Investimet e huaja pësojnë rënie drastike në 6 mujorin e parë

274
Sigal

 

Paradoksi, bien energjia dhe industria nxjerrëse, rriten pasuritë e paluajtshme dhe shërbimet

Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se, investimet në industrinë nxjerrëse për tremujorin e parë të vitit, ranë me 47%

Në sektorin energjetik, investimet e huaja direkte, pësuan një rënie edhe më të fortë, me rreth 68%

Investimet në dy sektorët që kanë dominuar investimet e huaja direkte në vitet e fundit, e kanë nisur në rënie vitin 2021. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë  tregojnë se, investimet në industrinë nxjerrëse për tremujorin e parë të vitit ranë me 47% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, ky sektor ngeli sërish në krye të thithjes së investimeve të huaja për tremujorin e parë të vitit, me 40 milionë euro ose rreth 17% të flukseve totale për tremujorin. Investimet në industrinë nxjerrëse i takojnë kryesisht kompanive ekzistuese në aktivitetin e nxjerrjes së naftës bruto.

Ndërkohë, në sektorin energjetik, investimet e huaja direkte pësuan një rënie edhe më të fortë, me rreth 68% më pak ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Rënia e investimeve në sektorin energjetik ishte e pritshme, pas përfundimit të gazjellësit TAP dhe projekteve më të mëdha të investimit në hidrocentrale.

Degët që kanë shënuar një rritje të ndjeshme në tremujorin i të këtij viti kanë qenë sidomos shërbimet financiare, pasuritë e paluajtshme dhe degët e shërbimeve që përfshijnë shërbimet profesionale e teknike.

Për tremujorin e parë të vitit, investimet në sektorin financiar u rritën me 236% ndaj të njëjtit tremujor të një viti më parë dhe arritën vlerën e 37 milionë eurove. Ky ishte sektori i dytë për nga fluksi i tremujorit i investimeve të huaja, me rreth 16% të totalit. Sektori bankar sjell në vazhdimësi flukse të konsiderueshme investimesh, për shkak se rritja e bankave tregtare kërkon shtim gradual të kapitalit aksioner, për të qëndruar në përputhje me kërkesat rregullatore. Në vitet e fundit, këto kërkesa janë rritur, me vendosjen edhe të shtesave makroprudenciale të kapitalit. Pas pandemisë, autoritetet mbikëqyrëse në tregun bankar dhe të sigurimeve kanë vendosur pezullime të përkohshme të shpërndarjes së fitimeve.

Rritje shënuan edhe investimet në sektorin e pasurive të paluajtshme, që arritën në 30 milionë euro, rreth 67% më shumë, krahasuar me një vit më parë. Kjo konfirmon perceptimin që ky sektor po tërheq investime në rritje, jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga investitorët e huaj. Rritje shënuan edhe investimet në sektorin e ndërtimit  që arritën vlerën e 11 milionë eurove, pothuajse katër herë më shumë, krahasuar me një vit më parë.

Investimet e huaja shënuan rritje edhe në degën e shërbimeve profesionale, shkencore dhe teknike, degë e lidhur kryesisht me aktivitetet e call center, të suportit teknik apo të shitjeve për platforma të shërbimeve financiare. Për tremujorin e parë, ky sektor tërhoqi investime të huaja në vlerën e 30 milionë eurove,  233% më shumë, krahasuar me një vit më parë.

Sektori tjetër ku u shënua rritje e investimeve të huaja direkte, ishte industria përpunuese, për një shumë totale prej 19 milionë euro, ndërsa një vit më parë në këtë sector, nuk ishin regjistruar investime të huaja.

Në tremujorin e parë të këtij viti, Shqipëria tërhoqi gjithsej 229 milionë euro investime të huaja, në rënie me 1.3% , ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Megjithë krizën ekonomike globale që solli pandemia, rënia e investimeve të huaja, ka qenë minimale dhe flukset e reja janë mbështetur sidomos, nga fitimet e riinvestuara të ndërmarrjeve ekzistuese.