Sketori i ndërtimit “i kapur” nga pastrami i parave të krimit

302
Sigal

 

Në shumicën e pallateve të reja që po ndërtohen në Tiranë, punimet kanë përfunduar fazën e tyre të parë. Ndërtuesve iu duhen minimalisht edhe 2 vjet kohë për përfundimin tërësisht të tyre. Aktorë të tregut, shpjegojnë se përdorimi i parasë informale në ndërtim do të mbingopë ofertën, ndërsa nuk do të lejojë që çmimet të ulen.

“Kompanitë që po ndërtojnë aktualisht janë të blinduara me para dhe shumë pak prej tyre po i financojnë investimet me kredi bankare. Shtrirja në kohë e shitjeve, ku një ndërtues 80% të objektit e ndërton me kredi krijon humbje, për këtë arsye ai është i detyruar të ulë çmimet”, tha z. Caka nga agjencia ‘Devinf.’

 

 BSH: Çmimet e apartamenteve në Tiranë janë rritur me 43% në 7 vitet e fundit

35% e pronave të shitura në Shqipëri, blihen nga individë me banim jashtë vendit.

Vrojtimi periodik i Bankës së Shqipërisë për tregun e pasurive të paluajtshme dhe indeksin e çmimeve të banesave, tregon se në gjysmën e parë të këtij, blerësit jorezidentë kishin një peshë të konsiderueshme në transaksionet e tregut të pasurive të paluajtshmë në vend. Raporti i numrit të pronave të shitura për jorezidentët ndaj numrit total të pronave të shitura është thuajse i pandryshuar krahasuar me gjysmën e dytë të vitit të kaluar, çka dëshmon se pesha e lartë e blerësve nga jashtë nuk përbën një zhvillim të përkohshëm apo sporadik. Rreth 1/3 blerësve nga jashtë Shqipërisë raportohen si rezidentë në Bashkimin Europian. Blerësit jorezidentë përfshijnë shtetas të huaj dhe shqiptarë me banim jashtë vendit

 

Skema I

Në rast se një individ kërkon të legalizojë një vlerë të vogël parash nëpërmjet blerjes së një apartamenti, ajo mund të bëhet në këtë mënyrë. Financiarisht nevojitet një shumë e pastër monetare, për blerjen e një apartamenti, pasi është e pamundur që shitja të kryhet 100% në rrugë informale.

Nëse apartamenti me sip 100 m² kushton 100 mijë euro, blerësi dhe ndërtuesi bien dakord që 50 mijë euro e vlerës të deklarohet në kontratën e shitjes, kurse pjesa e mbetur të paguhet në formë cash. Më pas, ky apartament, ri- shitet i deklaruar në kontratë me vlerë 100 mijë euro. Në këtë rast, nëpërmjet shitjes formalizohen 50 mijë euro kundrejt taksës 7,500 euro që paguhet në shtet (tatimfitimi 15% llogaritet për diferencën e çmimit të shitjes në kontratë me atë të çmimit të blerjes në kontratë).

 

Skema II

Nëse një subjekt kërkon të legalizojë një shumë të konsiderueshme të parasë informale, psh 1 milion euro, atë mund ta bëjë edhe nëpërmjet rritjes së fitimit nga ulja fiktive e shpenzimeve. Nëse kjo shumë do të legalizohet për një objekt me vlerë shitjeje 1 mln euro, ndërtuesi nuk deklaron shpenzimet reale, por i ul ato fiktivisht me qëllim që të rrisë fitimin.

Nëse shpenzimet fiktive janë deklaruar në vlerën e 800 mijë eurove dhe objekti shitet me vlerë 1 mln euro, fitimi i deklaruar 200 mijë euro është shuma e formalizuar, kundrejt tatimfitimit 15% (30,000 euro për këtë rast) që paguhet në shtet.

 

Skema III

Një individ që kërkon të legalizojë 1 mln euro hap një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar në emrin e tij, me një shumë modeste kapitali 10 mijë deri në 20 mijë euro, si dhe siguron mbështetjen e një kompanie të madhe dhe me ndikim në treg. Kompania e re duhet të lidhë kontratë bashkëpunimi, si investitor me një kompani me influencë në treg për projekte të ndryshme.

Individi që kërkon të pastrojë paratë të paktën, si fillim përdor 150 mijë euro për kompaninë e re, të cilat i siguron në formë kontrate borxhi me të afërmit e tij (kjo kontratë nuk të penalizon ligjërisht). Ndërsa bashkëpunimi për projektin vazhdon me kompaninë serioze dhe me influencë në treg, sa herë nevojitet likuiditet, furnizohet nga investitori në të zezë. Në përfundim të realizimit të projektit bëhet rishpërndarja e shpenzimeve + fitimit mes kompanive.

 

Skema IV

Një apartament në qendër kushton minimalisht 400 mijë euro (4000 mijë euro/m2 për një sipërfaqe 100 metra), duke e bërë të vështirë ndarjen e pagesave. Një skemë tjetër që po përdoret sipas ndërtuesve, është që blerësi futet si aksioner në kompani dhe më pas ai përfiton përqindjen përkatëse të ndërtimit.