Punësimi sezonal në Greqi dhe studimet e mesme në Itali

292
Sigal

 

Pandemia nuk e ndaloi migrimin sezonal të punëtorëve shqiptarë në Greqi, qeveria e së cilës miratoi dhënien e lejeve të qëndrimit për 65 mijë punëtorë në bujqësi dhe 10 mijë në blegtori.

Ja si mund të marrin vizat për në Itali nxënësit mbi 14 vjecc dhe cilat janë  kushtet dhe rregullat për të ndjekur  shkollën e mesme. Qëndrimi, siguracioni shëndetësor dhe kujdestaria e plotë për nxënësit në moshë të rritur

 

Pandemia nuk e ndaloi migrimin sezonal të punëtorëve shqiptarë në Greqi

Qytetari: “Ca vite, që kur u liberalizuan vizat, ramë rehat se, hynim pa shumë dokumente, por tani është më vështirë,”

 

Kufizimi i lëvizjes në kufi dhe bllokimi i qarkullimit të lirë apo mbyllja e vendeve të punës, e kufizoi numrin e emigrantëve sezonalë, edhe atyre ilegalë në Greqi, por nuk e ndaloi fluksin.

 

 

Prej vitesh disa mijëra qytetarë shqiptarë përfitonin nga mundësia e lëvizjes në hapësirën Shengen për t’u punësuar për disa muaj në Greqi, pa pasur nevojë të përballeshin me burokracitë e migrimit në shtetin helen. Hyrja në Greqi si vizitorë dhe qëndrimi i tyre i lejuar për një periudhë tremujore, rrallë pengohej nga autoritetet kufitare greke, që më së shumti kontrollonin formalisht garancitë dhe vlerat monetare, për të provuar qëndrimin si vizitor.

Megjithatë, edhe në këtë periudhë të artë për punonjësit sezonalë, disa mijëra prej tyre u ndaluan dhe u dëbuan nga policia, pasi u kapën në shkelje të rregullave të hapësirës Shengen, apo në punë në të zezë. Sipas të dhënave të policisë greke, rreth 11 mijë shqiptarë u dëbuan në vitin 2018, pasi ishin ilegalisht në Greqi. Në 2019 numri ra në 10 mijë të dëbuar.

Gjatë vitit 2020, viti i parë i pandemisë së COVID-19 që detyroi mbylljen të kufijve dhe kufizim të lëvizjes edhe brenda vendit, pati një rënie drastike të këtyre numrave. Gjatë vitit 2020 vetëm 2909 shtetas shqiptarë u dëbuan nga Greqia duke u riatdhesuar si emigrantë të paligjshëm.

Emigrantët pa dokumente nuk qenë të vetmit që ranë në numra. Pandemia kufizoi edhe lëvizjen e ligjshme dhe prej disa muajsh qarkullimi mes Shqipërisë dhe Greqisë është i kufizuar në numra fiks.

Prej mesit të qershorit, 2150 veta lejohet të udhëtojnë në ditë nga Shqipëria në Greqi – 1500 në Kakavijë, 400 në Kapshticë dhe 250 në Qafë Botë. Kjo pavarësisht rënies së numrit të infektimeve në vend nga COVID-19, e cila për momentin po regjistron një mesatare javore prej 7 të infektuarish të rinj.

 

Marrëveshja mes  qeverisë greke dhe asaj shqiptare, nënshkruar një vit më pare, solli pak efekte në lehtësimin e lëvizjes së punëtorëve sezonalë shqiptarë.

Pandemia “zbehu” punësimin sezonal

Qamil Yzeiri, nga Fieri, i cili prej mbi një dekade udhëton të punojë disa muaj, për çdo vit në bujqësi, në vendin fqinj, thotë se, pandemia e kishte vështirësuar shumë udhëtimin dhe ka zvogëluar ditët e punës.

“Ca vite, që kur u liberalizuan vizat ramë rehat se, hynim pa shumë dokumente, por kjo pandemia na i bëri gjërat më vështirë,” tha Qamili.

Ai tregon se dokumentet dhe aplikimi bëhet prej punëdhënësit në Greqi, por këtë vit ishte me vonesë dhe dy javë ishin vonuar vetëm dokumentet. Nga gati tre muaj që është zakonisht puna sezonale, këtë vit Yzeiri nuk pret të punojë më shumë se 60 ditë dhe është i pasigurt nëse të ardhurat do i mjaftojnë.

Në shtëpi ku ka lënë gruan dhe fëmijët, ai thotë se, nuk arrin të sigurojë të ardhura.

“Kemi  vetëm dy lopë dhe disa pula dhe në rrypin e vogël të tokës kultivojmë perime vetëm për nevojat tona,” tha Qamili.

Bllokimi nga Greqia i Pikave kufitare me Shqipërinë dhe shtimi i procedurave për punësimin sezonal nga autoritetet greke, penguan disa mijëra shqiptarë që udhëtonin në Greqi çdo vit për punët e pranverës në bujqësi. Lëshimi “me pikatore” i kuotave ditore të hyrjes në anën greke, si fillim vetëm në Kakavijë dhe më pas në Kapshticë dhe Qafë Botë, ishte këtë vit i pafavorshëm për punëtorët  sezonalë shqiptarë,  ndërkohë që vështirësive iu shtuan edhe vonesat e punëdhënësve grekë për kontratat, si  dhe testet për COVID-19 në kufi.

Për shumë prej tyre të ardhurat e dy-tre muajve punë në Greqi janë të domosdoshme për të mbajtur familjen. Yzeiri thotë se me paratë që fiton mbështet studimet e të bijës për sociologji në Universitetin e Tiranës dhe shkollimin e dy fëmijëve të tjerë, që janë më të vegjël.

“Po mbeti për mua dhe për gruan,” shtoi ai duke qeshur, i lumtur që oficeri shqiptar i kufirit në Kakavijë i ka vulosur më në fund pasaportën.

Komandanti i pikës kufitare të Kakavijës, Vilson Dine shprehet se, punëtorët sezonalë nuk kanë hasur problem, edhe pse radhët kanë qenë të gjata.

“Këtë vit në anën tonë puna ka vijuar pa problem,” tha Dine.  “Tani që u hap edhe Kapshtica në juglindje, ka më pak lëvizje,” shtoi ai.

Në krahun tjetër të kufirit burokracitë janë më të shumta. Një menaxher kompanie udhëtimi, që nuk pranoi të jepte emrin, tha se duheshin plotësuar një mori dokumentesh, që përfshinin një kod të lejes së punës nga punëdhënësi grek dhe që sigurohet tek shërbimi i Emigracionit të Administratës Vendore.

“Më pas Agjensia e Transportit siguron kohën e udhëtimit dhe përmbushjen e detyrimeve për testin për COVID-19 që duhet të jetë kryer 72 orët e fundit në Shqipëri dhe që duhet të rezultojë negativ, si dhe formularin e hyrjes në Greqi që është i detyrueshëm,” shpjegoi menaxheri i agjencisë së transportit.

Krahas këtyre në krahun tjetër pala greke kryen përmes shërbimit epidemiologjik të instaluar prej kohësh në kufi edhe teste PCR (tampon) ose teste të shpejta.

Hall në të dy krahët

Qeveria greke premtoi që fillimin e këtij viti të rregullojë mbi baza më të mira ligjore punësimin sezonal të shtetasve të huaj nga Ballkani, ku pjesën dërrmuese e përbëjnë puntorët nga Shqipëria. Sipas një vendimi të njoftuar në fletoren zyrtare, qeveria greke miratoi dhënien e lejes së qëndrimit për 65 mijë punëtorë sezonalë në bujqësi dhe rreth 10 mijë në blegtori.

Sipas parashikimit  të autoriteteve greke për vitin 2021, ishin rreth 18 mijë vende të reja pune në bujqësi dhe 10 mijë të tjera në blegtori. Qeveria greke parashikoi  krijimin e një regjistri të punonjësve sezonalë me qëndrim të ligjshëm e të përkohshëm ne Greqi.

Por situata prej pandemisë dhe masat për parandalimin e saj i mbajtën të bllokuar kufijtë, ndërsa për periudha të gjatë pati bllokim total të lëvizjes së brendshme edhe në Greqi.

Marrëveshja mes  qeverisë greke dhe asaj shqiptare, nënshkruar një vit më parë solli pak efekte në lehtësimin e lëvizjes së punëtorëve sezonalë shqiptarë. Numri i punonjësve sezonalë shqiptarë është dukshëm më i ulët këtë vit dhe fermerët në vendin fqinj – punëdhënësit kryesorë të punëtorëve sezonalë, nuk janë të kënaqur.

Në një letër drejtuar Ministrisë së Emigracionit në Greqi në 21 maj, Christos Giannakakis, president i organizatës së Kultivuesve të Frutave, i quajti rregullat “teka burokratike” që nuk mund të zbatoheshin. Giannakakis thotë se rregullat, që përcaktonin se për 25 hektarë pjeshkë mund të punësojë vetëm një punëtor nga jashtë, ishin të padrejta dhe po aplikoheshin vetëm për fermerët dhe jo për turizmin e sektorë të tjerë të ekonomisë.

Në mes të qershorit dhe pas vendimit të Bashkimit Evropian për hapjen e kufijëve, rregullat e lëvizjes edhe u lehtësuan, edhe për shqiptarët, duke lejuar kalimin edhe pa pasur leje pune. Megjithatë, lehtësimi i lëvizjes, nuk i ka shmangur masat që synojnë parandalimin e përhapjes së COVID-19 në Greqi./ ‘BIRN’

 

 

Kjo lloj vize vlen për qytetarët shqiptarë  mbi 14-vjeç

Si mund të ndjekësh shkollën e mesme në Itali, kushtet dhe rregullat

 

Studentët e mitur në momentin e prezantimit të kërkesës së vizës, duhet të paraqiten në sportelin pranë Kancelarisë Konsullore, të shoqëruar nga të dy prindërit

 

Kjo lloj vize është e nevojshme për qytetarët shqiptarë (NË MOSHË MADHORE, OSE TË NJË MOSHE MË TË MADHE SE 14 VJEÇ) që mendojnë të ndjekin shkollën e mesme ose atë profesionale.

Studentët që mendojnë të ndjekin Universitetin në Itali të konsultojnë udhëzimet për procedurën e para-regjistrimit dhe të kërkesës për vizë Studim/Universitet që publikohen çdo vit në muajin maj, në Home Page-in e kësaj faqeje.

Për të gjithë të tjerët:

 

Dokumentacioni i nevojshëm i kërkesës për vizë studimi

–        Formulari i kërkesës për vizë (Duhet përdorur një formular për secilin aplikant për vizë, i plotësuar në secilën pjesë të tij dhe i firmosur. (Në rastin e të miturve, formulari duhet firmosur nga të dy prindërit, pranë Kancelarisë Konsullore);

–        Pasaporta e vlefshme (Skandenca e pasaportës duhet të jetë të paktën tre muaj pas mbarimit të afatit të vizës që kërkohet);

–        Një fotokopje e pasaportës;

–        Dy fotografi të kohëve të fundit të formatit teser;

–        Deklaratë regjistrimi apo para-regjistrimi pranë shkollës/institutit duke treguar numrin e orëve dhe të kohëzgjatjes së studimeve (shtetëror dhe/ose i njohur në nivel rajonal);

–        Dokumentacion i titujve të studimit në zotërim, koherent me studimin që synohet të ndërmerret (mundësisht “deklarata e vlefshmërisë”);

–        Certifikatë personale (vetëm nëse është kërkesa e parë për vizë, për të verifikuar kompetencën territoriale të Kancelarisë Konsullore të Ambasadës së Tiranës).

Garancitë ekonomike

–        Garanci ekonomike të dokumentuara në lidhje me qëndrimin në Itali, të një shume jo më të vogël se ajo që është përcaktuar në Tabelën A bashkëngjitur Direktivës së Ministrisë së Brendshme të 01.03.2000;

–        Si alternativë bursa studimi akorduar nga Qeveria Italiane ose nga Ente Italiane të njohura, nga Ente italiane me të drejta publike, nga Organizata ndërkombëtare, nga Ente ndërkombëtare të njohura ose Ente publike të Vendit të origjinës, nga Institute fetare, Universitete, Institute shkollore të huaja, nga Ente dhe Shoqata italiane të një besueshmërie të sigurt;

–        Në rastin kur bursa e studimit e akorduar mbulon pjesërisht shpenzimet e parashikuara për qëndrimin në Itali, kërkuesit e vizës duhet të paraqesin garanci ekonomike të tilla që të mbulohet shuma e mbetur.

 

Qëndrimi

–        Në rast se zotëron një deklarate mikpritjeje nga ana e një shtetasi italian apo të huaj, banues i rregullt në Itali, kjo duhet të plotësohet sipas modelit të disponueshëm në sitin e Ambasadës ose në shpërndarje pranë Ambasadës, duke treguar saktësisht periudhën e qëndrimit, mbulimin e shpenzimeve të qëndrimit, shoqëruar nga një kopje e lejes së qëndrimit e vlefshme nëse është shtetas shqiptar, e dokumentit të identifikimit ose pasaportës nëse është qytetar italian. Në alternative mund të paraqitet kontratë shtëpie ose qëndrimi pranë strukturave të tjera në rast se janë përcaktuar kostot dhe kohëzgjatja e qëndrimit në to.

 

Siguracioni Shëndetësor

Policë sigurimi e kryer pranë shoqërive siguruese si shqiptare ashtu dhe italiane me kohëzgjatje 1 mujore nga data e nisjes për në Itali. Studenti duhet të demostrojë, në momentin e kërkesës së lejes së qëndrimit, se është titullar i një police sigurimi të cilin mund ta nënshkruajë me mbërritjen e tij në Itali dhe e cila mbulon rastet e kurave mjekësore, apo shtrimit spitalor.

 

Udhëtimi

–        Prenotim i biletës së avionit/tragetit vajtje-ardhje apo biletë nëse është prerë, ose disponibilitet i dokumentuar i një mjeti transporti personal.

Kujdestari e plotë për studentin në moshë të mitur:

Studentët e mitur në momentin e prezantimit të kërkesës së vizës duhet të paraqiten në sportel të shoqëruar nga të dy prindërit duke paraqitur:

-certifikatë familjare të apostiluar;

-akt dakordësie mbi largimin jashtë shtetit të të miturit, të firmosur para noterit nga të dy prindërit mbi bazën ligjore shqiptare, të apostiluar dhe të përkthyer në italisht;

-garanci e dokumentuar mbi kujdestarinë dhe mbrojtjen e vazhdueshme të minorenit gjatë qëndrimit, e vërtetuar për shembull në format e mëposhtme:

  1. a)         sistemim në konvikt dhe deklaratë e marrjes së përgjegjësisë mbi minorenin nga ana e Rektorit të Kolegjit bashkë me një fotokopje të dokumentit të këtij të fundit;

vendim të Gjykatës italiane përkatëse për të Miturit mbi kujdestarinë në emër të një të besuari të prindërve, me qëndrim të rregullt në Itali, që mban përgjegjësi derisa minoreni të mbushë moshën 18 vjeç

 

 

Vini re: të gjitha dokumentat dhe deklaratat në shqip të lëshuara nga autoritetet lokale, duhet të jenë të përkthyera në gjuhën italiane dhe të apostiluara nga Ministria e Punëve të Jashtme Shqiptare.

Certifikatat e gjendjes civile duhet të jenë të lëshuara nga jo më shumë se 6 muaj.

 

Formularët për kërkesën per vizë dhe modularet në përdorim mund të shkarkohen nga siti i Ambasadës www.ambtirana.esteri.it (në veçanti konsultoni sektorët  “Viza” dhe “Modulistikë”), si dhe shpërndahen pa pagesë, në Zyrat e Ambasadës.

 

Kujdes: Përfaqësia Diplomatike apo Konsullore ka të drejtën të kërkojë dokumentacion shtesë në rast nevojë. Nënvizohet se, paraqitja e dokumentacionit të kërkuar, nuk sjell domosdoshmerisht lëshimin e vizës.