Konsulli i Shqipërisë në Budapest në nder të përvjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës së Kalkutës ka njoftuar se të gjithë bashkëatdhetarët janë të ftuar përzemërsisht në meshën e Shenjtë që do të mbahet nga famulltari i nderuar z. Frigyes Bakos në Kishën Zemra e Jezusit të qytetit të Ajkës, në datën 11 shtator 2022 në orën 09:45. Njoftimi është bërë nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Budapest dhe Konsulli i Nderit të Shqipërisë në Pecs. Në ceremoni do të zbulohet pllaka e granitit e gdhendur, që mban himnin e Shën Terezës së Kalkutës. Vendosja e pllakës u iniciua dhe realizua nga konsulli i nderit i Republikës së Shqipërisë në Pecs Z. Avni Hafuzi. Konsulli Hafuzi është iniciues dhe realizues edhe i vendosjes së bustit të Skënderbeut dhe Nënë Terezës, ndërsa është rënë dakord se komuniteti shqiptar në zonë do të mirëmbajë dhe kujdeset për bustet dhe pllakën e gdhendur.























