kanë firmosur pas presioneve. Ky që e ka detyruar atë që firmosi nuk dënohet. Kryeministri tha të harrohet ligji i lustracionit. Rama e di mirë se ligji përfshin ato që thamë, ata janë votues të së majtës dhe kështu ligji i mbrëmshëm nuk i shërben demokracisë. Opozita duhet të kërkonte nëse kanë ndodhur krime në sistem dhe të dënojë ato krime. Opozitës ka kohë që trumpeton që kemi bërë një projektligj, por para se të votohej kjo ata duhet të kërkonin shkallë-shkallë të dënojmë krimet e sistemit dhe komunizmit, të bëjmë një ligj për simbolet e komunizmit, këto i shërbejnë komunizmit. Ky ligj nuk i shërben demokracisë, por partisë.”






















