MINISTRIA E DREJTËSISË, JA PLANI PËR STRATEGJINË 2018-2021

603
Sigal

Plani për strategjinë e drejtësisë 2018-2021

Masat e reja planifikojnë forcimin profesional të avokatëve dhe noterëve nëpërmjet programeve të trajnimit

Plani për strategjinë e drejtësisë 2018-2021

Parashikohen ndryshime dhe për përmbaruesit gjyqësorë privatë dhe ndërmjetësit

Profesionet e lira, të lidhura drejtpërdrejt me fushën e drejtësisë, duket se do t’i nënshtrohen ndryshimeve të rëndësishme në vijim duke nisur që nga ndërhyrjet ligjore në funksion të përmirësimit të punës e deri tek trajnimet apo eliminimi i ngërçeve të hasura ndër vite. Ministria e Drejtësisë ka nxjerrë për konsultim Planin e Veprimit 2018-2021 të strategjisë ndërsektoriale të drejtësisë ku mes të tjerash në bazë të objektivave të rishikuar merren në vlerësim profesione të tillë si avokatët, noterët dhe përmbaruesit gjyqësorë privatë apo ndërmjetësit. Lidhur me avokatët plani i ri i veprimit parashikon rritjen dhe forcimin profesional të këtij grupi profesionistësh në mbrojtjen e të drejtave themelore të qytetarëve nëpërmjet konsolidimit të programeve trajnuese të ofruara nga Shkolla e Avokatisë. Vit pas viti parashikohet organizmi i trajnimeve ku vetëm për vitin 2019 organizimi i 6 raundeve të para trajnuese. Lidhur me noterët plani parashikon ngritjen e Qendrës së Trajnimeve për noterët në Republikën e Shqipërisë. Ky program synon rritjen e performances së noterëve dhe kualifikimi profesional i tyre. Sigurisht përveç trajnimeve plani parashikon edhe një vlerësim të tyre nga ana e institucioneve monitoruese kapacitetet e të cilëve parashikohen që të forcohen ndërkohë që infrastruktura përmes sistemeve IT do të përmirësohet. Plani parashikon krijimin dhe funksionimin e sistemit elektronik N.I.S.A., që siguron lidhje online në kohë reale të veprimtarisë së noterit me shërbimet publike. Funksionimi i plotë I tij pritet të bëhet ne vitin 2020 ndërkohe që fazë testimi do të jetë viti I ardhshëm. Një tjetër profesion në fokus është ai i ndërmjetësve dhe që plani 2018-2021 parashikon ngritjen e dhomave vendore dhe ofrimi i shërbimit të ndërmjetësimit. Hapja e dhomave pritet të bëhet pas procesit të organizmit dhe trajnimit në vitin 2020. Të katërtit ndër profesione e lira të lidhura me drejtësinë janë përmbaruesit privatë. Plani parashikon finalizimin e ndryshimeve në kuadrin ligjor në fuqi, që lidhen me organizimin dhe funksionimin e shërbimit përmbarimor gjyqësor privat, si pjesë e paketës së reformës në drejtësi. Për këtë profesion viti 2019 do të jetë vendimtar duke qenë se parashikohen një sërë objektivash si : Adresimin e problematikave të ndeshura për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat, të evidentuara nga Dhoma Kombëtare e Përmbarimit Gjyqësor Privat dhe Ministria e Drejtësisë gjatë trajtimit të ankesave, rregullimin e funksionimit të shoqërive përmbarimore, përcaktimit të detyrave të qarta të përmbaruesve gjyqësorë privatë, për kryerjen e aktiviteteve që lidhen me natyrën e profesionit të tyre ligjor dhe rregullimit të mbledhjes me mirëkuptim të detyrimeve. Ministria e Drejtësisë nënvizon se masat e reja të Planit të Veprimit, 2018-2021, në zbatim të Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë synojnë të intensifikojnë organizimin dhe funksionimin e organeve të reja në drejtësi, si KLGJ, KLP, ILD e KED, të thellojnë formimin tekniko-profesional të sistemit të drejtësisë nëpërmjet kualifikimit të vazhdueshëm të gjyqtarëve, prokurorëve e administratës gjyqësore apo dhe rritjen e aksesit në sistemin e drejtësisë nëpërmjet ngritjes dhe funksionimit të Ndihmës Juridike Falas./monitor