Shqipëria  në krizë, KESH mbush xhepat e oligarkëve të shëndetsisë

706
Sigal

Moçali korruptiv energjitik në Shqipëri, i krijuar nëpërmjet fijeve të zeza në kupolën shtetërore, vjedhin miliardat e këtij sektori super-fitimprurës. Nga auditimi i KLSH-së  janë zbuluar shpenzimet e kryera nga KESH për siguracionin e jetës dhe shëndetit të punonjësve, ku KESH pagoi sigurimin 3-vjeçar për  675 punonjësve të saj një faturë prej 1.5 miliardë lekë për llogari të Vilma Nushit, edhe pse shteti u bënë sigurimin e detyrueshëm. Marrëzia  më e madhe qëndron në faktin se shefat që drejtojnë nga zyra, janë siguruar me dyfishin e vlerës së specialistëve dhe elektricistëve që punojnë me linjat elektrike

 

Një prej gjetjeve më problematike të audituesve të KLSH-së janë shpenzimet e kryera nga KESH për siguracionin e jetës dhe shëndetit të punonjësve të kompanisë. Në vitin 2019, KESH pagoi sigurimin 3-vjeçar për jetën dhe shëndetin e 675 punonjësve të saj një faturë prej 1.5 miliardë lekë të vjetra

Në foto: KLSH konstaton se “shefat” në KESH janë të privilegjuar në siguracionin e aksidenteve në punë, megjithëse nuk janë të rrezikuar

Moçali korruptiv energjitik në Shqipëri, i krijuar nëpërmjet fijeve të zeza në kupolën shtetërore, vjedhin miliardat e këtij sektori super-fitimprurës. Hajdutëria e ka startin në KESH, kompani përgjegjëse për prodhimin, importin, eksportin, transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, si i vetmi ent monopol shtetëror i rrjetit energjitik, në administrim 100% nga Ministria e Energji-Infrastrukturës. Kjo skemë vjedhjeje, ka nisur nëpërmjet një lëmshi që është bërë qëllimisht nga mafia qeveritare, me copëzimin e sektorit të energjisë në 3 kompani, të etiketuara “Shoqëri anonime” me vetë-administrim, ku shteti jo vetëm qëndron kukull, por dhe u financon vjedhjet. Në krye të sektorit energjitik, drejtuesit e tyre mesa duke trashëgojnë të njëri- tjetri dëshirën e abuzimeve. Nga Benet Beci tek Ergys Verdho që kohët e fundit tenderat e preferuar i ka ato me satelitë. Por qytetarët paguajnë çmimin më të lartë në rajon, edhe pse energjia është me ujë, madje tani qeveria vendosi edhe rritjen më tej të çmimit për ato që kalojnë 800kWh.Le ta nisim me deputetin e Partisë Socialiste, Benet Beci, i cili konsiderohet përgjegjës nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për shpërdorimin e qindra milionë lekë të shpenzuara për kontratat mbi sigurimin e jetës dhe shëndetit, gjatë kohës që drejtonte Korporatën Elektro-Energjetike Shqiptare (KESH). Benet Beci u emërua në krye të ndërmarrjes shtetërore të prodhimit të energjisë elektrike në janar 2019 dhe e mbajti këtë post deri në mesin e vitit 2021, kur u zgjodh ligjvënës nga radhët e partisë në pushtet të Edi Ramës. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka audituar veprimtarinë ekonomike të KESH gjatë periudhës së drejtimit të Becit dhe ka konstatuar shkelje të shumta, që arrin në vlerën e miliona eurove.

Një prej gjetjeve më problematike të audituesve të KLSH-së janë shpenzimet e kryera nga administrata e drejtuar nga Benet Beci për siguracionin e jetës dhe shëndetit të punonjësve të kompanisë. Në vitin 2019, KESH pagoi sigurimin 3-vjeçar për jetën dhe shëndetin e 675 punonjësve të saj një faturë prej 1.5 miliardë lekë të vjetra ose mbi 1 milionë euro. Në këtë shërbim përfshihej sigurimi për shëndetin, si edhe ai për aksidentet personale dhe të jetës nga aksidentet, përfshirë dhe aksidentet në punë. Kontrata parashikonte që shpenzimi do të mbulonte shpenzimet e kurimit dhe trajtimit të stafit drejtues në klinika private në të gjithë botën, me përjashtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë dhe Zvicrës. Ndërsa, për punonjësit e nivelit të mesëm, siguracioni përfshinte trajtimin e tyre në klinika private në Shqipëri ose në një shtet europian. KLSH konstaton se ky shpenzim nuk ka marrë në konsideratë faktin që punonjësit e KESH janë të përfshirë në skemën e kontributeve të detyrueshme për jetën dhe shëndetin, njëlloj si çdo i punësuar tjetër në vendin tonë. Ndëra qytetarët e thjeshtë rropaten në dyert e spitaleve për të bërë një analizë, ama vetëm 4 koncesionet në shëndetësi i kushtojnë taksapaguesve shqiptarë 425 mln euro për 10 vjet. Pra, punonjësit e KESH-it janë të përfshirë në skemën e mbrojtjes shtetërore për shëndetin dhe aksidentin në punë e, për këtë arsye, ishte e panevojshme që kompania të kryente shpenzime të tjera ekstra. Një pjesë e konsiderueshme e pakesës së siguracionit parashikonte realizimin e kontrollit bazë “Check Up” në spitale private për 475 punonjës të kompanisë. Në prill të vitit 2014, qeveria ‘Rama” miratoi kontratën koncensionare për ofrimin e shërbimit të kontrollit bazë ‘Check Up” për të gjithë qytetarët të moshës 35-65 vjeç, ku natyrisht përfshihen edhe shumica dërrmuese e punonjësve të kompanisë KESH. Koncesioni i shumëdebatuar administrohet nga shoqëria private ‘3P Life”, në pronësi të biznesmenes Vilma Nushi. Nënshkrimi i kontratës koncensionare, me vlerë 120 milionë euro, shkaktoi debat të madh publik dhe aktualisht është nën hetim nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK). Pavarësisht debateve publike dhe hetimi penal, kompania koncesionare e Vilma Nushit vijon të marrë miliona euro nga Buxheti i Shtetit. Por, kjo nuk i ka mjaftuar administratës së drejtuar nga Benet Beci. KESH-i, nën drejtimin e tij, ka vendosur të shpenzojë qindra milionë lekë publike për të kryer Check Up pranë strukturave spitalore private.

Shefat e privilegjuar

Benet Beci, gjatë drejtimit të KESH-it, është angazhuar maksimalisht për t’u krijuar kushte optimale kategorisë së “shefave”, krahasuar me punonjësit e nivelit bazë. Sipas konstatimit të bërë nga audituesit e KLSH, pozicionet më me risk në lidhje me aksidentet në punë rezultojnë se janë ato të punonjësve pranë njësive të prodhimit pranë Hidrocentraleve Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës (pavarësisht faktit se edhe në këto dy të fundit nuk kanë ndodhur aksidente) dhe në asnjë rast nuk rezulton se punonjësit e KESH- sh.a. të jenë të ekspozuar ndaj riskut të ndodhjes së aksidenteve sipas analizës në boldneës.“Për rrjedhojë rezulton se në mënyrë krejt të paargumentuar dhe jo të mbështetur në nevoja konkrete, janë përfshirë në skemën e sigurimit ndaj aksidenteve në punë edhe punonjësit e KESH SHA (Drejtorë/Këshilltar, Shef Zyre/Shef Sektori/Përgjegjës, Specialist dhe Niveli i mesëm) si dhe për HEC-et (Drejtorë/Këshilltar, Shef Zyre/Shef Sektori/Përgjegjës), ose numri total prej 252 punonjësish”, konstaton Kontrolli i Lartë i Shtetit. Më tej, në raportin e përfunduar në maj 2022, KLSH konstaton se, në mënyrë diskriminuese dhe jo të mbështetur në riskun ndaj të cilit ekspozohen, mes punonjësve paketat me vlerë sigurimi shëndeti janë ndarë duke favorizuar nivelin drejtues dhe duke lënë paketat me mbulim me sigurim, me vlerë më të ulët për punonjësit e Nivelit të Mesëm dhe Specialistët”. Konkretisht këto mbulime me sigurim janë: “Shuma 67,690,000 lekë janë për nivelin drejtues Drejtorë / Këshilltar; Shuma 20,307,000 lekë për nivelin Shef Zyre / Shef Sektori / Përgjegjës; Shuma 6,769,000 lekë për nivelin Specialist dhe Niveli i mesëm”,- thuhet në raport. Për këtë kontratë, KLSH ka ngarkuar me përgjegjësi ish-titullarin e Autoritetit Kontraktor z. Benet Beci, B., Këshillin Mbikëqyrës i përbërë nga znj. Evis Mamaj, Kryetare dhe z. Gjergj Simaku, z. Endrit Lami, z. Luigj Pjetri, znj. Sindi Dushku, znj. Teuta Balili, anëtarë, si dhe ish-drejtorin e Prokurimeve.