Bashkim Koçi: Saltiana e Tabakëve të Jançës

328
Sigal

Kjo grua heroike  ka qenë veprimtare e shquar e organizatës së Gruas Antifashiste

Njohja me jetën e një gruaje, të Saltiana Tabakut nga fshati Jançë i Gramshit dhe veprimtarinë e saj të çmuar gjatë Luftës  NÇ, është një histori më vete, është diçka që ia vlen të shkruhet. Nuk e dimë se si e qysh ka ndodhur deri më sot që emri i kësaj gruaje-burrë me emër të madh në të gjithë Sulovën e Tomorricën të jetë harruar, si të ishte “hakmarrje” ndaj saj nga ata që ajo i vuri përpara gjatë Luftës për çlirimin e vendit. Por kur dëgjojmë e shikojmë në sy njëri tjetrin, ndërsa marrim informacion sesi dekorohen nga Presidenti i Republikës me tituj të lartë mirënjohjeje një restorant, një byrektore, apo edhe ndonjë artist a sportist të nivelit mesatar, si të mos të na shkojë mendja tek luftëtarët e lirisë, të cilët bënë sakrifica sublime, e vunë jetën dhe të gjithë familjen në rrezik, ashtu si gruaja nga Jança e Gramshit, Saltiana Tabaku? Ajo tashmë nuk jeton dhe mund të na falë për harresën e punëve dhe bëmave heroike të saj gjatë Luftës, por ne të gjallët, ne që e dimë se cila ka qenë dhe çfarë i dha Saltiana asaj, pra Luftës NÇ, duhet që të mos ia groposim meritat, sepse do të ishte as më shumë e as më pak, një poshtërsi njerëzore.

Saltiana Tabaku, e mbetur deri më tani jashtë gardhit të kujtesës të institucioneve të shtetit, nuk mund të ishte e tillë tek ata që i kanë lexuar historitë e saj në kujtimet e bashkëkohësve, të gjysheve e gjyshërve, që nuk jetojnë më, por sidomos tek ajo e shkuara e Luftës të asaj zone famëmadhe. Madje nuk mund të mbetet “emërharruar” edhe për shkak të rrënjëve nga ajo ka dalë, familje me “shenjë të kuqe si gjaku” në të gjithë zonën e Tomorricës, nga ai i fisit të Çaushajve të fshatit Shpatanjë. Aty, në ata themele, u gatua e u poq shpirti i saj prej një mëmëdhetareje me zemër të prushtë, e cila bëhej më e fortë për aq sa jepte. Ishin themelet nga kish dalë edhe nëna e Sinan Leshnjes (Yllit), që edhe ky, si shumë skraparlinj të tjerë, i dha Luftës me ç’mundi, bashkë me të birin, Kahreman Yllin, i cili u bë arkitekt dhe udhëheqës i Luftës të të gjithë Nahijes së Beratit. Ja, nga kjo derë kish dalë Saltiana, nga kjo shtëpi, të  cilën e kishin lënë këmbët, por jo zemra.

Saltiana kishte lindur në muajin dhjetor të vitit 1890. Kishte vetëm një motër, martuar aty në fshat, në Shpatanjë, tek fisi Fesko. Për vete i ra fati të krijonte familje në Jançë, fshat në kufi me Skraparin, me një nga djemtë më të mirë të një fisi me emër të lartë, me Hysen Tabakun, apo Cenon, siç e thërrisnin në tërë zonën. 

Saltiana nuk pati fëmijë, por u mor si një nënë e kaluar nënës me fëmijët që lindën nga bashkëjetesa e Cenos më gruan e tij të dytë, Qerimenë. Pastaj Hysen Tabaku, për trimëritë që tregoi në përplasje me ballistët, është një histori tjetër. Cenua ishte patriot, patriot i madh dhe si i tillë ishte lidhur dhe vepronte  me njerëz me emër të asaj ane, si me Sinan Yllin, Hysen Zaloshnjën, apo edhe me Riza Kodhelin, me të cilin kishte lidhje gjaku. Më pas kishte krijuar kontakt me Çetën Plakë të Skraparit, e cila komandohej nga Mestan Ujaniku  e me komisar Gjin Markun. Në ato kohra, kur sapo kishte nisur Lëvizja Nacionalçlirimtare, ai përfaqësonte krahun më rebel kundër ballistëve të zonës së Tomorricës, të cilët përfaqësoheshin dhe komandoheshin nga kreu i partisë Balli Kombëtar, nga Abas Ermenji. Ceno Tabaku ishte bërë tmerr për ta, pra për ballistët, simboli i një kundërshtari të mençëm e të fortë. Sipas tyre ai duhej eleminuar me pa derman, ndaj edhe e vranë pabesisht më 18 Mars të vitit 1943. E ekzekutoi dora e Abas Ermenjit.

Në kujtimet e kuadrove drejtues dhe luftëtarëve të Nahijes së Beratit, të cilët gjetën strehë tek familja e Tabakëve, shkruhet se pas vrasjes të të shoqit, Cenos, Saltiana kishte marrë në dorë drejtimin e shtëpisë, duke luajtur rolin e vështirë të komandës të të gjitha punëve, ashtu si i takonte ta bënte vetëm një burrë i aftë e i zoti. Del pyetja: përse ishte e vështirë drejtimi e punëve dhe pse u bë kjo shtëpi rrezik për armikun, për pushtuesit dhe ballistët? Sepse në shtëpinë e Tabakëve në Jançë, nga nëntori i vitit 1943 deri në pranverë të vitit 1944, kishin qëndruar disa herë dhe kishin bërë mbledhje e analiza antarët e Qarkorit të Partisë e të Shtabit të Qarkut të Beratit si dhe kuadro të tjerë të Luftës NÇ. Aty kishin gjetur strehë drejtues të lartë si Kahreman Ylli, Myqerem e Shpresa Fuga, Ilias Sevrani, Tajar Grepcka, Nexhmi Ballka, Ajet Xhindole, Xhorxhi Robo, Urani Kutra, Gjin Marku, Mestan Ujaniku, Zylyftar Veleshnja, Mane Nishova, Njazi Çepani, Rraman Ruçi, Llazi Bozo, Spiro Bakalli, Xhorxhi Robo, Kadri Hoxha, Adil Çarçani, Ramiz Alia, Neshat Hysi, Nure Bobrusha, Orhan Frasheri, Xhevair Spathara, Shaqir Kapinova, Argjiro Leka etj. Sipas kësaj liste me emra kuadrosh të lartë dhe luftëtarë nga më të shquarit në shkallë vendi, shtëpia e Tabakëve ka luajtur një rol jashtëzakonisht të madh dhe realisht ishte kthyer në shtëpi nga komandohej lufta në tërë zonën. Dhe ajo që kryente detyrën, sa delikate po aq dhe të vështirë, ishte Saltiana, gruaja që organizonte jo vetëm përballimin e nevojave të tyre me ushqim, me larje-shplarje, por dhe atë të korierit për të dërguar letra e porosi në njësitë partizane apo këshillat nacionalçlirimare që vepronin në fshatrat e Sulovës dhe të Tomorricës. Të vë në mendim sesi i jepte zgjidhje Saltiana problemit për të çuar një letër të komandës në një fshat fqinj. E di cili ishte marifeti i saj? Gjente se cila nga nuset e  Jançës ishte bijë nga ai fshat dhe me gjasme  ajo vinte tek dera e babait. Në fakt ajo shkonte deri atje ku duhej për të dorëzuar letrën dhe me atë rast vizitonte edhe prindërit.

Saltiana e Ceno Tabakut ishte bërë komanduese në kuptimin më të saktë e më të bukur të fjalës, por edhe po kaq e aftë për të përballuar me shumë sukses ca punë “speciale”, për të cilat nuk i kishte dëgjuar kurrë më parë. Fjalavjen, në këtë shtëpi për disa muaj u vendos teknika propagandistike e Qarkorit të Beratit, ku punonte kryesisht Kahreman Ylli, i cili kryente detyrën e Sekretarit Politik të Komitetit Qarkor. Saltiana nuk punonte apo të merrej me shtypjen e përgatitjen e materialeve, sepse nuk merrte vesh nga ato punë, por krijonte kushte sigurie e qetësie për ata që e gdhinin natën mbi tastierën e makinës së shkrimit, për atë vajzën partizane të thjeshtë, të shkolluar e të shkathët, antaren e komitetit të Qarkorit të Beratit, Urani Kutra  (Mullisi). Më tutje ajo organizonte punën për larjen e rrobave të partizanëve. Dhe nuk ishin një e dy, por me dhjetra e qindra. Ja ç’shkruan në kujtimet e tij një nga partizanët e Brigadës së 7-të Sulmuese, Ibrahim Braho, i cili, ashtu si shumë partizanë të njësive të tjera partizane, i ishte dashur të qëndronte për disa ditë në Jançë: “Kur vinim në Jançë dhe qëndronim 2 deri në 4 ditë, Saltiana grumbullonte një skuadër me gra të lagjes dhe me më shumë se 6-8 kazanë bakrri, i instalonte tek “Çezma e Korbit”, aty tek arrët. Disa grumbullonin dru dhe shkarpa, ndërsa pjesa dërrmuese e partizanëve qëndronin në shullé, në diell, tek varrezat e lagjes. Ata hiqnin rrobat sipas rradhës, të caktuar nga komandantët dhe shoqet tona partizane, i merrnin e i shpinin tek çezma për të larë e përvëluar, për të hequr parazitët. Kurse një pjesë qëndronte në gadishmëri për të bërë ruajtjen e siguruar jetën e shokëve nga ndonje sulm i befasishëm i armikut.

Gratë ngrinin kazanët në seri, valonin ujët, lanin dhe përvlonin rrobat tona, të ndihmuara dhe nga shoqet tona partizane, për 1-2 ditë rresht, deri sa i lanin e shkonin të gjitha në valë. Mbas dite, kur iknin gratë në shtëpi, partizanët lanin trupin dhe kazanët i merrnim nga çezma e i grumbullonim te shtëpia e Saltianës, që të ishin gati për ditën tjetër. Të gjitha këto punë drejtoheshin nga ajo grua e fortë dhe fisnike, nga Saltiana e Ceno Tabakut.

Në dokumentat historike të asaj kohe dalin fakte që kjo grua ka qenë edhe veprimtare e shquar e organizatës së Gruas Antifashiste. Në fshatin Jançë, në nëntor 1943, është ngritur Organizata e Gruas Antifashiste NAÇ, kryetare e së cilës është zgjedhur Saltiana Tabaku. Ka patur edhe aktiviste të tjera. Në dokumenta përmenden edhe emra të disa grave të tjera si Dare, Reshmiko, Safie, Merjeme, Qerime, Like, Hava, Anife, Zyra e Fatime me mbiemër Tabaku si dhe  Minushe Kollçaku, Naile Dollani, dhe Tame Rama. Çfarë bënin këto gra të Jançës, cilat ishin punët që kryenin e që ato nuk e dinin se një ditë emrat e tyre do të mbeteshin të shkruara në historinë e asaj lufte të lavdishme? Ja ç’shkruhet në dokumenta: “Në operacionin e dimrit ato u muarën me grumbullimin e veshmbathjeve, (duke thurur çorape, xhamadanë, jelekë etj.). Por kryesisht merreshin me sigurimin e ushqimeve, kujdeseshin për të sëmurët dhe të plagosurit. Ajo shtëpi ishte kthyer në spital partizan. “Shefe pavioni”, ajo që drejtonte e organizonte të gjitha punët ishte Saltiana. Aty, në atë shtëpi të Ceno Tabakut, të cilën pas vdekjes së tij e zuri vendin i biri Shashoja, kujdesej për partizanë të plagosur të cilët u përkisnin formacioneve të  Grupit të Myzeqesë,  të Grupit të Skraparit, por edhe për forcat e batalioneve  të shtabit të qarkut të Beratit. Më vonë, kur kaluan forcat e Brigadës  së VII–të, të Brigadës së I -rë dhe të V-të Sulmuese, shtëpia e Tabakëve i kishte dyert të hapura.

Saltiana bashkë me Qerimenë dhe nusen e shtëpisë, Merjemën, mjekuan për disa ditë, deri sa u përmirësua plotësisht, anëtarin e Qarkorit të Beratit, Tajar Grepckën, të cilit i kishin ngrirë këmbët dhe gjunjët nga të ftohtët. Po në atë shtëpi u mjekuan dhe u shërun 9 partizanë të ardhur aty nga spitali partizan i Dobrushës në fillim të Operacionit të Dimrit. Më 4 prill të  1944 aty erdhën e u sistemuan për mjekim edhe 3 partizanë të Brigadës Parë Sulmuese , të cilët u plagosën në luftën që u zhvillua në fshatin Balibardhë e Beratit.  Në  12-14 qershor është shënuar mjekimi i 4 partizanëve të Brigadës së V-të Sulmuese. Për rreth një muaj, po në këtë shtëpi, nga Saltiana me kunatën, Havanë, u mjekua partizani i Grupit të Myzeqesë, Sherif Nebiu. Ai paskej marrë një të ftohtë të fortë, që i rrezikohej jeta, por Saltiana e kishte gjetur mjekimin. Kishte therur një dele dhe me lëkurën e saj kishin “veshur” partizanin Sherif Nebiu, gjë që i solli shërim të plotë e të sigurt. Sigurisht që aty kryheshin “punë grash”, por jo më pak të rëndësishme për mbarëvajtjen e luftimeve ishin ca punë “angari”, siç ishte mjekimi i plagëve të partizanëve të plagosur, sigurimi e vajgurit për ndriçim, larjen, përvëlimin e pastrimin teshave të partizanëve etj.

Emri i mirë dhe opinioni për Saltiana Tabakun tashmë kishte mbërritur edhe në organet më të larta dhe kishte zënë vendin e vet në strukturat drejtuese të Organizatës së Gruas Antifashiste Nacionalçlirimtare të qarkut të Elbasanit. Qysh nga muaji nëntor i vitit 1943 ajo kryente detyrën e kryetares së organizatës së gruas aty në Jançë, ndaj kur u zhvilluan punimet e Konferencës së Gruas Antifashiste në Gramsh, ajo, bashkë me dy shoqe të tjera aktiviste, Zylfije Musain dhe Naze Tafën, u zgjodhën për t’i përfaqësuar në Kongresin e Gruas Antifashiste Nacionalçlirimtare, i cili u mblodh më 4 Nëntor të vitit 1944 në qytetin e çliruar të Beratit. Por, për fatin e saj të keq, Saltiana Tabaku nuk mundi të shkonte dot në Kongres. Ishte e sëmurë. Ajo kishte probleme të mëdha me shikimin, me sytë, për të cilët do të ndërhynte për t’i operuar në Tiranë, menjëherë pasi u çlirua vendi.

Saltiana u nda nga jeta më 8 Qershor të vitit 1960. Vitet e pasçlirimit i kaloi si grua e respektuar brenda familjes, por edhe nga ish partizanë dhe kuadro të Luftës të Qarkut të Beratit, veçanërisht nga Kahreman Ylli. Ata intesoheshin dhe pyesnin për të, i dërgonin të fala asaj plake të urtë e punëmadhe, e cila i kishte dashur e shërbyer si ti kishte djemtë e vajzat e saj. Por, edhe ajo i kujtonte gjithmonë e thoshte: Ata më kthyen dritën e syve. E paçin hallall të gjitha shërbimet dhe yzmetin që u bëmë, për bukën që u dhamë, e cila kurrë nuk bëhet baltë.

Por me Saltiana Tabukun, me gruan trime e të mençme të Jançës është bërë edhe një pabesi, një mashtrim djallëzor. Atë nuk e vlerësuan asnjëherë si veprimtare, si kryetare të organizatës së gruas, detyrë që e mbajti deri në vitin 1949,apo edhe si delegate e zgjedhur për në Kongresin e Gruas Antifashiste  Nacionalçlirimtare të mbajtur në qytetin e Beratit, pamvarësisht se nuk mori dot pjesë për arsye shëndetësore. Vlerësimet dhe shpërblimet morale i mori dikush tjetër. A nuk shkon në këtë rast fjala e urtë “më mirë vonë sesa kurrë” për t’i rikthyer kësaj Zonje të Madhe, Saltiana Tabakut të Jançës,  meritën e mohuar padrejtësisht, e për t’i hequr përfundimisht helmin e hedhur në mjaltë nga disa finokë të djallëzuar, të cilët kanë mundur të bëjnë të vetat, të përvetësojnë disa cilësi e merita që nuk i kanë ?

 

II

 

NË TEPELENË U FESTUA “DITA E VETERANIT TE L.A.N.Ç”

Mëngjesi i datës 20 korrik qytetin e Tepelenës e gjen të tërin të gdhirë nën atmosferën festive që krijoi DITA E VETERANIT TE L.A.N.C. Në çdo lagje e cep të këtij qyteti dëgjoje vetëm këngë patriotike me marshe dhe këngë partizane. Takimi, i cili nisi në orën dhjetë u mbajt në Pallatin e Kultures i organizuar nga Kryesia e Komitetit të Veteranëve, në bashkëpunim me Bashkinë Tepelenë. Në këtë takim merrnin pjesë qytetarë e qytetare nga të dyja qytetet, si dhe të ardhur nga çdo fshat: veteran e pasveteran, familjar e familje dëshmorës., Kryetari i Organizatës së Dëshmorëve z, Bujar Sula, Kryetarë të Këshillave Zonale e anëtar nga çdo organizatë  pasveterane, Shoqatat Atdhetare Kulturore Patriotike si ;Lopësi Dega Tepelenë,ajo e Buzit, e Krahësit, e Dukajt. Gjithashtu morën pjesë  Kryetari i Bashkisë  z, Tërmet Peçi,  kryetari i PS z,Dino Selimi, anëtarët dhe Kryetari i Këshillit Bashkiak Tepelenë z,Elvis Shehu si dhe kryetarë të njësive administrative. Pas këndimit të Hymnit të Flamurit takimin e hapi zoti,Myrdar Jera i cili menjëherë fton Sekretarin e këtij Komiteti z,Yzeir Lamaj, i cili  qysh në fillim të fjalës së tij  falenderon të pranishmit në sale, të cilët morën pjesë në këtë ditë feste si dhe Bashkinë Tepelenë e veçanërisht z,Tërmet Peçi, i cili kurdoherë këtë organizate veteranësh  e ka mbështetur dhe ndihmuar duke qenë përherë i gatshëm sidomos ndaj kauzës ç’ka kjo organizatë kërkon që të bëjë sot e në vazhdim lidhur me misionin e saj të përjetshëm për mbrojtjen e simboleve të L.A.N.C. dhe historinë e saj.  Ndërsa këshilltari i këtij komiteti, Shyqyri Ruçi, ndonëse më i moshuari, veterani 87 vjeçar, dhe pse i pamunduri ai gjen forcë ngjitet në podium dhe ulur në karrige në shenjë respekti  uron: Gëzuar Ditën e Veteranit! Sot vazhdon ai, Dita e Veteranit brenda nesh përmban mëshirimin e atij gjaku të derdhur, klithmat e atyre nënave që ua shpuan fëmijën me bajonetë në bark,besën e atyre djemve e vajzave, që edhe pse  i varën në litar nuk e  njohën frikën, por dhe e atij amaneti që ata na lanë momentin kur mbyllën sytë një herë e përgjithmonë duke na thënë:- Luftoni për Atdhenë. Prandaj dhe sot këto bija dhe bij të kësaj Tepelene  e meritojnë këtë respekt dhe nderim jo vetëm nga ne, por dhe  gjithë  brezat që do të vijnë. Janë të pa numërta betejat e këtyre luftëtarëve qysh nga Shpallja e Pavarësisë, ajo kundër andartëve grekë për mos copëtimin e kufinjve, luftën e Vlorës 1920 me Selam Musa Salarinë, ajo kundër fashizmit italian e deri te lufta më e përgjakshme  nazisto-gjermane. Më tej vazhdoi ai  një pjesë e tyre janë zhvilluar në rrethin tonë, qysh nga Mirica e Mogila Vasajr, Donie Kalivaç e Qafa Kiçok Buz, në Malin e Bardhë mbi Dorzë ku belçiku këndoi vënçe, në Krahës e Mezhgoran, Damës e Rabie, Salari e Kurvelesh, Kodër, Hormovë e Shkallë e Zezë etj.  Këta dëshmorë  të rënë për  lirinë e Shqipërisë janë nderuar e do të nderohen përjetësisht në breza. Ata janë skalitur thellë në memorien e kombit tonë dhe janë lartësuar e gdhendur nëpër lapidarë, rrugë e sheshe qytetesh. Në mbyllje gjen rastin  dhe falenderon gjithë të pranishmit, institucionet që organizojnë këto festa dhe takime, si dhe Kryetarin e Bashkisë Tërmet Peçin për ndihmën që i jep Organizatës së Veteranëve të këtij rrethi. Më pas grupi muzikor i Tepelenës  dhe këngëtari Fredi  Ibrahimi kënduan këngën e Selam Musa Salarisë “Me treqind e ca komita , lule more Selam lule, bëre poshtë  nga Babica…ju hodhe topit nga gryka!… Gjithashtu u kënduan këngë të ndryshme nga grupi polifonik i Bënçës,  grupi polifonik i të rinjve të Tepelenës “Vatra Labe”si dhe grupi polifonik “Bijtë e Tepelenës”. Në fund të takimit  përshëndeti dhe  Kryetari i Bashkisë zoti Tërmet Peçi, i cili midis të tjerave tha:- Ndihem krenar për kremtimin dinjitoz të kësaj dite si Dita e Veteranit të L.A.N-C. pasi kujtohen  këta bijë dhe bija të këtij rrethi që Tepelenën e ngritën lart duke ia vendosur emrin në stendën e lavdishme të historisë së popullit shqiptar. Lavdi jetës dhe veprës së tyre! Rroftë populli i Tepelenës! Rroftë Shqipëria! Për nder të këtij takimi në sallën e konferencave Bashkia Tepelenë organizoi  një koktej, i cili kaloi këndshëm dhe gëzueshëm!