Skerdi Drenova dhe Osman Sulo vjedhin paratë e OST me tender mafioz

633
Sigal

 

 U ndryshuan kriteret në minutat e fundit nën hundën e organeve të drejtësisë

 

Një vjedhje flagrante dhe e paskrupullt. Drejtori i Edi Ramës në krye të OST, Skerdi Drenova, sapo ka finalizuar një aferë financiare me paratë publike, para syve dhe nën hundën e SPAK. Bëhet fjalë për tenderin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit për blerje rroba pune për punonjësit, me vlerë 300 milionë lekë. Tenderi ishte përcaktuar për klientin Osman Sulo, i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në dhjetor të vitit 2020 me objekt import-eksport veshjesh. Por, kishte një problem, pasi duke mos pasur përvojë në këtë fushë, Osman Sula nuk plotësonte kriteret për të fituar tenderin, sidomos kriterin e xhiros vjetore gjatë tre viteve të fundit. Sulo kishte një aktivitet 7 mujor. Në këtë rrethanë, Skerdi Drenova dhe rrethi i tij i korrupsionit në OST, kanë vendosur të fusin duart, duke ndryshuar kriteret në minutat e fundit, me qëllim për t’i dhënë tenderin Osman Sulos.

Kështu është hequr kriteri i xhiros vjetore për tre vitet e fundit. Janë hequr të gjitha kriteret e tjera të vendosura më parë, të cilat nuk plotësoheshin nga Osman Sulo. Në fund janë lënë vetëm kriteret qesharake që plotësoheshin nga fituesi. Në garë kanë marrë pjesë dy kompani “Univers Promotions” sh.p.k. dhe “EXTRABIS” sh.p.k, të cilat kanë paraqitur oferta deri në 50 milionë lekë më të ulët se sa Osman Sulos. Ofertat e dy kompanive kanë zënë ngushtë bandën e hajdutëve në OST. Për të gjetur një shkak për t’i përjashtuar nga gara, OST ka marrë mostrat e rrobave, duke i dërguar për analiza pranë laboratorit të tekstileve në Tiranë. Me anë të kësaj manovre, OST ka konkluduar se rrobat e dy kompanive me ofertë më të ulët nuk përmbushin kriteret teknike të tenderit, ndërsa rrobat e Osman Sulos, i përmbushin.

Nëse OST nuk do të ishte një nga qendrat më të mëdha të korrupsionit në Shqipëri, edhe mund të besohej përralla e analizimit të rrobave në laborator. Vjedhja me tenderin me vlerë 300 milionë lekë, në fakt është një bakshish në raport me vjedhjet në tërësi të OST me tendera. Mbi 17 milionë euro tendera Skerdi Drenova i ka dhënë vetëm ‘ujkut të vjetër’ të tenderave, Shpëtim Cingës. Ky i fundit, kontrollon disa kompani në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, ndërsa ka krijuar me Drenovën një skemë grabitje të parave publike sipas ‘Pamflet’. Sigurisht që Edi Rama është në dijeni në mënyrë të hollësishme për përvetësimin dhe ndarjen e parave publike. Por, në vend që ta dërgojë me duart e tij në SPAK Skerdi Drenovën siç edhe është përbetuar para disa ditësh, Rama vijon propagandën me luftën kundër korrupsionit.