KLSH: Vodhën buxhetin 43 të arrestuar, 62 nën hetim

606
Sigal

Korrupsioni i auditit në administratën publike çon në prokurori 62 punonjës, 43 të arrestuar Inspektimet e kryera nga njësitë e auditeve të brendshme të institucioneve publike gjatë vitit të shkuar kanë çuar në prokurori 62 nëpunës, dhe 43 arrestime. Është zbardhur Raporti Monitorues të Strategjisë Kundër Korrupsionit për vitin 2019, ku evidentohen rezultatet e kontrolleve të ushtruara nga njësitë e auditimit të brendshëm të institucioneve publike. Një nga aktivitetet e parashikuar në strategji, e cila ndihmon në arritjen e këtij objektivi është kontrolli dhe verifikimi (hetimi administrativ) i zbatimit të ligjshmërisë dhe/ose denoncimeve për praktika abuzive, korruptive apo arbitrare në të gjitha institucionet e administratës publike dhe agjencitë shtetërore. Në raport theksohet se gjatë vitit të shkuar, një pjesë e konsiderueshme e institucioneve kanë kryer kontrolle të brendshme dhe inspektime në 51,315 raste, për të cilat janë dhënë 450 rekomandime, si dhe janë kryer 52 auditime tematike dhe përputhshmërie. “Për periudhën raportuese (janar – shtator 2019), janë dhënë në numër 5,828 masa disiplinore, administrative dhe organizative, 4 hetime administrative si dhe 62 referime penale në Prokurori për punonjës, ndër të cilat 43 persona të arrestuar”, theksohet në raport. Strategjia e vë theksin te përdorimi sistematik i evidentimit të hapësirave për korrupsion, pasi shpesh korrupsioni mundësohet që në fazën e hartimit të ligjeve ose akteve nënligjore. Parashikimi i procedurave komplekse për marrjen e një shërbimi, parashikimi i përgjegjësive dhe roleve të mbivendosura, apo parashikimi i afateve të gjata dhe të paarsyeshme, sipas dokumentit zyrtar, janë vetëm disa shembuj sesi ligjet ose aktet nënligjore mund të bëhen shkas për korrupsion në sektorë të ndryshëm të qeverisjes.