Agim Bajrami: Raportet mes realitetit dhe ëndrrës , në një roman për dashurinë 

111
Sigal

(Impresione rreth romanit -esse  ” Sikur ” të Vera Vasisë )

Të lexosh romanet e Vera Vasisë , do të thotë që sëbashku me ta, të lexosh ditarët dhe ëndrrat e pashkruara të dhjetra e mijra grave dhe vajzave të sotme, të cilat falen çdo ditë para ikonave të dashurive të tyre të ëndërrta, si para ikonave të një kishe Nëse do të hulumtonin trupin rrëfimtar të prozës së saj, do të konstatonim me kënaqësi një prani të dukshme indesh drite dhe shprese, të cilat emetohen natyrshëm edhe tek heronjtë e këtyre veprave. Në këtë linjë edhe romani “Sikur “, i cili vjen mbas shumë romaneve të mëparshëm të saj si :”Qershi në kohë lufte” “Letra nga qielli “, Fustani i Polinës” etj merr përsipër pasqyrimin e këtyre figurave në një laryshi kontekstesh kohore, por në të njëjtët raporte hije drite në rrethet vicioze të rutinës përditësore dhe ambienteve të ashpër maskilist Parë në këtë këndvështrim mes heroinës qëndrore të romanit dhe ambientit të saj aspak mikpritës, egziston gjithmonë rreziku i rënies në kurthin e fshehtë të rutinës dhe melankolisë. Ndaj e vetmja zgjidhje, mbetet krijimi i një mikrobote individuale dhe mbushjes së saj me fantazira dhe ëndrra të guximshme. Është një proçes jo i lehtë, që jo të gjithë ia dalin në krye edhe pse në pamje të parë personazhet e këtij romani, ngjan se notojnë në “ujra të qeta,” situatat që përjetojnë ata, janë krejt ndryshe. Personazhja kryesore e romanit, një vajzë me botë të gjerë dhe kërkuese, e ndjen se po zhytet si pakuptuar në kurthin e rrafshtë të monotonisë dhe zhveshjes së vetes pak nga pak nga tiparet më qenësore të personalitetit të një gruaje, fenomen me të cilën janë mësuar kaq shumë shumica e moshatareve dhe kolegeve të saj. Mbasi ka përjetuar pasojat e rënda të braktisjes nga bashkëjetuesi, shqisat e mbiegzistencës së saj tashmë, janë bërë më të mprehta dhe më reaguese. Kështu duke bashkuar në një të vetme, forcën e fantazisë me atë abstraguese, ajo ja del të krijojë brenda saj figurën e një burri të ëndrrës, një personazh sa fluid aq dhe fizik, sa i padukshëm, aq dhe tokësor, ç’ka i jep jetës së saj të tjera dimensione.

Edhe pse një personazh atipik, që vepron në rrethana tipike, prania e tij i ka dhënë këtij romani esseistik një rrjedhë interesante. Nga faqja në faqe ky duet i çuditshëm do të hyjë gradualisht nën lëkurën e njëri tjetrit, aq sa në një moment të caktuar identifikimi i tyre, do të jetë një mision i vështirë. Natyrisht një identikt i tillë artistik, i ka shkuar më për shtat autores të shpallë kredon dhe shumësinë e koncepteve të saj për tema dhe ide të caktuara, që kanë të bëjnë për gruan dhe konceptet e saj pêr jetën. Eshtë kjo arësyeja që në ravijëzimin e tyre, të dominojë më shumë dialogu i mprehtë dhe të folurit simbolik Eshtë forca dhe rrezatimi i tij, që gjenerojnë energji tek personazhet dhe mendimin qëndror të veprës. Fantazia dhe e vërteta , e pazakonta dhe enigma, janë kuarteti që do t’i ndeshësh vazhdimisht gjatë rrugëtimit tënd të gjatë në këtë vepër. Heroina e veprës dhe koha e saj, e kanë lidhur veten dhe fatet e tyre me këngët e sinqerta dhe vizionin për të nesërmen, që hap ndjenja e dashurisë për njerëz që e çmojnë dhe shenjtërojnë atë me veprimet dhe përkushtimin e tyre. Pohimi i veprës  se “një femër , fantazinë e saj e përdor, për të treguar, dhe jo për të dashuruar, është një ftesë hulumtimi, është e qartë se me krijimin e personazhit virtual të burrit të ëndrrës , këtij individi plot botë shpirtërore dhe humane, autorja, krijon njëherësh edhe modelin interesant të një mashkulli, kaq të ndryshëm dhe të civilizuar , përballë bashkëkohësve të tij arrogantë dhe cinikë me gratë dhe të dashurat e tyre. Vera Vasija është një autore që eksperimenton herë pas here në brendinë psikologjike të personazheve të saj, me mjetet dhe mënyrat e saj artistike. Linjat e shkathta me të cilat vizatohen ata dhe ngjyrat e ndezura që reflektojnë, i bëjnë krijesat e saj sa interesantë, aq dhe të afërt për ne. Janë individë, që karakterizohen gjithmonë nga ngutja për të tejkaluar kornizat e arealit ku janë mbyllur dhe rendja drejt së resë. Nga gjithë karakteristikat e shumta individuale, që mbartin personazhe të tillë, duket se kjo është më evidentja. Figura e Danielës të befason me energjinë që reflekton, por edhe me staturën e saj reflektuese.” Më duket se vdes çdo ditë nga pak, -thotë ajo në një nga dialogjet e saj të shpeshtë me mikeshat, që e rrethojnë, si për të treguar gjendjen në të cilën ndodhej. Masa e kohës ishte bërë si bllok, ku shënohej një datë dhe shkrimi vjetërohej, aq sa nuk lexohej më. Ajo ikte vjedhurazi dhe kërkonte të fshihej aty , ku mendimi se perceptonte si masë, përkëdhelej duke humbur kështu mes ditës dhe natës dhe vrapi për ta arritur ndalej tek një shikim përtej qiellit, për ta prekur atë në finish. Le mbrapa një kohë dhe gjete një tjetër “Gruaja që përfaqëson ajo është një frymë, që buron nga zhgënjimi prej absurdit dhe kërcitjes së dhëmbëve të ankthit. Ajo nuk sëmuret nga sfidat e dashurisë, sepse i është mbushur mendja top se: Dy njerëz bëhen viganë, kur mes tyre përjetohet ajo çfarë mund të duket e vogël dhe e pa rëndësishme. Danielën e bashkon me të harresa, por e ngacmojnë pse -të” e shumta të arealit, Atë dhe personazhet e tjera: gra të kësaj vepre; i bashkon dhe i bën të ngjashme me njëra tjetrën klithma e heshtur që bartin në buzë dhe ndjenja e protestës ndaj së tashmes të përjashtuar nga drita e të nesërmes që s’premton shumë! Kjo është një lloj ngasje, që ajo bëhet pjesë e shqetësimeve dhe pakënaqësive intelektuale personazhes që lëviz si një kohë e humbur në faqet e romanit të saj, i rri shumë i ngushtë ky areal. Ajo nuk ka nge të merret me pikëpyetjet, dyzimet dhe pse -të e gjata të dyshimit, synimi i saj primar nuk është, pasqyrimi i dramës, por gjurma e plagës që lë ajo tek individë të veçantë nga mos kurimi në kohë. ” Njeriu se kupton dot, sa shpejt vjetërohet një letër dhe cili është fundi që mbetet nëpër gishta ” Në një atmosferë të tillë uniformiteti dhe mungesë ngjarjesh, shoqëria e saj vetëm me mbetje ëndërrash dhe copëza vetmish, do të ishte vërtetë e rrezikshme dhe pa rrugëdalje.

Ndofta ka qenë presioni i tyre që e shtyn atë të nxjerrë nga sirtarët e fantazisë prej gruaje figurën e ëndërrt të një burri, i cili pak më vonë, do të shndërrohet në një të dashur virtual! Dhe pse me shpërfaqje fragmentare, pesha e pranisë së tij është e mjaftueshme ti krijojë rrëfimit të saj sigurinë e duhur dhe asaj vetë, gjysmën e munguar. Në një farë mënyre vepra e Verës mund të konsiderohet edhe një vepër e mungesave të mëdha dhe dëshirave të refuzuara. Vizatimi i kontureve të tyre në shkallë dhe propocione të ndryshme, shoqërohet nga një përdorim efikas metafore Burri -ëndërr, nëse mund ta konsiderojmë kështu , është jo vetëm një premtim për lumturi virtuale, por edhe rikthim në përmbajtjen. Edhe përpos dëshirës së saj për ta mbajtur disi larg syve të të tjerëve, bukurija e tij fizike dhe shpirtërore depêrton mes nesh me logjikën dhe ligjet e përhapjes së dritës, duke orientuar kësisoj lidhjet dhe zgjidhjet e mëtejshme të fateve të personazheve. Autorja nuk bën eksperimente me stilin, por kujdeset që të përcjellë tek lexuesi sa më qartë reagimet e njeriut nën peshën e një drame shpirtërore, në një mjedis aspak mirëkuptues. Ngjan se gjatë proçesit të gjatë shkrimor autores i është kujtuar Kundera dhe një nga thëniet e tij të njohura se :”Të njohësh bukurinë e një femre me një vështrim të thjeshtë, nuk është asnjëherë pak ,por art”! Elokuenca gjuhësore dhe ndërkalljet efikase të elementëve të essesë me poezinë e shqetësuar qytetare, i japin forcën e duhur komunikative dhe ritmike rrëfimit. Një gjë e tillë i jep më shumë ritëm dhe elegancë rrëfimit. Në këtë këndvështrim duhen parë dhe trajtuar edhe ndryshimet e herëpashershme të humorit dhe portretit të personazheve , veshur si gjithmonë me lumturi dhe zhgënjime të vogla. Romani ashtu siç e ka të qetë fillimin, të tillë ka dhe mbarimin e tij. Një mbarim plot ngjyra të gjalla si silueti i një fustani të kuq, plot flutura dhe sinonime të një vallzimi qiellor. Në fund si plotësim i këtij vallzimi, vjen edhe pohimi entuziast i progonistes kryesore të kësaj vepre me vlerë se Jeta e gruas është një qiell i pafund dashurie.