Udhëzimi, Autoriteti i Konkurrencës: Ja marrëveshjet horizontale që lëkundin tregun

935
Sigal

Udhëzimi “Për vlerësimin e marrëveshjeve horizontale” përcakton parimet për vlerësimin, (sipas nenit 4 të Ligjit nr 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”) e marrëveshjeve ndërmjet ndërmarrjeve, vendimeve dhe praktikave të bashkërenduara të grupimeve të ndërmarrjeve, të cilat kanë të bëjnë me bashkëpunimin horizontal. Bashkëpunimi është i një natyre “horizontale”, nëse një marrëveshje është lidhur midis konkurrentëve aktual ose potencial. Gjithashtu, ky udhëzim përfshin marrëveshjet horizontale të bashkëpunimit, të lidhura midis ndërmarrjeve jo-konkurrente, për shembull, në mes të dy ndërmarrjeve aktive në tregjet e të njëjtin produkt, por në tregje të ndryshme gjeografike, pa qenë konkurrentë potencialë. Marrëveshjet horizontale të bashkëpunimit mund të çojnë në përfitime ekonomike të konsiderueshme, sidomos nëse kombinojnë aktivitetet plotësuese, aftësitë apo asetet. Ato mund të jenë një mjet për të ndarë rrezikun, për të kursyer kostot, për të rritur investimet, knoë-hoë, për të rritur cilësinë e produkteve të ndryshme dhe për të sjellë risi. Nga ana tjetër, marrëveshjet horizontale mund të shkaktojnë probleme në konkurrencë. Kjo ndodh në rastet kur palët bien dakord për të rregulluar çmimet e produkteve, apo të ndajnë tregjet, ose nëse bashkëpunimi i mundëson palëve të ruajnë, fitojnë apo të rrisin fuqinë në treg dhe në këtë mënyrë sjellin rritje të efekteve negative të tregut në lidhje me çmimet, prodhimin, cilësinë dhe shumëllojshmërinë e produkteve apo risive. Autoriteti i Konkurrencës, duke njohur përfitimet si rezultat i marrëveshjeve horizontale të bashkëpunimit, duhet të sigurohet se është ruajtur konkurrenca efektive. Dispozitat ligjore mbi marrëveshjet ofrojnë kuadrin e duhur ligjor për të kryer nga ana e Autoritetit, vlerësimin e një marrëveshjeje duke marrë në konsideratë efektet dhe pasojat që sjell një marrëveshje.

Qëllimi i udhëzimit është që të sigurojë një kuadër analitik për llojet më të zakonshme të marrëveshjeve të bashkëpunimit horizontal. Udhëzimi analizon marrëveshjet e kërkimit dhe zhvillimit, marrëveshjet e prodhimit, duke përfshirë nën-kontraktimin dhe marrëveshjet e specializimit, marrëveshjet e blerjeve, marrëveshjet e shitjeve, marrëveshjet e standardizimit, përfshirë kontratat standarde dhe shkëmbimin e informacionit. Analiza kryhet, bazuar në kriteret ligjore dhe ekonomike që ndihmojnë për të analizuar një marrëveshje horizontale bashkëpunimi dhe rrethanat në të cilat ajo lidhet. Kriteret ekonomike të tilla si fuqia e tregut e palëve dhe faktorë të tjerë që lidhen me strukturën e tregut, përbëjnë një element kyç të vlerësimit të ndikimit në treg të shkaktuara nga marrëveshjet horizontale të bashkëpunimit, në kuadër të nenit 4 të Ligjit. Ky udhëzim merr në analizë llojet më të zakonshme të marrëveshjeve horizontale të bashkëpunimit, me përjashtim të transaksioneve që përbëjnë një përqendrim dhe janë objekt i rregulloreve dhe kuadrit ligjor për përqendrimet. Ky udhëzim do të ndihmojë bizneset në vlerësimin e përputhshmërisë së një marrëveshje individuale bashkëpunimi me nenin 4.  Secili rast duhet të vlerësohet mbi bazën e fakteve të veta, të cilat mund të kërkojnë një zbatim të saktë të këtij udhëzimi rast pas rasti. Kriteret e përcaktuara në këtë udhëzim, vlejnë për marrëveshjet horizontale të bashkëpunimit, si për produktet, ashtu dhe për shërbimet. Edhe pse ky udhëzim përmban referenca të caktuara për marrëveshjet e ndaluara, nuk ka për qëllim të japë një vlerësim lidhur me faktin nëse një marrëveshje është e ndaluar ose jo.