8 minuta seancë, Kuvendi miraton mes tensionesh projektligjet, shtyhet amnistia. “Tregu Çam” i deputetëve miraton marrëveshjen e emigrantëve afrikanë në Shëngjin

30
Sigal

 Ashtu siç pritej të ndodhte edhe kjo seancë plenare e së enjtes u shoqërua me tensione dhe debate të shumta. Që në nisje të saj, Kryetarja e Kuvendit njoftoi se ishte hequr nga rendi i ditës projektligji për Amnistinë Penale. Mazhoranca nuk arriti që të siguronte 84 votat e mjaftueshme, por ajo mori simpatinë e deputetëve të PDIU së paku për marrëveshjen Rama – Meloni që u miratua me 77 vota dhe kështu i hapet rruga pritjes së emigrantëve në dy kampet që do të ngrihen në Lezhë. Në një séance, që nuk i kaloi 8 minuta me shumë shpejtësi u votua edhe projektligji për zonat e mbrojtura, ndërkohë që shoqëria civile dhe qytetarë protestonin jashtë sallës së Kuvendit. Shohim zhvillimet hap pas hapi.

Garda pengon deputetët e përjashtuar të PD të hyjnë në kuvend

Ndërsa duheshin shumë pak minuta për të filluar seancën plenare, një grup deputetësh demokratë u bllokuan në hyrjen e Kuvendit nga punonjësit e Gardës. Këta të fundit nuk lejuan deputetët e pëjashtuar nga Kuvendi për të ndjekur punimet mes tyre edhe deputetet Albana Vokshi dhe Elda Hoti janë përjashtuar me 10 ditë nga seancat plenare në Kuvend. Gjithashtu edhe Flamur Noka, Bledjon Nallbati dhe Asllan Dogjani janë akoma të përjashtuar.

Nis seanca, opozitarët me bilbila pamundësojnë seancën
Në sallën e parlamentit sapo nisi seanca deputetët opozitarë nisën fazën e radhës së protestës dhe aksionit opozitar. Ndërsa kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla nisi të merrte fjalën deputetët e opozitës kanë nisur zhurmën dhe nisën t’i frynin bilbilave si shenjë revolte. Nga ana tjetër kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi nga foltorja replikonte me kryetaren e Kuvendit.

S’kishte votat e duhura, PS tërheq projektligjin për Amnistinë Penale
Partia Socialiste tërhoqi projektligjin për Amnistinë Penale nga seanca e së enjtes siç tha në fillim të kësaj seance Nikolla. Edhe pse nuk u tha prej saj sipas mediave arsyeja e tërheqjes nga seanca plenare është mos sigurimi i 84 votave, që nevojiten për të kaluar projektligjin. Deputetët e opozitës e kanë shprehur që nuk do të votonin pro, ndërsa ditën e djeshme edhe kryetari i PD-së së vulës, Lulzim Basha tha se nuk do ta votojë projektligjin.

3 deputetë të PDIU bashkojnë votat me PS, miratohet marrëveshja për emigrantët
Me 77 vota pro, Kuvendi miratoi marrëveshjen e nënshkruar me Italinë për pritjen e emigrantëve në dy kampet që do të ngrihen në Lezhë. Ajo që spikati ishte fakti se tre deputë të PDIU-së bashkuan votat e tyre me mazhorancën për marrëveshjen sipas së cilës, Italia do të dërgojë në Shqipëri emigrantët, që shpëtohen në Detin Mesdhe, ndërsa Italia do të financojë ngritjen e qendrave për pritjen e tyre. Marrëveshja do të nisë së zbatuari pranverën e vitit të ardhshëm.

Mazhoranca nuk pyet për protestat miraton e vetme projektligjin për zonat e mbrojtura
Projektligji për zonat e mbrojtura u miratua në Kuvend me votat e vetë mazhorancës. 74 votat e deputetëve socialistë mjaftuan për t’i dhënë dritën jeshile ndryshimit të ligjit për zonat e mbrojtura. Ndërkohë që në Kuvend, ky projektligj u kundërshtua me forcë nga deputetët e Opozitës. Po ashtu dhe jashtë Kuvendit zhvillohej një protestë nga qytetarët dhe nga aktivistë e ambientalistë të shumtë, të cilët kundërshtuan ndryshimet që po bëhen për zonat e mbrojtura.