Prof. Dr. Lush SUSAJ/ Bujqësia përballë falimentimit dhe dekadencës

1142
Bujqësia ka qënë, është dhe do të mbetet baza e punësimit dhe mirëqënies për shumicën e popullsis së vendit. Kjo për shkak të specifikave të ekonomisë, të terrenit dhe historisë së zhvillimit të vonë të marrëdhënieve agrare në Shqipëri. Mosnjohja apo injorimi i këtyre specifikave ka sjellë humbje të kohes për reforma zhvillimore dhe humbje të resurseve prodhuese e njerëzore. Gabimet në strategjinë dhe në politikat e zhvillimit bujqësor, kan shkaktuar dhe po shkaktojnë falimentimin e fermave të vogla bujqësore, shoqëruar me degradimin e agroekosistemeve qindra vjeçare dhe me emigrimin e popullsisë. 
Përpara vitit 1990, falë traditës dhe punës së disa brezave, ka patur zhvillime dhe arritje të rendësishme në fushën e prodhimit, përpunimit dhe marketingut të prodhimeve bujqësore. 
Ndërsa zhvillimet e këtyre 25 vjetëve në Shqipëri, nuk e patën frymën, analizën dhe as vizionin për të ruajtur dhe siguruar vazhdimësinë e progresit përmes mohimit të ligjeve dhe reformave bllokuese dhe ruajtjes dhe avancimit të arritjeve pozitive në drejtim të tokës, mjedisit dhe prodhimit bujqësor. Kjo ka ndodhur për shkak se institucionet e bujqësisë u degraduan në klane dhe shoqata, ndërsa specialistët dhe elita kombëtare e bujqësisë u zevendësua ose u sundua nga hajdutët dhe militantët pa skrupuj e pa meritë 
Prima Levi (i mbijetuar i Holokausit), ka shkruar se: “Vërtet se ka përbindësha, por ata janë shumë pak për t’i menduar rrezik. Rreziku i vërtetë janë ata të cilet ne i mendojmë si njerëz normal”. Kështu ndodhi edhe me Bujqësinë Shqiptare që në këto vite, është abuzuar, vjedhur degraduar dhe falimentuar nga përbindësha të cilet i kemi konsideruar si njerëz normal. 
At Gjergj Fishta, në vitin 1908, në vepren e tijë me titull “Dredha e Djallit”, pati paralajmëruar për dekadencën e thellë që buron nga sundimi i injorancës, hajnisë dhe njerëzve me shpirt e përsonalitet të deformuar. Fishta shkruan: Qe, pra, tash se për ç’arrsye/ Punë n’Shqypni s’jet pa u shpërthye/ Due me thanë, pa u partallisun/ Çdo punë mbarë t’jetë nisun/ E kjo namë, ase kjo rrfé/ Ka me ngjatun, thom, ndër ne/ Dersa menden na t’a rrisim/ E me dije mos t’a shndrisim/ Veç padija dhe krenija/ Që shkojnë njitë si trupi e hija”. Nga padija buron arroganca, nepotizmi dhe propaganda absurde që po shkatërron edhe atë pak përvojë bujqësore të ndertuar dhe ruajtur në breza. Nga padija lind dhe zhvillohet mendjemadhësia që mbyll dhe nuk përfill debatin as oponencën shkencore, zhvillohet mendjemadhësia që nuk përfill analizën as alternativat demokratike të zhvillimit shoqëror dhe bujqësor në veçanti. Nga padija është zhvilluar edhe ideja e gabuar sipas të cilës bujqësia është një punë e rendomtë që mund ta programojë dhe bëjë kushdo, që në emër të bujqësisë dhe për bujqësinë, mund të flasë e veprojë kushdo. Kjo është një ide e gabuar sepse bujqësia e ditëve tona, quhet bujqësi e qëndrueshme dhe zhvillohet mbi parime, ligje dhe baza shkencore që janë në perputhje me prirjet e zhvillimit rajonal e botëror të bujqësisë dhe shkencës bujqësore. Padija, arroganca dhe mendjemadhësia, nuk e zhvillojnë bujqësinë shqiptare, përkundrazi e fragmentarizojnë dhe e falimentojnë duke e nxjerrë jashtë sfidave dhe jashtë trendit bashkëkohor të zhvillimit të tregjeve të prodhimit bujqësor. 
Ka kohë që bujqësia dhe degë të tjera të ekonomisë, janë përballur me menjanimin dhe largimin e specialistëve dhe personaliteteve më të mira të fushës dhe zevendësimin e tyre me specialistë dhe personalitete me sjellje konjukturale e korruptive. Ka kohë që në vend të ligjit, meritokracisë dhe institucioneve, kanë folur dhe vepruar klanet nepotike e krahinore të fshehura nën emrin e shoqatave të fiktivitetit dhe haknisë.
Në këtë mënyrë, bujqësia shqiptare, brenda dy dekadave, degradoj në dorë të personave me shpirt dhe personalitet konjuktural, degradoj në dorën e njerëzve shpërdorues dhe “tolerues” vetëm për interesat e tyre të ngushta. 
Aristoteli (384-322), ka thëne se nuk ka gjeni pa një damar budallai. Ndërsa për bujqësin shqiptare nuk pati as gjeni as programe dhe as reforma gjeniale. Përkundrazi pati njerëz që e degraduan administrimin e bujqësisë dhe fateve të vendit në dorë të servilëve gjysem të arsimuar ose të pa arsimuar. 
Kudo bie në sy dhe ndihet mungesa e specialistëve të mirfilltë të prodhimit dhe marketingut bujqësor, bie në sy mungesa e specialistëve me dije dhe me pervojë bashkëkohore. Të tillë specialistë, ndonëse janë asete të rendësishme të administratës kombëtare, janë menjanuar dhe zevendësuar me pesanjoset dhe me diplomat e marra në kushtet e fiktivitetit dhe mungesës së njohur të laboratoreve dhe praktikave mësimore. Në këtë rast, dëmi i shkaktuar është shumë i lartë sepse injorantët e shkolluar janë më të rrezikshëm se injorantët psiqikë. Kjo për shkak se injorantët psiqikë, ndonëse e rendojnë barrën sociale të shoqërisë, kurrë nuk e rrezikojnë shoqërinë sa pesanjoset dhe analfabetet funksional.
Shkaku i këtij shkrimi, u ba falimentimi i kushtueshëm e i panevojshëm i njërës prej fermave më të mira organike në Marikaj të Tiranës dhe masivizimi i këtij fenomeni në të gjitha krahinat e Shqipërisë.
Në këtë fermë janë prodhuar dhe kalbur mbi 250 kv domate e hershme nga sera. Të njëjtin fat pritet të kenë edhe rreth 300 kv të tjera që do të piqën gjatë periudhes Gusht-Shtator. 
Fermeri (që është njëri nga agronomet më të njohur të vendit) shpjegon për shkaqet e mosfunksionimit të pikave të grumbullimit, për mungesën e subvencionimit dhe për mungesën totale të mundësive për ta eksportuar prodhimin, etj. Ndërsa ambasadori i njërit prej vendeve të BE, për këtë rast është shprehur duke thënë se: “në vendin tim, për të mbrojtur një fermë të tillë, qeveria do të ngrihej në këmbë”. 
Në këtë mënyrë, pas 20 vjetësh prodhim dhe punësim të mbi 15 vetave, rreth 5 km në periferi të Tiranës, ka falimentuar një nga fermat organike më të njohura.
Në këtë mënyrë, për shkaqe subjektive, në Shqipëri janë falimentuar dhe po falimentojnë me qindra e mijëra ferma të vogla e të mesme bujqësore. Në këtë mënyrë janë mbyllur dhe po mbyllen mijëra vende pune. Kështu janë shkaktuar dhe po shkaktohen me qindra dhe mijëra emigrantë që i drejtohen kampeve të azilit duke shkaktuar një boshllëk të frikshëm në tregun e punës dhe të konsumit. Situata bëhët edhe më e rendë në kushtet e mungesës reale të subvencionit, që në vend që të shkojë tek prodhuesit, shkon tek grumbulluesit që abuzojnë pa mëshirë dhe pa frikë nga ligji. 
Mungesa reale e investimeve në kullim dhe ujitje, ka shkaktuar një gjendje makthi tek fermeret e Pellgut të Shkodres dhe në rajonet e tjera të vendit. Pavarësishtë nga deklaratat apo konferencat mediatike nga Hotel Rogner e Tirana International, tokat bujqësore të Malsisë së Madhe, Shkodres, Lezhes, Kurbinit, etj, vazhdojnë të jenë pa mundësi kullimi dhe ujitje dhe pa ndonjë projekt apo strategji funksionale e të zbatueshme, kjo situatë e degraduar ka një kosto të rendë për fermeret.
Në fshatin Gradec (Malësi e Madhe), njëri nga fermeret e kishte zgjidhur problemin e ujitjes duke hapur një pus rreth 260 m të thellë e që i kishte kushtuar rreth 23 miljon lek të vjetra. Është një kosto e pamundur për tu përballuar nga fermeret e tjerë të zonës. Kjo po ndodh për shkak se janë shpenzuar donacione dhe fonde për kanale e puse të pa hapura ndonjëherë, për stacione pompimi që kurrë nuk funksionuan, etj. Në vend të kësaj praktike korruptive, për kushtet specifike të bujqësisë sonë, do të ishte më mirë të financoheshin puset dhe rezervuaret si zgjidhje më të shpejta, më efikase dhe më praktike për terrenin specifik të vendit tonë. Shqipëria nuk mund të përgjithësohet me Lushnjen dhe prodhimi bujqësor nuk mund të përgjithësohet e zgjidhet duke u marrë me 1000 ha fushë të mbrojtur. 
Kjo ndodh sepse fiktiviteti, korrupsioni dhe injoranca ka dominuar dhe po dominon mbi dijen, arsyen dhe ligjshmërinë. Kjo duket edhe tek mënyra se si në këto vite u shkatërrua edhe tradita dhe infrastruktura e veprimtarisë prodhuese të qershive dhe dardhave në Dibër, të bimëve medicionale në Malësin e Madhe, etj. Fatlumi është njëri nga banorët e kthyer nga Austria që kishte mbjellur tokën me Levandul, Sherebelë, Mullagë dhe me Cian. Fatlumi ka sjellur nga Austria farërat dhe makineritë më të mira të kohës. Ndërsa ne kohen e vjeljes e ka braktisur fermen, prodhimin dhe makineritë dhe është kthyer i lodhur dhe shumë i zhgënjyer në Austri. Largimi i tijë ka të bëjë me mungesën e fuqisë punëtore për shkak të emigrimit masiv të popullsisë, mungeses së subvencionimit dhe me abuzimin në lidhje me çmimin dhe me tregun e prodhimit të çertifikuar. Në këtë mënyrë, vetëm në Dibër këtë vit janë kalbur në degë mbi 3000 ton qershi dhe po dëmtohen edhe mbi 2000 ton dardhë të një cilësie shumë të lartë. Kjo ndodhë sepse investimet dhe projektet në tregje, agropërpunim dhe marketing, në pjesën më të madhe të rasteve degradojnë në rrëna godina karabina dhe dosje fiktive. Ndërsaa në Malësin e Madhe, situata është e tillë ku sherebela që para dy vjetesh shitej me 200 lek/kg, sot po grumbullohet veresie (pa lek në dorë) me nga 100 lek/kg. Ndërsa të tjerë matrapaz që levizin nepër fshatra me furgona dhe makina të vogla, abuzojnë me varfërinë e njerëzve duke ua blerë me lek në dorë me 60-70 lek/kg. Në këtë matrapazëri, për prodhuesin e varfër nuk ka as fletëdalje, as dokumentim dhe as subvensionim. Fermeret e kësaj fushe, po e mbyllin këtë vit me borxhe ose duke fituar jo më shumë se bukën e gojës. Në këtë mënyrë po degradohen mbi 3000 ha tokë të mbjellur me bimë medicionale shumëvjeçare. Nga njëra anë është kjo katastrofa e shkatërrimit dhe braktisjes reale të burimeve të punësimit dhe prodhimit të qendrueshëm të rajoneve malore dhe kodrinore të vendit. Ndërsa nga ana tjetër, është fiktiviteti dhe demagogjia për serrat, për rajonizimin, për agropërpunimin dhe për eksportet imagjinare. Demagogji bajate për llojet, market dhe rracat autoktone të abuzuara, të harruara dhe të abandonuara, etj, është një praktikë tepër e gabuar që po shkakton varfëri dhe emigrim masiv të popullsisë. 
Në vend që zgjidhja të projektohet dhe të drejtohet nga specialistet e aftë të këtij vendi, përseri shofim që janë të nëjtat shushunja të projekteve, janë të njëjtët persona që në këto 20 vjetë drejtuan apo shpërdoruan investimet nga ku nuk mbeti asgjë. Janë të njëjtet abuzues që vazhdojnë të flasin për vreshtat, për pemët, për ullirin dhe për agrumet që vetë i shkatërruan me ato strategjitë dhe programet e tyre antishkencore dhe me farërat dhe fidanat e shpërndara në kuadrin e mashtrimit dhe babëzisë së tyre për të fituar para pa rregull e meritë.
Janë të njëjtet njerëz që flasin broçkulla për rajonizimin dhe kadastrat që nuk ekzistojnë sepse nuk u punua me specialistët e fushës, përpasojë, asnjëherë nuk u bën si duhet dhe asnjë ditë nuk ishin të dobishme dhe funksionale. Janë përsona të njohur që kanë vetëm një aftësi, atë të hajnisë përmes kopsitjes së dosjeve fiktive dhe ndarjes së parasë së vjedhur me zyrtarët e korruptuar të dhënies dhe mbikqyrjes së fondeve dhe projekteve të bujqësisë. Nga fermeret e Korçes, degjova se si një nga specialistet e ministriesë kishte nderhyrë duke ju thenë fermerëve: “për të luftuar Kromen e Mollës, hapni kanalet kulluese në Qershor”. Të tilla idjotësi po ndodhin gjithnjë e më shpesh sepse në krye të aftësimit profesional, janë vendosur njerëz që nuk kanë dijet as pervojën e duhur. Në këto kushte po zhvlerësohet, po banalizohet dhe po shpërdorohet edhe profesioni i nderuar i agronomit deri në atë masë sa po flitet hapur për shkrirje të sherbimit këshillimor që është një shërbim jetik për prodhimin dhe marketingun bujqësor.
Rilindja e Shqipërisë nuk mund të kuptohet pa zhvillimin e qendrueshëm e bashkëkohor të bujqësisë dhe mjedisit, nuk mund të arrihet pa e çliruar sistemin e drejtimit dhe këshillimit bujqësor nga fiktiviteti, korrupsioni dhe injoranca. Zhvillimi i qendrueshëm e bashkëkohor bazohet në forma dhe sisteme të reja prodhimi dhe ka për bazë standarte dhe teknologji të reja të prodhimit dhe marketingut. Zhvillimi i qendrueshem e bashkëkohor ka për bazë strategji, ligje dhe standarte të detyrueshme për tu njohur dhe zbatuar. 
Kjo arrihet duke zhvilluar dijen dhe kulturën bujqësore, përmes evidentimit dhe angazhimit të potencialeve intelektuale që janë të aftë të marrin përsipër sfidën dhe përgjegjësinë historike për rilindjen dhe shpetimin e bujqësisë nga falimentimi dhe degradimi i mëtejshë
Sigal