Banorët: Frikë, të rrimë në shtypi nga lëkundjet, frikë, të dalim nga Policia

    425
    Sigal

    Qindra banorë në protestë, lëkundet toka në zonën naftëmbajtëse Zharrëz, Marinëz, Belinë

    Pas një lëkundje tërmeti të magnitudës 4, tre kilometra në lindje të qytetit të Fierit, banorët e zonës naftëmbajtëse të Marinzës dolën në protestë dhe bllokuan rrugën nacionale. Lëkundjet janë regjistruar në orën 19:45 minuta të mbrëmjes së enjte, me epiqendër 17 kilometra nën toke. Disa banesa të zonës janë dëmtuar nga lëkundjet. Banorët e kësaj zone akuzojnë kompaninë kanadeze “Bankers Petroleum” se me operacionet e nxjerrjes së naftës shkakton lëkundjet e tërmetit. Banorët kanë protestuar në tre vende duke bllokuar për disa minuta aksin rrugor Fier – Berat, si nga kalimi nëpërmjet Zharzës ashtu edhe nëpërmjet rrugës dytësore nga ana e Strumit. Lëkundjet e forta janë ndier jo vetëm në fshatrat Zharrëz, Belinë, Sheqisht, Verbas, por edhe në Fier, Patos e më gjerë. Ndërkohë ka ndërhyrë Policia e Fierit, e cila ka bërë të mundur shpërndarjen e protestuesve por dhe hapjen e rrugës dhe normalizimin e qarkullimit rrugor. Por ajo që ka irrituar më shumë banorët protestues të kësaj zone, ka qenë sjellja brutale e forcave të policisë, e cila ka shoqëruar në komisariatet përkatëse disa nga protestuesit. Kështu protestues nga Marinza konfirmojnë për “Telegraf” se 6 prej tyre i shoqëruan në komisariat në orën 15.30 minuta të ditës së djeshme duke i mbajtur atje më shumë se një orë. Sipas tyre, policia i kishte ndaluar për faktin e thjeshtë sepse kishin dalë në protestë. “Protesta jonë ishte paqësore, ndërsa forcat e policisë të shumëfishuara, mua dhe 5 bashkëfshatarët e mi nga Marinza na morën me dhunë dhe na çuan në ambientet e komisariatit, ku na mbajtën për më shumë se një orë”, shprehet njëri nga protestuesit. Tashmë këta qytetarë kanë frikë të dalin dhe nga dera e shtëpisë për shkak të dhunës së ushtruar nga policia, por njëkohësisht kanë frikë edhe të rrinë brenda në shtëpitë e tyre, për shkak të lëkundjeve të herëpashershme, të cilat u kanë dëmtuar ndërtesat e tyre. “jemi në udhëkryq, qeveria duhet të sjellë përfaqësuesit e vet këtu dhe të shohë dëmet që na janë shkaktuar. Unë jam vetë i pesti në shtëpi dhe i papunë dhe nuk kam me se ta ndërtoj më shtëpinë. Policia na tha që ishte tërmet. Po nuk mund të bjerë tërmet, aq herë sa të bëjë shpërthime  “Bankers Petroleum”!” shprehet njëri nga protestuesit e shoqëruar në komisariat. Banorët e fshatrave Zharrëz, Marinëz, Belinë shprehen për “Telegraf” se protestat e tyre do të rifillojnë të hënën deri në reagimin e qeverisë.

    Prefekti i Qarkut Fier, Xhevit Bushaj

    Me shqetësimin e banorëve të këtyre fshatrave është bashkuar edhe prefekti i qarkut të Fierit. “Unë jam bashkë me banorët, për t’i mbështetur në mënyrë që të mos ndodhin më shpërthime të tilla. Unë nuk jam specialist i fushës, por atë çka dëgjojmë dhe shikojmë, pikërisht në këtë zonë, herë pas here ka patur shpërthime. Shpërthimi i fundit ka qenë aq i fortë sa u ka tronditur banesa dhe u ka shkaktuar dëme”, tha prefekti Xhevit Bushaj.

    Marinëz

    Rreth 150 banorë të Marinzës kanë bllokuar rrugën tek vendi i quajtur “Kandari”, ku kryhet matja e automjeteve autobot që transportojnë naftën bruto me makina. Edhe në këtë pikë ata kanë bllokuar rrugën me gurë dhe kanë pohuar se shpërthimet e kompansisë “Bankers” po u shkatërron banesat. “M’u thyen orenditë shtëpiake nga lëkundjet. Kanë qenë shumë të forta. Ejani dhe i shikoni!”, ka thënë njëri prej tyre. Nga ana tjetër protestuesit thërrisnin “Bankers Ik, Bankers ik”. Ata thanë se qeveria duhet të marrë masa të menjëhershme duke i ndjekur andej nga kanë ardhur drejtuesit e kësaj firme. Asnjë të mirë s’kemi nga ata, po na prishin edhe atë pak pasuri të paluajtshme që kemi. Ka pasur edhe çarje muresh në banesat e tyre, thanë ata.

    Zharrëz

    Afro 100 banorë të Zharrzës pasi protestuan në qendër të fshatit të tyre kanë marrë rrugën në këmbë për t’u bashkangjitur me protestuesit e tjerë në Marinzë . Të njëjtën gjë kanë bërë edhe protestuesit e Belinës. Protestuesit pohuan se në qoftë se nuk merren masa do të na detyrojnë që në mënyrë “Guerrile” të dëmtojmë depot e grumbullimit të naftës bruto të kompanisë “Bankers”.

    Belina

    Kanë qenë afro 100 banorë të fshatit që bllokuan rrugën për afro 30 minuta. Ata kanë protestuar duke akuzuar kompaninë e naftës “Bankers”, e cila ka kryer shpërthime, të cilat sipas tyre, ka bërë që të shkatërrojnë banesat e tyre duke krijuar çarje në mure. “Mundi e djersa e fëmijëve tanë në emigracion ka shkuar kot. Po na bien banesat”, kanë pohuar ata.

    Sizmografët

    Rreth orës 20:45 të mbrëmjes së të enjtes janë shënuar lëkundje tërmeti në qytetin e Fierit dhe të Vlorës. Sipas Institutit Sizmologjik, tërmeti ka qenë në epiqendër me intensitet 4-5 ballë rihter dhe se është ndjerë edhe në Roskovec, Patos e Marinzë të Fierit. Njoftohet, gjithashtu, se lëkundje tërmeti ka pasur edhe në fshatin Zharrëz, duke shkaktuar edhe dëme materiale.