“E bukura, lozonjarja, tokësorja Grua”, titulli i librit që u vendos pa lejen e Dritëroit

1514
Elona Agolli: Titulli i përmbledhjes me poezi të Dritëro Agollit për herë të parë u vendos pa lejen e Dritëroit, por u vu nga më i dashuri njeri i tij, Sadija dhe më i çmuari mik, Prof. Rexhep Qosja 

Pasthënia e përmbledhjes së re me poezi “E bukura, lozonjarja, tokësorja Grua” – Dritëro Agolli

Në fakt, doja t’ia bënim surprizë. Pasi ajo e meriton. Pasi ajo është gruaja idhull dhe simbol. Pasi ajo ngaherë ka qenë bukuria drejt së cilës vraponte im atë; poeti, bashkëshorti, burri. Por u zbulova. U zbulova pasi nuk mund të mos t’i tregoja e kërkoja mendime për çka po përgatisja. Pasi ajo, mamaja ime dhe “e bukura, lozonjarja, e thjeshta, tokësorja” grua e të madhit poet ishte edhe lexuesja, këshilluesja dhe redaktorja e parë e veprave të atit tim. Dhe është ajo që me plot bindjen e saj e titulloi këtë përmbledhje poezish për dashurinë e gruan, “E bukura, lozonjarja, tokësorja Grua”. Dhe një të vogël sekret do të rrëfej: Nuk mundej të mos kërkohej një këshillim nga ai të cilin më tepër çmonte, ndoshta barabar me bashkëshortin e saj të famshëm, Prof. Rexhep Qosen. Dhe një pasdite shtatori (vera e nxehtë po përcillej) ajo vendosi të bënte një telefonatë. Profesori i mirëkuptueshëm, i mirëgjendshëm, e kuptoi menjëherë mëdyshjen për titullin dhe pa asnjë ngurrim tha: “Ky është titull: “E bukura, lozonjarja, tokësorja Grua”. Dhe mos harro, Grua me germë të madhe. Varg i bukur i Dritëroit.” Titulli tashmë u vu. Është i pari titull që vihet pa lejen dhe mendimin e babait tim, por jam e lumtur. Ai u vu nga më i dashuri njeri i tij, nëna ime dhe më i çmuari mik i tij, Prof. Rexhep Qosja. 
Elona Agolli

Gratë për mua 
Kam dashur çdo grua pa masë, 
Në rrugë, në dhomë e kuzhinë, 
Madje dhe lart në tarracë, 
Ku ndejnë rroba e fshijnë. 
Në zënka s’kam sharë asnjë grua, 
S’kam shkruar keq në asnjë fletë. 
Do vdes. 
Do flasin gratë për mua: 
“Ky ishte poet i vërtetë”. 
2012
Letrat 
Kur dashuroheshim në kohën tonë, 
Kur tretesha dhe digjesha për ty, 
Nga njëri-tjetri letrat vinin vonë, 
Kalonte dhe një muaj apo dy. 
Po ndofta dashuria mbahej gjallë, 
Se zjarrin mbanin letrat në udhëtim 
Me biçikletë a mushkë apo me kalë 
Në vapë e shi, dëborë dhe thëllim. 
Kur dashuroheshim në kohën tonë 
Me zor na vinin letrat fshat-qytet 
Nuk kishim nëpër dhoma telefonë 
Dhe në ëndërr s’kishte faks dhe internet. 
Megjithatë më mirë që nuk kishte 
As telefon, as internet, as faks, 
Se fjalë e nisur shpejt dhe mund ta vriste 
Një dashuri të vjetër për një çast.
E paharruara 
Ngaherë pyet nëna e ngratë: 
Ku do jetë partizania që fjeti atë natë?! 
Pyet e ul kokën me thinjë 
Në mbrëmjet e vona në fshatin Sinjë. 
Asaj i kujtohet vajza me yll në ballë, 
Që rrobat ia thau e i dha qumësht e dhallë. 
Dhe kur iku, në prag i tha: udhë e mbarë! 
Dhe mendoi: “Ta kisha nuse për Mevlanë!” 
Po Mevlani u vra në Malin e Thatë 
Në Brigadën e Katërt a në Brigadën e Shtatë. 
Dhe tok me djalin në mendje i mbeti 
Vajza që natën në odë fjeti. 
Dhe ngaherë pyet për të: ku do jetë? 
Sikur nusen e djalit ta ketë. 
1967
E bukura 
E bukur, tokësore, e thjeshtë, lozonjare, 
E tillë për mua je ti. 
Unë vë kokën e zezë, si ugar, në supet e tua ledhatare 
Dhe rri. 
Unë rritem kur jam me ty, si Anteu, 
E gjaku muret e aortës godet. 
Të dy jemi bërë nga lulet, nga dheu, 
Të dy njëri-tjetrit i duhemi me ditë e me net, 
E bukura, tokësorja, e thjeshta grua! 
1964


Sigal