Taksa per banesat është e parakohshme

934
Dhoma Amerikane e Tregtisë “rrëzon” paketën fiskale
Bizneset deklarojnë se propozimet nuk kanë stimuj realë për biznesin, ndërsa i jepet shumë pushtet qeverisë. Pse taksa për banesat është e parakohshme
Dhoma Amerikane e Tregtisë ka dorëzuar komentet e saj për paketën fiskale në Ministrinë e Financave, bënë të ditura burime nga kjo e fundit. Dy janë vërejtjet kryesore të Dhomës: Së pari po i lihet hapësirë të madhe Këshillit të Ministrave përmes vendimeve, sidomos për uljen e kufirit të TVSH-së dhe taksën e pronës dhe së dyti paketa nuk ka nxitës realë për biznesin. Dhoma mendon edhe se kalimi i taksës së pasurisë mbi bazën e vlerës së tregut është i parakohshëm. Ajo tërheq vëmendjen edhe për mospërfshirjen e uljes se tatimit mbi dividendin dhe tatimit mbi të ardhurat personale, pavarësisht premtimit të qeverisë.
Hapësira për qeverinë
Nga leximi i projektligjeve të propozuara si pjesë e Paketës Fiskale 2018, anëtaret e Dhomës janë të mendimit qe këto projektligje përcaktojnë vetëm disa parashikime të përgjithshme dhe lënë një hapësirë të madhe për plotësim nga ana e Këshillit të Ministrave. Sipas nenit 155 të Kushtetutës se Shqipërisë, “taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen me ligj”. Më tej, sipas nenit 118 të Kushtetutës, “aktet nënligjore nxirren në bazë dhe për zbatim të ligjeve nga organet e parashikuara në Kushtetutë. Ligji duhet të autorizojë nxjerrjen e akteve nënligjore, të përcaktojë organin kompetent, çështjet që duhen rregulluar, si dhe parimet në bazë të të cilave nxirren këto akte”. Si në rastin e dispozitave të projekt-ligjit për ndryshime në ligjin për TVSH, tek projektligji për ndryshime në ligjin për tatimin mbi të ardhurat si dhe tek projektligji për ndryshime në ligjin për taksat vendore, autorizohet Këshilli i Ministrave që të përcaktojë “kushtet, kriteret dhe procedurat për zbatimin” e dispozitës ligjore. Por asnjë nga projekt-ligjet nuk parashikon parimet mbi bazën e të cilave do të nxirret akti nënligjor nga Këshilli i Ministrave. Kjo gjë sjell si pasojë lënien e një fushe veprimi të gjere për Këshillin e Ministrave për të përcaktuar çfarëdolloj kushti apo kriteri për tatimpaguesit qe të detyrohen të paguajnë një tatim apo të përfitojnë lehtësira tatimore. Në opinionin e anëtarëve të Dhomës, ligji duhet të përcaktojë qartë detyrimin tatimor, duke përcaktuar qartë dhe pa ekuivokë si bazën e tatueshme, ashtu edhe normën tatimore. Aktet nënligjore do të duhet më tej të specifikojnë detaje apo japin sqarime, por jo të vendosin elemente tepër llogaritjes se detyrimit tatimor. Shembulli tipik është autorizimi i Këshillit të Ministrave për të vendosur kufirin e regjistrimit në TVSH. Dhoma mendon se kufiri i regjistrimit duhet të caktohet në ligj (qoftë në një shumë të përcaktuar apo një segment ku parashikohet një shumë minimale dhe maksimale, brenda të cilit mund të vendosë Këshilli i Ministrave). Për më tepër, ligji duhet të përcaktojë në mënyre specifike cilat janë rastet e përjashtimit nga detyrimi për regjistrimin në TVSH apo cilat janë kategoritë e veçanta ku kufiri minimal i regjistrimit mund të jetë i ndryshëm. Shembull tjetër është autorizimi i Këshillit të Ministrave qe të përcaktoje me vendim “aktivitetet që përfshihen në fushën e prodhimit të softuare-ve si dhe procedurat për zbatimin e nenit qe lidhet me normën e reduktuar të tatimit mbi fitimin”. Ashtu siç është formuluar kjo dispozitë, është e paqarte se ku do të bazohet Këshilli i Ministrave për të përgatitur listën e aktiviteteve qe përfitojnë nga përjashtimi dhe çfarë procedurash do të rregulloje. Ligji duhej të sanksiononte listën e aktiviteteve sipas Nomenklaturës se Aktiviteteve Ekonomike të cilat do të përfshiheshin në këtë incentiv.
Së fundmi, në projektligjin për taksat vendore lihet e hapur për t’u përcaktuar nga Këshilli i Ministrave miratimi i “metodologjisë për përcaktimin e vlerës së tatueshme të pasurisë së paluajtshme – ndërtesa”, por në kundërshtim me dispozitat kushtetuese të sipërpërmendura nuk parashikohet asnjë parim ku do të bazohet Këshilli i Ministrave për miratimin e metodologjisë.
Ulja e kufirit të regjistrimit në TVSH
Ulja e kufirit të regjistrimit në TVSH, sipas Dhomës, duhet të ketë parasysh parimet e mëposhtme: (a) lehtësimi i procedurave të deklarimit të TVSH nga bizneset e vogla me deklarime tre-mujore, heqje gjobash për vonese në deklarim etj. si dhe (b) mosfutja në TVSH e bizneseve shumë të vogla. Shqetësim për anëtaret tanë përben kapaciteti i administratës tatimore (dhe sistemit e-tax) për menaxhimin e një numri të madh subjektesh në TVSH. Kostoja e administratës për menaxhimin dhe kontrollin e këtyre subjekteve duhet të justifikohet me të ardhurat qe ata do të sjellin në buxhet. Shqetësimi tjetër ka lidhje me faktin se fokusi i administratës tatimore nuk duhet të zhvendoset tek tatimpaguesit e vegjël pasi dëmi më i madh në buxhet shumicën e rasteve bëhet nga të mëdhenjtë. Nga ana tjetër, iniciativa në uljen e kufirit të TVSh duhet të shoqërohet me masa të tjera në kuadrin e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin apo tatimin mbi fitimin. për shkak të ndryshimeve thelbësore në procedura dhe barre tatimore ndërmjet këtyre dy lloj tatimeve qe ndahen tek xhiro vjetore 8 milionë leke, ka një shtytje të kuptueshme të subjekteve qe të qëndrojnë nen kufirin prej 8 milionë Leke (përfshirë këtu hapjen dhe mbylljen e Nipteve për të njëjtin aktivitet). Sugjerimi ynë është qe ministria të propozojë ndryshimin e ligjit për tatimin mbi të ardhurat dhe atë për taksat vendore qe të vendose një mënyrë dhe masë tatimi që iu lejon këtyre bizneseve të vogla formalizmin e tyre pa barrë fiskale të ekzagjeruar. Në këtë këndvështrim, duhet të trajtohen veçmas aktivitetet e shitjes se mallrave dhe ato të shërbimeve për arsye se tek ofrimi i shërbimeve, xhiro prej 8 milionë është me pranë fitimit neto të subjektit ndërsa në rastin e shitjes se mallrave, pjesën me të madhe të xhiros e zë vlera e shitjes së mallrave (dhe jo marxhi i fitimit). Pra, duke i mbetur filozofisë, se kush fiton (jo qarkullon) më shumë, paguan më shumë, klasifikimi i biznesit të behet në baze të fitimit. Kjo e shoqëruar me lehtësim të raportimit/ dokumentimit për bizneset me xhiro të vogël. Duke u tatuar fitimi dhe jo xhiro do të ketë efekt edhe në kërkesën me të madhe për të dokumentuar lëvizjet e mallrave dhe uljen e presionit për të fshehur të ardhurat/qarkullimin.
Taksa e pasurisë së paluajtshme
Dhoma Amerikane mendon se taksimi i pasurive të paluajtshme mbi bazë vlere tregu të pasurisë dhe jo mbi bazë fikse është i parakohshëm. Niveli dhe standardi i jetesës është shumë i ulët krahasuar me vendet e tjera të rajonit ku aplikohet taksë si përqindje mbi vlerën. Do të rëndonte shumë buxhetin familjar të një familjeje shqiptare, duke ulur nivelin e konsumit dhe do të ketë impakt negativ në ekonomi. Përpara se të ndërmerren hapa të tillë duhet të analizohet një herë standardi i jetesës dhe mundësia për ta përballuar nga një qytetar shqiptar. në anën tjetër vendi ynë vijon të ketë probleme të theksuara me pronën ku shume prona janë të paregjistruara, pa-legalizuara, janë të zaptuara etj. Duhet të zgjidhen njëherë ngërçet e krijuara nga ligji i pronës dhe pastaj të kalohet tek taksimi i saj. Sugjerohet që taksimi i pasurive të paluajtshme të vijojë të jetë mbi bazë fikse, i cili sërish është i drejtë, sepse bazohet në sipërfaqen që çdo pronar zotëron. Shteti duhet t’i krijoje mundësi rezidentëve përmes punësimit, zgjidhjes së problemeve me pronën dhe rritjes së standardit të jetesës përpara sesa të kërkojë të vjelë prej tyre.
Sigal