Ismail H. Xhaferri: Unë populli opozitar

245

Më shkoi jeta në mitingje,
Kërkova liri e dritë,
Sepse jam popull rebel
Që s`duroj padrejtësitë.

 

Jam popull opozitar,
Që për vete kurrë s’luftoj,
Mbi kurriz gjithçka provova.
Dhe të gjitha i duroj

 

Jam popull opozitar,
Për vete kurrë s’kam luftuar,
Përrallat që kanë thënë partitë,
Të gjitha i kam besuar.

 

Më shkoi jeta në protesta,
Besova fjalët në erë,
Nga protestat që kam bërë,
U pasuruan të tjerë.

Thirra shesheve të vendit,
“Poshtë e keqja, rroftë liria!”
Por shumë herë nëpër qeli
Hëngra dru nga policia.

 

S’e mbaj mend sa herë jam rrahur,
Mbyllur brenda në kaush,
Pushtetet venin e vinin,
Por në mend s`më kish askush.

 

Hëngra dru në polici,
Si muaj më dukej nata,
Policët që më kanë rrahur,
Kanë marrë ofiqe dhe grada.

Më shkoj jeta – opozitë,
Më shkoi jeta me gënjeshtra,
Dhe pa bukë dhe pa punë,
Po s`mungova në protesta.

 

Kam vrapuar nëpër sheshe,
Bashkë me dhjetëra të tjerë,
Ditën që merrej pushteti
Unë isha një send pa vlerë.

 

Më shkoi jeta në mitingje.
Me besim e me furi,
Por partitë ngjajnë me derrat
Që kanë të njëjtin turi

Më shkoi jeta në protesta,
Si gjithnjë në vijë të parë,
Asnjeri s`ka qenë si unë
Dhe i dhier dhe krenar.

 

Më shkoi jeta në mitingje,
Që nga Shkodra gjer në Dropull,
S`ka më keq se të besosh,
S`ka më keq se të jesh popull!

Nga pushtetet kurrë s`fitova,
Nuk e di si t`jua rrëfej,
Prapë në punë hajdutë të njëjtë,
Prapë të njëjtët maskarenj.

 

Nga pushteti në pushtet,
Sërish kohë e maskarenjve
I gjithë populli i zhgënjyer
Rritet barku, kokëmëdhenjve.

Nga njëri pushtet në tjetrin, përsëritin,
Mbi supe na hodhën gurë,
Populli që bën protesta,
Pushtetarë që s’ ngopen kurrë.

 

Nga protesta në protestë,
Si opozitar i rrallë,
Por sa herë që vjen pushteti,
Mbetëm si peshku në zall.

 

Më shkoi jeta në protesta,
Jo një herë, por vit për vit,
Se jam popull dhe si popull
Kam lindur për opozitë.

 

Më shkoi jeta në protesta
Në mitingje më ranë brekët
Unë nuk di se ku kam kokën
Pushtetarët ku kanë lekët.